Ballina Aktuale Bie qeveria e Serbisë

Bie qeveria e Serbisë

SHPËRNDAJE
House of the National Assembly of Serbia in Belgrade

Qeveria e Serbisë i dërgoi Presidentit të Republikës propozimin për shpërndarjen e Kuvendit Kombëtar dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare. Në arsyetimin e qeverisë serbe thuhet se “mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare në rrethanat ekzistuese do të siguronte një shkallë më të lartë të demokracisë, duke reduktuar tensionet e krijuara midis opsioneve kundërshtare në shoqëri, duke refuzuar ekskluzivitetin dhe gjuhën e urrejtjes dhe duke afirmuar të drejtën për të shprehur lirisht mendime dhe pikëpamje për çështje të caktuara politike, ekonomike dhe të tjera, duke përfshirë edhe afirmimin e mëtejshëm të vlerave evropiane”, raportojnë mediet nacionale dhe ato lokale, njofton Jetapress.

Në propozimin për shpërndarjen e parlamentit, ndër të tjera thuhet se kohët e fundit ka pasur kërkesa nga një pjesë e opinionit për shpalljen e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme për deputetë dhe se më 11 shtator, një pjesë e partive politike opozitare i paraqitën një kërkesë të tillë Presidentit të Republikës.

Jetapress, vlerëson se zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit, do të jenë një sfidë e madhe për subjektet politike në Luginë të Preshevës, të cilave u mungon uniteti, e dalja me shumë lista rrezikon sigurimin e ndonjë ulëseje në Kuvendin Republikan të Serbisë. Beteja zgjedhore për të siguruar një mandat deputeti, kësaj radhe do të jetë e ashpër dhe e pakompromis, për shkak të interesimit në mes Preshevës dhe Bujanocit, për të fituar në këtë garë zgjedhore, e cila vjen në një situatë të ndjeshme nëpër të cilën po kalon vendi në nivel lokal dhe atë qendror, njofton Jetapress.