Ballina Lajme Nga Bota Turqia me hapa konkret ndihmon Gazën

Turqia me hapa konkret ndihmon Gazën

SHPËRNDAJE

Përderisa Turqia vazhdon iniciativat për përshpejtimin e qasjes së popullatës së Gaza për mbështetje humanitare, ajo po bën përgatitjet përfundimtare për të lehtësuar hyrjen e ushqimit në rajon dhe për të krijuar një spital fushor në Gaza, raporton Anadolu.

Sipas informacioneve të siguruara nga burimet diplomatike, procesi i evakuimit të shtetasve turq që u ngadalësua pjesërisht për shkak të “pauzës humanitare” në Gaza sërish do të përshpejtohet.

Turqia deri më tani, si rezultat i përpjekjeve intensive diplomatike, ka evakuuar rreth 500 shtetas turq dhe të Republikës Turke të Qipros Veriore nga Gaza.

Turqia po krijon një infrastrukturë lokale të furnizimit në Egjipt, në mënyrë që mijëra tonë ndihma ushqimore që ka transferuar në Egjipt, të mund të arrijnë në Gaza në një mënyrë më të qëndrueshme dhe më të lehtë në të ardhmen nën koordinimin e institucioneve përkatëse.

Në këtë drejtim vazhdojnë kontaktet midis zyrtarëve turq dhe homologëve të tyre egjiptianë.

Përgatitje për spital fushor dhe qytet të kontejnerëve

Turqia është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për të krijuar një spital fushor në Gaza, në mënyrë që dhjetëra mijëra civilë të plagosur në Gaza të mund të marrin trajtim.

Pritet që zyrtarë të institucioneve përkatëse të bëjnë hetime teknike në kohë të shkurtër në Gaza.

Zyrtarët turq po punojnë gjithashtu për të vendosur kontejnerë ku familjet nga Gaza mund të strehohen, në përgjigje të nevojave urgjente që lindin pasi moti bëhet më i ftohtë dhe kushtet e dimrit bëhen të dukshme.

Përderisa po bëhen studimet e fizibilitetit për ngritjen e qyteteve kontejner në Gaza, është krijuar baza për bashkëpunim me administratën e Katarit për këtë çështje dhe dërgimin e ndihmave humanitare nga Turqia në Gaza.

Ndihmësministri i Jashtëm Serim dhe ndihmësministri i Brendshëm Karaloğlu vizituan Egjiptin

Ndihmësministri i Jashtëm Yasin Ekrem Serim dhe ndihmësministri i Brendshëm Münir Karaloğlu vizituan Egjiptin për të trajtuar ndihmat shtesë humanitare për Gazan dhe lidhur me evakuimin e shtetasve turq nga Gaza.

Serim dhe Karaloğlu pas takimeve të tyre me ndihmësministra relevantë në Kajro, Gjysmëhënën e Kuqe të Egjiptit dhe Institucionin e Fatkeqësive dhe Emergjencave të Egjiptit, vizituan qytetin Arish, ku transportohen ndihmat humanitare të Turqisë, si dhe kalimin kufitar Rafah. Ndihmësministrat gjithashtu u takuan edhe me ministrin egjiptian të Shëndetësisë dhe Popullsisë, ministrin palestinez të Shëndetësisë dhe ministrin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Katarit.

Serim dhe Karaloğlu u takuan me stafin e ambasadës turke në Kajro, të cilët kanë punuar në kalimin kufitar Rafah që nga fillimi i krizës dhe kanë kryer procedurat e evakuimit, si dhe diskutuan me bashkëbiseduesit e tyre për evakuimin e vazhdueshëm të shtetasve turq dhe evakuimin e pacientëve për qëllime trajtimi.

Serim kishte bërë deklarata për media prej atje lidhur me operacionin e evakuimit të shtetasve turq nga Gaza.

Duke vënë në dukje se Turqia ka punuar se si të ndihmojë njerëzit në Gaza dhe si të largojë qytetarët turq nga rajoni që nga fillimi i procesit, ai tha se “Presidenti ynë dhe Ministri ynë i Jashtëm vazhdojnë përpjekjet e tyre në çdo platformë për një zgjidhje të përhershme të problemit”.

Ai falënderoi autoritetet egjiptiane për bashkëpunimin e tyre. “Kemi vëllezër në Gaza që presin të evakuohen. Ne vazhdojmë punën tonë pa ndërprerje për të siguruar daljen e tyre sa më shpejt”, shtoi ai.