Ballina Aktuale Marrëveshja bazike mbeti në letër, Kosova fajëson Serbinë për moszbatim

Marrëveshja bazike mbeti në letër, Kosova fajëson Serbinë për moszbatim

SHPËRNDAJE

Takimi i sotëm në Bruksel është mes dhjetëra të tjerëve. Por e veçanta e tij ishte se për herë të parë u diskutua për një rregullore të Bankës Qendrore të Kosovës.

Ndërkohë, sot janë bërë një vit që nga ujdia i arritur mes Kosovës dhe Serbisë për Marrëveshjen bazike. Ajo, edhe më tej, ka mbetur në letër. Për mos zbatimin e saj,  Kosova bën përgjegjëse Serbinë, kurse njohësit e fushës shprehen skeptikë se marrëveshja do të gjejë zbatim të plotë.

Përballë njëri-tjetrit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, një vit më parë u pajtuan për marrëveshjen bazike. Ajo parashikonte zhvillim marrëdhëniesh normale fqinjësore mes dy shteteve.

Por, nga ajo kohë, pothuajse gjithçka mbeti vetëm në letër.

Në terren, situata është gati  krejtësisht e kundërt me atë pajtim. Pati sulm terrorist të grupeve nga Serbia mbi policinë e Kosovës  në Bansjkë të Zveçanit, sulme kundër pjesëtarëve të KFOR-it, e zhvillime tjera me karakter destabilizues.

Për këto zhvillime, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi bën përgjegjëse Serbinë, që ka shkelur 8 nene të marrëveshjes bazike.https://zeri.info/inarticle.html

“Në vetëm një vit, të gjitha këto akte e sjellje, dëshmuan se Serbia po e pengon fuqishëm avancimin në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve e njohjes reciproke. Kosova nga ana e saj, qëndron konstruktive dhe e angazhuar në këtë rrugëtim, në zbatimin e plotë, të drejtë e pa kushte të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues, përmes një plani të sekuencimit të balancuar mes palëve”.

Njohës të politikës shprehen skeptikë se marrëveshja do të gjejë zbatim.

Bashkimi Evropian ka kushtëzuar integrimet me zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja me 11 pika, së cilës në mars të vitit të kaluar iu bashkëngjit edhe një aneks i zbatimit, parashikonte  që palët ta respektonin integritetin dhe sovranitetin e njëra-tjetrës, e t’i njihnin dokumentet e simbolet reciproke.

Ujdia ishte  mirëpritur nga euro-amerikanët, të cilët shtuan presionin për zbatimin e saj. /rtk/