Ballina Opinione Karizmatikët sociopatë dhe manipulimi emocional i masave

Karizmatikët sociopatë dhe manipulimi emocional i masave

SHPËRNDAJE

Nga Erion Piciri

Shumë vite më parë, një amerikan që shkonte të ndërmjetësonte konfliktin e dhunshëm midis kreut të shtetit dhe liderit të opozitës të një vendi ish-komunist, tronditej nga sjelljet e tyre. Njëri deklaronte se i kishte snajperët gati për ta vrarë kundërshtarin politik, nëse do të sulmonte me protestuesit godinën e Presidencës, dhe tjetri që shtrihej i tëri në zyrë nga krizat nervore.

Si ka mundësi, pyeste i dërguari i Departamentit të Shtetit, që ky vend të ketë rënë në dorë të dy të marrëve? Përgjigjen na i jep psikologu Tomas ChamorroPremuzic, në librin e tij Why Do So Many Incompetent Men Become Leaders?, botuar në 2019. Sipas tij, parapëlqehet në shumë raste djali i keq, dominues, narcizist dhe karizmatik, që duket sharmant nga psikopatia dhe karakteri antisocial, përpara të aftit me integritet, të përulur dhe me ndjeshmëri ndaj të tjerëve. Duket e papërshtatshme të asociohet psikopatia me liderët, kur termi përdoret në komunikimin popullor në mënyrë pezhorative, por këtu do e shohim jo si fyerje, por si profil psikologjik dhe fenomen me impakt social dhe politik.

Ajo duhet bërë pjesë e analizës së lidershipit, për të kuptuar sjelljet, parashikuar të ardhmen dhe shpëtuar në kohë nga rënia në dorë të tyre. Nga ky brumë kanë dalë kryetar bandash dhe kryetarë shtetesh, shumë syresh aktivë edhe sot nëpër botë. Psikologu kanadez, Robert Hare, na ndihmon me një udhëzues për evidentimin e karakteristikave të psikopatisë (Hare Psychopathy Checklist), i përdorur gjerësisht në nivel ndërkombëtar. Sipas tij, psikopatët shfaqen si egocentrikë dhe me ndjenjë të fuqishme vetëvlerësimi, të pasinqertë, të paaftë për të pranuar përgjegjësitë, përfitues ndaj të tjerëve, brutalë dhe pa ndjenjë fajësie, gënjeshtarë të pandreqshëm dhe manipulues, pa ndjenjë pendimi apo faji, me pak reagime emocionale, me mungesë të sensit të empatisë dhe moralit.

Janë këto karakteristika, thotë Premusic, që i bëjnë psikopatët të lëvizin pa kufizime dhe të thyejnë rregullat, e kur shoqërohen edhe me inteligjencën dhe pamjen, i bëjnë të duken karizmatikë, magjepsës dhe bindës për të udhëhequr dhe nga një përqindëshi në popullsi të dalin te tre përqindëshi në nivel drejtues. E paqartë sa shkon kjo përqindje në vende që nuk i njohin gjerësisht këto tipare, nuk flasin publikisht për to dhe nuk bëjnë përpjekje t’i ndalin këto profile njerëzore nga drejtimi i punëve të vendit. E sigurt është që psikopati i pazbuluar konsiderohet lider i madhërishëm dhe i adhuruar.

Ai zbret në arenën publike me armë më të fuqishme jokonvencionale se të gjithë sfidantët e vet. Si mund të konkurrohet ky tip nga profesionistët e formuar me ndjenjën e përgjegjësisë, turpit, fajit, të edukuar për sjelljen etike, me norma morale, mos dëmtimin e të ngjashmëve dhe dashamirësinë e përulësinë për të qenë të dobishëm për shoqërinë, me ndjenjën e modestisë dhe të sakrifikimit të vetvetes për t’u hapur mundësitë të tjerëve. Ai bëhet edhe më i rrezikshëm në botën e politikës kur negocion direkt pushtetin me masat, kur pa drojë lëviz nga një skaj në tjetrin të politikës, nga kozmopolit kthehet në nacionalist. Në mungesë të vetëdijes, busulla e tij anon nga fitimi, pavarësisht mjeteve dhe në fund të ditës e ndihmon mendja të flejë i qetë pa vrasje ndërgjegjeje.

Kur pushteti takohet me karizmatikun antisocial, që ledhaton me mjeshtri ndjenjat fetare apo/ dhe kombëtare, trullosja masive e njerëzve prodhon terrenin pjellor ku ngrihen sistemet autoritare, ku zëri i arsyes humbet dhe e vetmja që ka rëndësi është trumbeta e adhuruar e prijësit, që ka ekskluzivitetin për të folur në emër të të gjithëve. Kjo ndodh sot në shumë vende. Nëse vë re rezultatet e pakta dhe votat e shumta, kupton se emocionalja ka mundur racionalen, se zemra e ka mposhtur mendjen dhe ky është shkaku i fundosjes së shumë individëve dhe kombeve.

Nga Robert Dahl te Samuel Popkin e të tjerë, kanë evidentuar këtë aspekt të demokracisë ku qytetari tipik nuk analizon thellësisht mbi evolucionin politik, por gjykon sipërfaqësisht duke i rënë shkurt bazuar te përshtypjet mbi kandidatët dhe ndjesinë mbi situatën, influencën e rrethit apo emocionalitetin e fushatave, kur vjen fjala për të votuar. Vlerësimi i qeverisjes është punë e vështirë. Thonë se mendja e njeriut të zakonshëm nuk asimilon më shumë se tre-katër shifra njëherësh dhe kuptimi i politikave bëhet gjithnjë e më i komplikuar. Në këtë kontekst abstrakt të qeverisjes hyn në skenë karizmatiku manipulues, që nuk ta lodh mendjen me të dhëna, por të fton drejt shfaqjes, ku ulje-ngritjet në rrëshqitësen e narrativës së tij kalojnë nga trishtimet e dikurshme tek gëzimet e sotshme, nga luftërat dhe dramat te fitoret dhe lavdia e kombit, nga armiqtë tek prijësi mëmëdhedashës që të mbron e lartëson në sytë e botës. Këtu ngazëllimi prek majat e njeriut që ka humbur jetën personale, i jepet një biletë e përjetshme në spektaklin e madh të politikës kombëtare.

Mbështetësit jetojnë tashmë me kauzat e misionarit të rremë, në një varësi reciproke me prijësin, ata që presin sensacionet e forta emocionale dhe ai që ushqehet me adhurimin e turmave. Këtu nis rrokullisja e shoqërive dhe lartësimi i tij, për rënien më pas edhe të vetë prijësit. Veçse dëmi i krijuar lë një vakum që do kohë të mbushet. Karizmatiku ambicioz e narcizist me tendeca antisociale, që nuk i iket nga pushteti dhe nuk ndalet pa u njehsuar me shtetin përbën sot problemin e shumë shoqërive anembanë botës dhe duhet larguar nga qeverisja e vendeve.

Ka një mënyrë për të shpëtuar, duke mos e kthyer kurrizin në shkallë për ngjitjen e tij, duke e kushtëzuar mbështetjen me një test personaliteti, karakteri dhe modeli, bazuar tek integriteti, përulësia e vërteta dhe ndjeshmëria e tyre e sinqertë, jo duke u magjepsur nga demonstrimi i forcës dhe narrativa e tyre emocionale. Në zbrazëti askush nuk mund të ngjitet, pa mbështetës asnjë nuk mund t’i sundojë shoqëritë. Lënia e shesheve bosh është terapia më e mirë. I ul me këmbët në tokë. Bashkëpunimi në ngritjen dhe mbajtjen në pushtet të sistemeve autoritare të sociopatëve është mëkati më i madh i njeriut ndaj shoqërisë.