Ballina Aktuale MARRËVESHJET E NGUTSHME SJELLIN QEVERISJEN E KEQE NË BUJANOC!

MARRËVESHJET E NGUTSHME SJELLIN QEVERISJEN E KEQE NË BUJANOC!

SHPËRNDAJE

Partitë politike shqiptare, në Komunë të Bujanocit, janë ndarë në dy blloqe të mëdha, të cilat veç e veç, nuk i kanë numrat për ta ndërtuar qeverisjen e re të dalë nga zgjedhjet e 2 qershorit 2024.

Secili nga ky bllok politik e arsyeton veprimin për ta gjetur një koalicion të qëndrueshëm në parlamentin e ri lokal në Bujanoc, që, ai, ta ketë shumicën dhe të jetë më afër qytetarëve më stabilitet, efikasitet dhe përgjegjësi.

Bllokut të parë koalicionar shqiptar Frontit për Ndryshime, i ka takuar ligjërisht, ngase në zgjedhjet për pushtet lokal ka siguruar 8 ulëse, për të marrë nismën rreth konsultimeve, karshi partive të tjera shqiptare LPD (7 mandate), PD (6 mandate) dhe PVD (5 mandate).

Nëse vazhdohet kështu si ka nisur rreth bojkotit të thirrje për formimin e qeverisjes lokale, shantazheve dhe obstruksioneve, është vështirë të gjendet një zgjidhje e pëlqyeshme, jo vetëm për krerët e partive politike shqiptare, por edhe për qytetarët në përgjithësi, të cilët si gjithherë treguan një kulturë të lartë të pjesëmarrjes në zgjedhje.

Le të dihet

Në zgjedhjet e 2 qershorit 2024, subjektet politike shqiptare të Komunës së Bujanocit me koalicionin Fronti për Ndryshime, në të cilin bëjnë pjesë APN,LB dhe PDSH, ndërsa në anën tjetër veç e veç: LPD, PD e PVD, kjo radhitje bëhet sipas forcës elektorale, të cilat së bashku përbëjnë 26 mandate, ndërsa blloku i partive serbe 13 këshilltarë dhe ai i bashkësisë rome 2 këshilltarë.

Nëse tërhiqet një paralele mes zgjedhjeve për pushtet lokal në Komunën e Bujanocit, gjatë 6 majit 2012 dhe zgjedhjeve të fundit, 2 qershor 2024, del se shqiptarët nëpër zgjedhje kanë humbur shumicën absolute nga 30 këshilltarë në 26 sish. Nuk janë pak të humben 4 këshilltarë ndër mandate, që për pasojë kanë ardhur nga marrëveshjet e dobëta, të njëanshme dhe të ngutshme.

Partitë politike shqiptare duhet të marrin mësim nga e kaluar, që mos t’u përsëriten gabimet e prira nga inatet, xhelozia, hakmarrja, smira, interesi etj. nga të cilat nëse ndodhin përsëri, ekziston rreziku i tkurrjes së parlamentit lokal në Bujanoc, nga këshilltarët shqiptarë edhe më shumë, ashtu siç ka ndodhuri në të kaluarën.

theksohet se në zgjedhjet e fundit për pushtet lokal, të vitit 2012, shqiptarët për herë të parë në historinë e Komunës së Bujanocit, arritën një fitore të thellë bindëse, të sigurojnë 30 këshilltarë, nga 41 sish sa i ka Kuvendi Komunal.

Gëzimi dhe zhgënjimi

Para 12 vitesh, pikërisht, më 6 maj 2012, në zgjedhjet për pushtet lokal në Bujanoc, ishte një gëzim i paparë për shqiptarët e kësaj komune, të cilët arritën të sigurojnë në parlamentin lokal 30 ulëse nga 41 sa ka në përbërjen e tij kuvendi komunal. Mirëpo, një gëzim i tillë nuk zgjati shumë, meqë qeverisja e re multietnike i la anash jetës institucionale 18 këshilltarë shqiptarë, duke i përfshirë në pushtet të gjithë 11-të këshilltarët serbë. Kështu 12 këshilltarët shqiptarë të partisë së Nagip Arifit, në bashkëpunim me 11 këshilltarët e bllokut serb, ndanë kulaçin duke favorizuar serbët pakicë me Shtëpinë e Shëndetit, Qendrën Sportive, Bibliotekën e disa resorë tjerë të komunës, të cilat i qeverisnin dikur shqiptarët.

Nëse përsëriten gabimet e vitit 2012, për secilin bllok të partive shqiptare, në mandatin e ardhshëm ekziston rreziku i zvogëlimit të këshilltarëve nga 26 në 23 sa kishte Kuvendi komunal Bujanocit gjatë zgjedhjeve të 2002-të.

Të kthehesh prapa 22 vjet me vetëdije, apo qëllimisht, kjo nuk falet dhe dikush duhet të jap llogari dhe përgjegjësi morale dhe materiale. Votat e qytetarëve nuk janë vezë të nxirren në treg, të shiten e të blihen sipas pazarit me marrëveshje, por ato janë vullnet politik, që nuk guxon të shkelen e përbuzen për interesa partiake, grupore e familjare.

Një si zgjidhje

Për të mos humbur kohë, mund dhe energji deri në fund të korrikut, kur skadon afati ligjor për konstituimin e kuvendit të ri komunal në Bujanoc, krerët e partive politike shqiptare, duhet të heqin dorë nga pushimet verore dhe gëzimet e tjera luksore.

Sa nuk është vonë, të mblidhen kokë më kokë, fitimtarët e zgjedhjeve për pushtet lokal dhe të arrihet një marrëveshje e logjikshme për të gjithë, duke favorizuar Frontin për Ndryshim Arbër Pajazitin, me postin e kryetarit të Komunës së Bujanocit, ngase, ai, i ka fituar 8 këshilltarë, pastaj për kryetar  të Kuvendit Komunal Shqiprim Musliun, nga radhët e LPD, e cila ka siguruar 7 mandate, parti kjo e cila për disa mandate në të kaluar e ka gëzuar këtë post të legjislativit, kurse partitë e tjera garuese në zgjedhjet lokale kanë mjaft poste për të udhëhequr: nënëkryetarin e komunës, shefin e kabinetit, kryeshefin e administratës, nënkryetarët e kuvendit, sekretari e departamente të tjera, që askush të mos ndjehet humbës, i poshtëruar, i anashkaluar nga një Koalicion i fuqishëm, i qëndrueshëm dhe parimor.

Një koalicion i tillë, do t’i kishte dyert e hapura për partitë tjera si ato serbe dhe rome, për të qenë pjesë e qeverisjes së re komunale, të dalë nga zgjedhjet e 2 qershorit 2024, nëse dëshirojnë të përfshihen në një qeverisje të mirë për të gjithë qytetarët pa dallim përkatësie nacionale e konfeksionale.

Nëse nuk arrihet një marrëveshje e tillë, të jeni të bindur se në zgjedhjet e ardhshme, shqiptarët do të kthehen 22 vjet prapa, aty ku e nisën me histori suksesi e do të përfundojnë me histori dështimi dhe zhgënjimi.

(Opinion i Jetapress-it)