Ballina Opinione Çfarë është ajo që në pushtet mban idetë e vjetra dhe njerëzit...

Çfarë është ajo që në pushtet mban idetë e vjetra dhe njerëzit e vjetër?

SHPËRNDAJE

Nga: Kenan Malik / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

“Kur shtetet kanë vështirësi ose frikë, ato e dëshirojnë sundimin e të moshuarve”, shkroi Plutarku – historian dhe filozof grek i shekullit të parë – teksa mendonte “nëse plaku duhet të angazhohet në politikë”. Vetëm të moshuarit, besonte ai, e zotërojnë mençurinë e dhënë nga mosha dhe qetësinë që vjen nga përvoja. “Shteti i cili i hedh përgjithmonë poshtë të moshuarit”, argumentoi ai, “duhet të jetë i mbushur me të rinjtë të cilët janë të etshëm për reputacion dhe pushtet, por që nuk e kanë mendjen e burrështetasit”.

Çfarë mund të ketë thënë Plutarku për performancën e shëmtuar të Joe Bidenit, në debatin e muajit të kaluar me Donald Trumpin, si dhe për këmbënguljen e tij për të mbetur kandidati demokrat në zgjedhjet presidenciale në nëntor? Plutarku e kuptoi se të moshuarit mund të mos kenë fuqi, por “e keqja e shkaktuar nga dobësia e tyre fizike”, këmbënguli ai, “nuk është aq e madhe sa përparësia që ata kanë ndaj kujdesit dhe maturisë”.

Çfarëdo qofshin mendimet e tij për Bidenin, Plutarku mbase i ka njohur disa aspekte të botës bashkëkohore politike. Nuk është puna se dy burrat që konkurrojnë për president të ShBA-së janë 81 dhe 78 vjeç. Edhe ligjvënësit amerikanë janë të thinjur. Mosha mesatare në Dhomën e Përfaqësuesve është 58, ndërsa 65 është në Senat. Më shumë se një e treta e senatorëve janë mbi 70 vjeç.

Amerika nuk është i vetmi vend ku qeverisin të vjetrit. Vladimir Putin është 71 vjeç, ashtu si edhe Xi Jinping. Narendra Modi i Indisë është 73 vjeç; homologu i tij pakistanez, Shehbaz Sharif, është një vit më i ri; ndërsa, Sheikh Hasina i Bangladeshit është tre vjet më i vjetër. Benjamin Netanyahu është 74 vjeç, ndërsa udhëheqësi i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, është 88 vjeç, ndërkaq lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, është 85 vjeç. Momentalisht, udhëheqësi më i vjetër në botë, presidenti i Kamerunit, Paul Biya, është 91 vjeç – një dekadë më i vjetër se Bideni.

Sigurisht, ka liderë të rinj. Kryeministri francez, Gabriel Attal, është 35 vjeç dhe ai është më i riu në skenën botërore. Por, ndoshta jo për shumë kohë. Pas numërimit të votave në zgjedhjet parlamentare franceze të së dielës, 28-vjeçari Jordan Bardella i Tubimit Kombëtar të ekstremit të djathtë, mund të jetë në prag të emërimit për kryeministër të ri. Megjithatë, prirja drejt “gerontokracisë” – sundimi i të vjetërve – është tipar interesant i botës bashkëkohore.

“Nuk duhej të ishte kështu”, ka vërejtur historiani dhe filozofi amerikan Samuel Moyn. Në botën paramoderne, respekti për të moshuarit ndërlidhej me strukturën shoqërore si mjet për të ruajtur rendin dhe disiplinën shoqërore. “Ndër pleqtë gjejmë diturinë, dhe gjatësia e ditëve ua jep edhe gjykimin”, siç thuhet te Jobi në Biblën hebraike apo Testamentin e Vjetër.

Dukej se ardhja e modernitetit e transformoi statusin shoqëror të së vjetrës. “Me lindjen e modernitetit politik”, argumenton Moyn, revolucionarët francezë – duke përmbysur regjimin e vjetër – “në mënyrë eksplicite e vunë në shënjestër fuqizimin e të moshuarve”, duke kërkuar “jo vetëm të rrëzonin aristokratët në emër të njerëzve të thjeshtë dhe baballarët në emër të djemve, por gjerësisht për të zbehur angazhimin shekullor ndaj gerontokracisë për hir të shumicës më të re”. Megjithatë, me kalimin e kohës, “autoriteti i pleqve” u rivendos dhe “pretenduesit e rinj” u zhvendosën.

Paradoksi i shoqërive bashkëkohore, veçanërisht në Perëndim, është se në të njëjtën kohë kur të vjetrit kanë zotërim të madh të pushtetit politik, të moshuarit shpeshherë neglizhohen dhe nuk kanë mbështetje në shoqëritë tona më të atomizuara dhe të individualizuara, ndaj janë tretur keq rrjetet shoqërore që dikur ofronin mbështetjen. Paradoksi është se gjithashtu jetojmë në shoqërinë që çmon rininë dhe kulturën rinore, dhe megjithatë çelësat e pushtetit politik ua japin udhëheqësve të moshuar.

Këto paradokse lindin sepse gerontokracia moderne është produkt i shoqërive në të cilat fuqia, si dhe pasuria, grumbullohen brenda familjeve të caktuara dhe brenda një klase të caktuar në të cilat sistemet politike sklerotike janë krijuar për të minimizuar ndërhyrjen nga të huajt.

Në libri e tyre të ardhshëm mbi “krijimin dhe ribërjen e elitës britanike”, I lindur për të sunduar [Born to Rule], sociologët Aaron Reeves dhe Sam Friedman vërejnë se pavarësisht nga të gjitha bisedat për transformimin e elitave dhe “elitave të reja”, rendi sundues riprodhon veten në të njëjtën mënyrë si një shekull më parë, dhe se ka shumë “vazhdimësi kur bëhet fjalë për atë se kush hyn në elitë dhe se si arrin atje”. Sigurisht, grupet e reja shoqërore – veçanërisht gratë dhe pakicat etnike – kanë marrë privilegje të niveleve të larta në Britani. Por, siç theksojnë Reeves dhe Friedman, ata që kanë lindur në një përqindëshin më të lartë kanë po aq gjasa për të hyrë sot në elitë siç kishin edhe 125 vjet më parë. Të njëjtat familje, shkolla dhe institucione, formojnë klasat qeverisëse të vendit. Në mënyrë të pashmangshme, ajo tashmë i lë të vjetrit të ngulitur në pasuri dhe në fuqi duke zotëruar përparësi të mëdha.

Në të njëjtën kohë, sistemet politike të cilat u krijuan për të sjell transformimin demokratik, janë shndërruar në struktura në të cilat mbi të gjitha rëndësi ka stabiliteti, dhe të cilat janë krijuar për të minimizuar përçarjen politike. Nga sistemi i parë i Britanisë së Madhe, te përdorimi i raundeve të dyta në zgjedhjet franceze për të maksimizuar çdo votë kundër partive kryengritëse, te një Senat i ShBA-së që shteteve rurale me popullsi më të rrallë ua siguron përfaqësimin e barabartë me shtetet e mëdha me popullsi të konsiderueshme urbane, sistemet politike dhe zgjedhore krijojnë gardhe për mbrojtje kundër të huajve kërcënues.

Frika e Plutarkut se të rinjtë e stuhishëm do të “merrnin turr me kokë në punët publike, duke tërhequr bashkë me ta turmën në konfuzion po si në një det të stuhishëm”, ende i përndjek shumë njerëz, megjithëse sot tmerri nuk është aq shumë për të rinjtë sesa për liderët “populistë”. Përpjekjet për të minimizuar përçarjen, gjithashtu ua mundësojnë liderëve të vjetër të kapen pas pushtetit. Këtë proces e ilustrojnë mirë makineria që ia mundësoi Bidenit të mbetet kandidat presidencial i demokratëve, pavarësisht shqetësimeve për moshën e tij, e po ashtu edhe vështirësitë që hasin kritikët e tij të brendshëm për ta zëvendësuar atë.

Në Perëndim (megjithëse jo domosdo diku tjetër në botë), ndryshimet demografike, në veçanti popullsia në plakje, luajnë rol të rëndësishëm në mbajtjen e fuqisë së të vjetërve. Megjithatë, përtej demografisë qëndron politika.

Gerontokracia është kushëriri i plutokracisë. Problemet me të cilat përballemi nuk janë kryesisht ato të të moshuarve kundër të rinjve, apo e një luftë të brezave, por e klasës dhe e pushtetit, rrënjosjes së pasurisë dhe përpjekjeve për të margjinalizuar të huajt kryengritës. Teksa Britania ia jep fundin 14 viteve të sundimit konservator dhe atë në vitin kur gjysma e globit shkon në votime, ne duhet të shqetësohemi më pak për gerontokracinë si sistem dhe më shumë për arsyet themelore që mbështesin të vjetrën në pushtet – qoftë të moshuarit apo idetë e vjetra. /Telegrafi/