Ballina Aktuale Nesër përfundon afati, Kosova e Serbia i çojnë në Bruksel idetë se...

Nesër përfundon afati, Kosova e Serbia i çojnë në Bruksel idetë se si të zbatohet Marrëveshja Bazike

SHPËRNDAJE

Nesër përfundon afati që iu dha Kosovës dhe Serbisë për t’i dërguar në Bruksel komentet e tyre mbi një plan sekuencimi për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilën kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandar Vuçiq u morën vesh vitin e kaluar. Serbia e kërkon Asociacionin, ndërsa Kosova njohjen de fakto. Marrëveshja ka mbetur pa u zbatuar, ndërsa BE-ja po kërkon ta gjejë një mënyrë që kjo të ndodhë. Daniel Serwer nuk sheh gatishmëri për këtë nga asnjëra palë.

Qeveria e Kosovës mund t’i ketë dërguar sot në Bruksel komentet e saj mbi planin e sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Në takimin e fundit ndërmjet kryenegociatorëve Besnik Bislimi e Petar Petkoviq më 2 korrik, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, kërkoi nga palët që t’i dërgojnë komentet e tyre deri më 18 korrik.

Klisman Kadiu, këshilltar i Bislimit, tha të martën se Qeveria do t’i dërgojë komentet brenda afatit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i dorëzojë komentet e saj me shkrim mbi dokumentin e planit të sekuencimit, brenda kohës së paraparë, pra 18 korrikut, sipas kërkesës së emisarit Lajçak”, tha ai për Kohën.

Kadiu tha se vitin e kaluar dhe këtë vit, Kosova “ka paraqitur propozime konkrete dhe komente për secilën pikë, të versioneve të planit të sekuencimit, duke dëshmuar konstruktivitetin, si dhe gatishmërinë e vullnetin për zbatim të marrëveshjeve”.https://zeri.info/inarticle.html

“Që marrëveshjet të zbatohen në plotni, duhet po e njëjta qasje dhe nga pala tjetër, gjë e cila deri më tash, fatkeqësisht ka munguar”, tha ai.

Në bazë të komenteve që do të dërgohen prej të dyja palëve, ndërmjetësit evropianë do ta nxjerrin një propozim të ri për zbatimin e marrëveshjes, siç tha Bislimi më 2 korrik.

Atë ditë, Bislimi dhe Petkoviq qëndruan në Bruksel deri vonë. Atje kishin shkuar për ta gjetur një zgjidhje për mënyrën e zbatimit të Marrëveshjes Bazike.

Takimet e ndara me Lajçakun e më pas takimi i përbashkët trepalësh nuk prodhuan ndonjë dakordim.

Për rreth shtatë orë u diskutuan një sërë çështjesh, ndërsa Lajçaku tha se ishin pajtuar “për një numër të hapave të ardhshëm”.

Bislimi tha se pala serbe ishte e interesuar të diskutonte vetëm për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Petkoviq pranoi se kishte këmbëngulur në atë çështje, të cilën ai e quajti “thelbësore për mbijetesën e serbëve dhe procesin e normalizimit”.

Një javë pas atij takimi, Lajçaku shkroi në Facebook se nuk ishte arritur ndonjë përparim.

“Fatkeqësisht, nuk arritëm të bëjmë përparim në tablonë e madhe – zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit”, shkroi ai, megjithëse përsëriti se ishin dakorduar për hapa konkretë “për disa çështje praktike”.

Takimit të kryenegociatorëve i kishte paraprirë një udhëtim i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel. Më 26 qershor ata u rikthyen në kryeqendrën europiane dhe pavarësisht se BE-ja paralajmëroi se ata do të merrnin pjesë në takime të ndara me shefin e diplomacisë europiane, Josep Borrell, pasuar nga një takim trepalësh, kjo e dyta nuk ndodhi.

BE-ja i organizoi takimet me Kurtin e Vuçiqin për të analizuar, siç u tha, atë që është arritur në dialog nën udhëheqjen e Borrellit dhe për “rrugën përpara”.

Kurti e Vuçiqi nuk u ulën përballë njëri-tjetrit për të diskutuar për mënyrën e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve të arritur më 27 shkurt 2023 dhe për aneksin e zbatimit të saj të 18 marsit 2023.

Për profesorin amerikan në universitetin “John Hopkins”, Daniel Serwer, është shumë e qartë se as Kosova dhe as Serbia nuk janë të interesuara për normalizimin e marrëdhënieve.

“Mendoj që është krejt e qartë që as autoritetet e Serbisë e as autoritetet e Kosovës nuk janë të gatshme për normalizim të marrëdhënieve. Qëllimi i dialogut do të duhej të ishte një zgjidhje e përhershme ligjore mes Kosovës dhe Serbisë. Por që është e qartë se ende nuk jemi të gatshëm për një gjë të tillë”, tha ai të martën në RTK.

Lajçaku ishte për vizitë në Prishtinë dhe Beograd para se Kurti dhe Vuçiq të ftoheshin për të shkuar në Bruksel. Ai tha se kishte ardhur për “mënyrën e ripërqendrimit në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe çfarë hapash konkretë do të ndërmarrim”.

Mandati i tij si i dërguar për dialogun është zgjatur deri në janar 2015. Ai tha se ka ende punë për të bërë.