Ballina Opinione Frika më e madhe e Putinit po bëhet realitet – dhe ai...

Frika më e madhe e Putinit po bëhet realitet – dhe ai është në panik

SHPËRNDAJE

Nga: Mark Almond / The Independent (titulli në anglisht: Putin’s greatest fear is coming true – and he’s panicking)

Gjatë gjithë luftës së saj me Rusinë, Ukraina ka dëshmuar aftësinë e jashtëzakonshme për të zënë në befasi pushtuesin e saj shumë më të madh. Që nga zmbrapsja e sulmit të Rusisë në shkurt të vitit 2022, ukrainasit kanë dhënë goditje morale ndaj armikut të tyre.

Inkursioni i papritur i javës së kaluar në territorin rus është, megjithatë, shumë më dramatik sesa grushtet e mëparshme në Ukrainë. Kjo ndodhi pasi komentatorët ushtarakë perëndimorë ishin të pajtimit se Vladimir Putini po e fiton luftën brutale të shkatërrimit të fqinjit të tij më të vogël, ndoshta duke e detyruar Ukrainën që – në muajt e ardhshëm – të pranojë kërkesat e tij. Pra, nga ngjarjet e fundit, Perëndimi ishte po aq i befasuar sa edhe Kremlini.

Në një fjalim të së dielës, lideri rus e akuzoi Ukrainën për thyerjen e “të gjithë kufijve të lejueshëm”, pasi ata rrëmbyen deri në 95 milje katrorë [246 kilometra katrorë] tokë dhe detyruan mijëra civilë që të evakuohen gjatë këtij procesi. Sot, në mëngjes [e hënë], tymi i zi është parë duke dalë me vrull nga termocentrali bërthamor i pushtuar nga Rusia, Zaporizhia – Rusia dhe Ukraina akuzojnë njëra-tjetrën për shkaktimin e zjarrit.

Ka frikë se Putini i poshtëruar do të fillojë me sulmet e gjera hakmarrëse kundër Ukrainës, pasi u zotua se do të “marr masa të ashpra reagimi” ndaj sulmit gati njëjavësh ndërkufitar të Kievit.

Skeptikët e zotësisë strategjike të përparimit dramatik të Kievit, këtë priren ta shohin më pak si ndryshim loje e më shumë si përplasje në fushëbetejë – si Ofensiva e Ardenit [në Belgjikë] e Hitlerit, me sulmin dhjetëditor kundër Aleatëve gjatë Krishtlindjes së vitit 1944, por që në fakt shteroi atë që kishte mbetur prej rezervave të ushtrisë së tij.

Megjithatë, duke rrëmbyer një pjesë të territorit në vetë Rusinë perëndimore, Kievi ia ka dhënë goditjen e rëndë imazhit propagandistik të Putinit brenda Rusisë – dhe prezantimit të tij të përparimit të luftës brenda Ukrainës.

Avancimi prej gjashtë miljeve në javë [9.65 kilometra] mund të mos tingëllojë si blickrig, por rusët do të ishin shumë të lumtur po ta arrinin atë ritëm në jug, ku në muajt e fundit kanë sulmuar me ritmin e kërmillit dhe me çmim të madh – disi si në Somë [Francë] në vitin 1916.

Lufta e zgjatur e favorizon Kremlinin, sepse ka më shumë mish për top se Kievi për të hedhur në kazanin ukrainas.

Janë të tmerrshme viktimat e pësuara nga të dyja palët, madje edhe sipas standardeve të luftës brutale çeçene të Putinit pas vitit 1999. Pavarësisht kostos njerëzore, as Ukraina dhe as Rusia nuk janë mobilizuar plotësisht për luftë si gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Këshilltarët e NATO-s e dënojnë mungesën e mobilizimit masiv të të rinjve të moshës studentore në Ukrainë, teksa baballarët e tyre po vdesin në front. Megjithatë, Putini gjithashtu ka preferuar të tërheq të rinjtë nga rajonet shumë larg qyteteve të ndjeshme si Moska dhe Shën Petersburgu.

Në vend të një lufte deri në fund, si Lufta e Dytë Botërore, nga ky kaos Ukraina dhe Rusia mund të manovrojnë për kompromis paqeje – që do të shpëtonte fytyrën e Putinit dhe të Zelenskyt.

Suksesi i kësaj jave në fushën e betejës, mund t’ia japë presidentit Zelensky justifikimin për bisedimet e paqes, nga pozicioni i papritur i fuqisë. Në javët e fundit, qeveria e tij ka folur në heshtje me miqtë e Rusisë, si Kina dhe Turqia, për një armëpushim të mundshëm e madje edhe për kushtet e paqes.

Zelensky do të kujtojë se si u përball me rebelimin virtual përpara kësaj lufte aktuale, kur pesë vjet më parë sugjeroi bisedimet me Putinin. Shumë nga trupat e tij dhe të vejat dhe jetimët e të vdekurve të luftës që nga viti 2022, do të indinjoheshin nga “shitja”, por ndoshta ata mund ta pranojnë ndaljen e “ndershme” të luftës për shkak të suksesit ukrainas në fushëbetejë.

Ka shumë biseda të tjera për t’u bërë – jo më pak se gjendja e tubacionit të gazit, ndikimi ekonomik i konfliktit të vazhdueshëm dhe nëse shkëmbimet territoriale janë në agjendë.

Kontrolli i Putinit mbi mediat ruse nënkupton se ai mund të shpall fitoren dhe të ndal luftën.

Dritarja e ngushtë e mundësive për të ndalur masakrën në Ukrainë, mund të hapet nëse si Kremlini, njashtu si Kievi, i shohin përfitimet nga paqja e pakënaqshme. Mund të jetë vetëm armëpushim, por për shumë ushtarë të zakonshëm nga të dyja anët do të ishte shpëtim.

A duket paqja në horizont? Mjerisht, jo njëherë. Por, tronditja e kësaj jave mund t’ia japë Putinit pauzën për të menduar. Forcat e tij nuk po përparojnë mjaftueshëm shpejt, ndërkohë që mbështetja perëndimore për Ukrainën është ringjallur në muajt e fundit.

Mund të ngec përsëri nëse Donald Trumpi fiton zgjedhjet presidenciale në ShBA. Megjithatë, nëse Trumpi humb, Putini do të përballet edhe me katër vite të tjera të luftës “së të tjerëve” të udhëhequr nga ShBA-ja kundër Rusisë. /Telegrafi/Përkthimi: Telegrafi.com