Ballina Aktuale Fshatari shqiptar në Evropë dhe në Amerikë!

Fshatari shqiptar në Evropë dhe në Amerikë!

SHPËRNDAJE

Nga Ibadete Arifi

(Rreth imigrimit dhe pasojave të tij mbi shoqërinë shqiptare)

William Isaac Thomas dhe Florian Znaniecki kanë qenë ndër sociologët e parë të cilët studiuan imigrimin dhe pasojat e tij në shoqërinë amerikane, me një qasje etnografike (të punës në terren) dhe duke vënë në piedestal dimensionin subjektiv të sjelljeve të imigrantëve. Fshatari polak në Evropë dhe Amerikë është vepra në të cilën këta të fundit e shqyrtojnë çështjen e qëndrimit [attitude] të individëve, çrregullimit dhe demoralizimit të shoqërisë kur ajo preket nga imigrimi (respektivisht emigrimi).

Në fillim, sipas tyre, qëndrimi dhe sjelljet e një individi varen nga kushtet e jetës dhe nga subjektiviteti i individit në fjalë. Thomas dhe Znaniecki distancohen në mënyrë radikale prej ideve të cilat pohojnë se qëndrimi, pra sjellja e njeriut, shpjegohen ekskluzivisht në bazë të determinizmave biologjikë (të cilët u shërbyen shumë grupimeve raciste për të hierarkuar njerëzit në bazë të racës). Pra, mekanizmat biologjikë, siç është instinkti, nuk pasqyrojnë aspak tërësinë e veprimeve të një personi përballë një situate të jashtëzakonshme siç është vetë imigrimi. Qëndrimi dhe sjellja janë të krijuara dhe të gdhendura prej eksperiencës sociale.

Pastaj, imigrimi provokon te pjesëtarët e një shoqërie një mutacion të qëndrimit, një çrregullim së pari familjar e pastaj shoqëror. Kjo ndodh sepse gjatë këtij procesi humbet influenca e rregullave dhe normave që e karakterizojnë shoqërinë të cilës këta i përkasin. Transformimet ekonomike, sociale dhe kulturore (ndryshimet në strukturën e shoqërisë dhe krizat) çojnë në çrregullime të tilla. Këto çrregullime janë burimi i asaj që mund të quhet tragjedia e imigrimit: demoralizimi i individëve të shoqërisë.

Vijon me radhë demoralizimi i imigrantëve që ndodh kur atyre iu imponohet një asimilim i kushtëzuar i cili çon te një destabilizim i kulturës dhe traditave të tyre kur duhet sakrifikuar të diturat (të cilat për imigrantët janë në teori të patundshme) për t’u shkrirë në masën e shoqërisë së re. Ky demoralizim është i shoqëruar në veçanti me një mjegull injorance dhe moskuptimi apo paaftësie për të kapur qartazi caqet e gjendjes shpirtërore.

Kur i pyes familjarët e mi se cila është pjesa më dërrmuese e imigrimit, përgjigjet janë të ndryshme. Çështja e parë e cila veçohet është gjuha. Duhet mësuar gjuhën e huaj për t’u asimiluar në shoqërinë e re. Çështja e gjuhës është themelore, sepse gjeneratë më gjeneratë, gjuha çdo herë e të lehtë harrohet. E, mua shpesh më ka ndodhur të përdor fjalë franceze gjatë diskutimeve me shoqërinë, fjalë këto të cilat janë pritur me gaz, qeshje dhe nganjëherë përbuzje – me ose pa dashje.

Si pasojë, krijohet një gropë mes grupeve në shoqërinë shqiptare, së pari në bazë të kritereve sociale e pastaj gjeografike. Në kohët e fundit, së pari vihet në pah qartazi ky digresion mes gjeneratave të reja dhe të vjetra saqë jepet përshtypja që të dy këto nuk arrijnë fare të merren vesh njëra me tjetrën. E, pastaj, prej një perspektive gjeografike, shqiptarët ndahen sërish në dysh, ata që jetojnë e punojnë jashtë vendit dhe ata që janë brenda. Për ta luftuar përçarjen e vazhdueshme dhe për të siguruar kohezionin shoqëror, duhet reflektuar më shumë rreth imigrimit dhe konsekuencave të tij.

Në përfundim, ndoshta ajo që na duhet neve si shoqëri do të ishte një version shqiptar i veprës Fshatari polak në Evropë dhe në Amerikë. Përse vallë të mos e quajmë Fshatari shqiptar në Evropë dhe në Amerikë. Megjithatë, duhet të kuptojmë që imigrimi shkakton ndryshim te sjelljet e imigrantëve, tërheqjen e tyre në vete, vuajtje, nervozë, ankth, depresion dhe traumatizma të cilat nuk harrohen lehtë, njësoj siç e kuptuan këtë gjë Thomas dhe Znaniecki. Janë të shumtë shqiptarët të cilët përjetuan dhe përjetojnë këto gjendje shpirtërore dhe për shkak të stigmës dhe normave sociale askush nuk i merr në konsideratë. Shumë familje shkatërrohen dhe shumë të rinj e humbin qëllimin.

Pra, edhe imigrimi, si çdo çështje tjetër, kërkon një angazhim, një reflektim të sinqertë që të mund t’ju ndihmojmë atyre me nevojë, që të mos humbasin thelbin e qenies. I ftoj të gjithë ata të cilët përjetuan pasojat e imigrimit, të flasin hapur me të tjerët për eksperiencën e tyre. Kjo gjë kërkon guxim.