Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se nëse BE-ja vazhdon izolimin e Kosovës, do të shqyrtohet mundësia për veprime institucionale apo referendume për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Thaçi, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se ideja për korrigjimin e padrejtësive historike për bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Kosovës kurrë nuk ka qenë më e sensibilizuar deri më tani.
“Edhe në takimin e Berlinit as që është mbyllur ndonjë ide, por as që është prezantuar ndonjë alternativë e re. Diçka të tillë do të vazhdojë të prezantojë”, tha ai.
Presidenti i Kosovës ka thënë se pas vonesave që Bashkimi Evropian po i bënë Kosovës ka ardhur koha të mendohet seriozisht për ndërmarrjen e hapave institucional për bashkim kombëtarë.
“Këtë mund ta bëjmë çoftë përmes rezolutave në kuvendet e dy vendeve tona, apo përmes referendumeve në Kosovë dhe Shqipëri, gjithmonë duke përfshirë edhe Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin”, tha ndër të tjera Hashim Thaçi.