Ballina Lajme Rënia e diktatorit, sot 30 vite nga rrëzimi i bustit të Enver...

Rënia e diktatorit, sot 30 vite nga rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës

SHPËRNDAJE

Kjo është një foto historike e cila dëshmon rrëzimin e përmendores se diktatorit Enver Hoxha, që shënoi edhe fundin e komunizmit në Shqipëri. 

Plot 30 vjet nga kjo dite, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë ka hapur ekspozitën “Rënia e një diktatori” në kuadër të aktiviteteve për  “Ditët e kujtesës”.

Ekspozita e cila do të jetë e vendosur në afërsi të Muzeut Historik Kombëtar sjell informacione të njohura dhe pak të njohura, nga vendimi për ngritjen e monumentit e deri në rrëzimin e tij si edhe dokumenton, zhvillimet e atyre ditëve.

Ambasadori gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf, nxiti krijimin e një kulturë të përkujtimit të viktimave të diktaturës
Viktimat e diktaturës kanë të drejtën të mbahen mend. Është e rëndësishme të kujtojmë historinë e secilit dhe të ruajmë vendet e ngjarjes si vende përkujtimore.

Një kulturë aktive e përkujtimit është gjithashtu e rëndësishme, në veçanti për të sensibilizuar të rinjtë për faktin se paqja, pluralizmi demokratik, toleranca dhe pranimi nuk janë dhe nuk kanë qenë marrë si të mirëqena në historinë e Evropës”, u shpreh ambasadori gjerman në Shqipëri Peter Zingraf.

Më 20 shkurt të 1991, mijëra qytetarë u ngritën për të shembur simbolin e komunizmit vetëm pak muaj pasi regjimi i vjetër kishte nisur të lejonte pluralizmin politik.

Greva e urisë e qindra të rinjve në qytetin “Studenti” në dhjetor 1990, pasoi me një varg ngjarjesh dhe aktesh kundër sistemit monist, që kulmuan me rrëzimin e shtatores së Hoxhës. Kjo ngjarje vulosi dhe shembjen e diktaturës së fundit komuniste në Evropë.