Dje, në një aksion të përbashkët midis përfaqësuesve të Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjës (BIPBM) dhe përfaqësuesve të Fondacionit “ALSAR”, nga Shqipëria, përkatësisht të një donacioni nga Holanda, u bë shpërndarja e materialit shkollor: çanta, fletore, kompasë, lapsa, vizore etj, nëpër shkollat e Komunës së Bujanocit dhe Preshevës.
Jetapress, mëson se edhe sot aksioni për realizimin e projektit vazhdon në pesë shkolla fillore, në vlerë prej 9200 euro, ku me ç’rast janë blerë 1049 çanta brenda të cilave janë vendosur nga 5 fletore, 4 lapsa, 1 kimik, 1 kompas dhe nga një komplet me vizore për çdo nxënës të klasave të dyta e të treta veç e veç.
Ky donacion ishte i mirëpritur nga nxënësit dhe drejtorët e shkollave në Luginë të Preshevës, të cilët me kënaqësi i pranuan dhuratat, duke i falënderuar nga zemra për mirësinë që kanë treguar në drejtim të këtyre ndihmave shumë të nevojshme për procesin arsimor.
Kjo është ndihma e parë konkrete e Fondacionit për arsim dhe kulturë “ALSAR”, nga shteti amë Shqipëria, e cila përmes donacionit nga Holanda, po realizon projektin ndihmë shkollave me pajisje shkollore, me shpresë se në të ardhmen nuk do të mungojnë ndihmat e tilla edhe në fusha te tjera të veprimtarisë njerëzore.
Myftiu i Luginës së Preshevës, Nexhmedin ef. Saqipi, mysafirët e misionit humanitar nga Shqipëria e Holanda, i priti në mënyrë vëllazërore, duke i falënderuar për ndihmën që kanë ofruar për shkollat e këtij rajoni, të cilat kanë nevojë për ndihma dhe përkrahje morale. Me këto ndihma jepet një mesazh i fortë se qytetarët e Luginës, nuk janë të harruar nga miqtë tanë ndërkombëtarë dhe një shpresë e mirë për të mos i braktisur vatrat e tyre, të goditura nga skamja dhe mjerimi ekonomik, njofton jetapress.