Të mërkurën është ndërprerë seanca për votimin e Demarkacionit, duke e shtyrë atë për ditën e hënë, më 5 mars. Sipas mediave vendore, tashmë janë siguruar 80 votat e nevojshme për të kaluar kjo marrëveshje. Megjithatë, nëse një gjë e tillë nuk bëhet, do rrezikohet shtyrja edhe më tej e procesit të liberalizimit të vizave.
Duke u bazuar në praktikat e vendeve tjera të Evropës Perëndimore që kanë gëzuar procesin e liberalizimit të vizave, procesi i vendimmarrjes merr kohë prej 3 deri në 6 muaj. Por, për ta zërë hapin sa më shpejt, Kosova duhet të përshpejtojë dhe të futet në agjendën e mbledhjes së Këshillit Evropian që do të mbahet në këtë muaj. Për shkak të shtyrjes së ratifikimit të Demarkacionit tash e sa kohë, Kosova po rrezikon ta humb edhe këtë afat, duke bërë kështu të shtyhet të paktën për tre muaj fillimi i procesit të vendimmarrjes.
Njohësi i çështjeve të Integrimeve Evropian, profesor në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti ka thënë se nëse nuk përshpejtohen hapat për përmbushjen e kritereve, e keqja do të bëhej edhe më e madhe.