Ballina Aktuale KFOR-i stërvitet me armë të vërteta, monitoron edhe vijën kufitare

KFOR-i stërvitet me armë të vërteta, monitoron edhe vijën kufitare

SHPËRNDAJE

Forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë, KFOR, kohëve të fundit po njofton më shpesh në lidhje me aktivitetet e veta në terren.Vetëm gjatë ditës së sotme, në faqen zyrtare në Facebook, ky mision ka publikuar 3 aktivitete.

Njëri nga ta ka të bëjë me një stërvitje me armë të vërteta, tjetri me monitorim të vijës kufitare të Kosovës dhe i treti me një aktivitet bamirës në Komunën e Novobërdës.

“Anëtarët e Komisionit të Përbashkët Zbatues të Komandës Rajonale në Lindje të misionit KFOR të udhëhequr nga NATO kryen një patrullë ajrore për të monitoruar situatën përgjatë vijës kufitare administrative. Këto aktivitete ndihmojnë në promovimin e sigurisë së qëndrueshme për të gjitha komunitetet lokale dhe për të konsoliduar stabilitetin rajonal”, ka shkruar KFOR-i në njoftim.

Image

Ndërkaq, postimi tjetër tha: “Njësia e Specializuar Shumëkombëshe e misionit KFOR të udhëhequr nga NATO zhvillon një stërvitje me gjuajtje të vërteta në Prishtinë. Kjo pjesë e trajnimit të rregullt u krye nga personeli i KFOR-it për të testuar procedurat dhe për të ruajtur standardet më të larta të efektivitetit operacional”.

Image

E në Novobërdë, KFOR-i në njoftim tha: “Personeli i Ekipit të Monitorimit Ndërlidhës i caktuar në Komandën Rajonale në Lindje të misionit KFOR të udhëhequr nga NATO i dhuroi pajisje mjekësore Klinikës së Paralovës, në komunën e Novobërdës. Donacioni është bërë me mbështetje financiare nga Danimarka”.

KFOR-i dhuron pajisje mjekësore Klinikës së Paralovës, në komunën e Novobërdës. Foto | KFORhttps://zeri.info/inarticle.html

Misioni i KFOR-it gjatë ditës njoftoi edhe për një aktivitet tjetër, përmes një komunikate për media, duke njoftuar se do të marrë pjesë në një stërvitje të përbashkët me EUFOR-in në Bosnjë.

Nga data 25 gusht deri më 13 shtator 2024, njësitë e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO do të marrin pjesë në stërvitjen e Forcave të Bashkimit Evropian (EUFOR) në Bosnjë dhe Hercegovinë, “Përgjigje e Shpejtë 2024”.

Në njoftim thuhet se “ky është një tjetër demonstrim i prekshëm i bashkëpunimit të NATO-s dhe BE-së në mbështetje të stabilitetit rajonal”.

Më tej, theksohet se mund qytetarët mund të shohin lëvizje të shtuara të automjeteve të KFOR-it nëpër rrugë.

“Personeli dhe asetet e KFOR-it do t’i bashkohen zonës së stërvitjes me transport tokësor. Kështu, banorët vendas mund të presin të shohin një rritje të trafikut rrugor, duke përfshirë përgjatë rrugëve kryesore dhe në pikat e kalimit”, ka njoftuar KFOR-i. 

Image