Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc, ka përshëndetur formimin e Shoqatës së Gazetarëve “Etika” për Luginën e Preshevës, duke e vlerësuar atë si një nismë të mbarë në rrugën e zhvillimit, promovimit dhe afirmimit të gazetarisë shqiptare në këtë rajon.
Themelimi i Shoqatës së Gazetarëve “Etika”, në Luginë të Preshevës, vjen në momentet e qëlluara, kur jeta e informative dhe e gazetarëve, nuk ka qenë si sot kurrë më e vështirë, më e zorshme dhe më problematike.
Privatizimi i medieve në Serbi, solli në krizë dy mediume elektronike, që kishin për themelues kuvendet komunale në Bujanoc dhe Preshevë: RTV “Bujanoci” dhe RTV “Presheva”, pamundësoi jetësimin e RTV “Lugina”, nismë e Këshillit Nacional, duke lënë në rrugë me qindra gazetarë, pa mbikëqyrje institucionale.
Qëllimet e Shoqatës së Gazetarëve “Etika”, janë: Promovimi i gazetarisë së lirë, të pavarur, hulumtuese dhe profesionale; Krijimi dhe miratimi i një kodi profesional të sjelljes për të rritur ndërgjegjësimin te gazetarët për një etikë profesionale; Promovimi i të drejtave sociale të gazetarisë; Promovimi i solidaritetit brenda rrethit të anëtarëve, si dhe përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të tyre me institucionet e tjera; Kontribuon në ndërtimin e infrastrukturës së mediave; Demokratizimi në fushën e mediave; Krijimi dhe realizimi i krijimtarisë në media; Veprimi drejt krijimit të një shoqërie të lirë dhe të hapur, zhvillimi i vetëdijes qytetare për shprehjen e lirë të gazetarëve dhe parimet demokratike; Bashkëpunim aktiv me të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe qeveritare dhe shoqatat e qytetarëve në fushën e gazetarisë dhe medias.
Gjithashtu, për të arritur qëllimet e saj, Shoqata në veçanti angazhohet: Për organizimin e kurseve për trajnimin e gazetarëve për zhvillimin e një niveli profesional të gazetarisë; Organizimi i debateve, konferencave, tryezave të rrumbullakëta, seminareve dhe formave të tjera të aktiviteteve për promovimin e shprehjes së lirë dhe informacionit; Mbrojtja e të drejtave të gazetarëve; Hapë Portale dhe medie të tjera të shkruara; Grumbullon dhe përpunon literaturë shkencore dhe profesionale në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional (sidomos të rinjve) në përputhje me trendet bashkëkohore botërore në fushën e medies, kulturës, sportit etj; Organizon, vetëm ose në bashkësi me organizata të tjera, takime profesionale, konsultime, seminare dhe forma të tjera të edukimit në fushën e informimit dhe krijimtarisë së të rinjve dhe grave; Boton libra dhe botime të tjera për çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave universale të njeriut.
Duke i parë këto qëllime dhe objektiva, të cilat i ka për mision Shoqata e Gazetarëve “Etika”, në Luginë të Preshevës, vijmë në përfundim se, më në fund, lindi një zëdhënëse për gazetarët dhe gazetarinë e këtij rajoni, të cilët pa dashjen e tyre u vunë në një krizë, për të mos e ushtruar misionin e tyre të lirë dhe pa pengesa.
Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc, duke përgëzuar licencimin e Shoqatës së Gazetarëve “Etika” për Luginën e Preshevës, uron që drejtuesit e saj, e veçmas drejtoresha Ardita Behluli, të kenë suksese e mbarësi në këtë sferë nga më të ndjeshmet të shoqërisë sonë./perspektivapress/