Ballina Lajme Thaçi: Një marrëveshje të paqes ua kemi borxh gjeneratave të reja

Thaçi: Një marrëveshje të paqes ua kemi borxh gjeneratave të reja

SHPËRNDAJE

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se një marrëveshje të paqes me Serbinë ua kemi borxh gjeneratave të reja. 

Ai ka folur të enjten në RTK nga Davos, ku po merr pjesë në forum.

Thaçi ka thënë se nuk e harrojmë të kaluaren, por duhet të mendojmë për të ardhmen.

“Unë shoh me shpresë dhe optimizëm se gjërat do të shkojnë në drejtim të duhur, do të shkojnë drejt një vazhdimësie të dialogut me shtetit tonë dhe Serbisë. Është inkurajuese konfirmimi i takimit të Delegacionit shtetëror dhe të autoriteteve të BE-së për të martën e ardhshme në Bruksel. Mendoj se ky është një hap serioz dhe ky delegacion do ta ketë mbështetjen time të plotë. Unë shpresoj dhe punoj që të arrihet marrëveshje në të ardhme jo të largët mes Kosovës dhe Serbisë, një marrëveshje kjo gjithëpërfshirëse, që do të përfundojë me ulëse në OKB të Kosovës dhe me njohje të Kosovës nga Serbia”, ka thënë ai. “Mendoj që pastaj do të hapen mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik, për sjelljen e investitorëve të fuqishëm dhe serioz nga bota në Kosovë, sepse do të vazhdojmë për të krijuar një klimë edhe më të mirë për investime, legjislacion edhe më të sigurtë”.

Thaçi ka theksuar se asnjë rrethanë s’duhet të cenojë raportet me SHBA-në dhe BE-në.

Sipas tij, Kosova s’ka alternativë tjetër pos të ardhmes euro-atlantike.