Ndarja nga jeta e kolosit të letrave shqipe, Dritëro Agolli, ka prekur thellë edhe Myftiun Nexhmedin ef. Saqipi, i cili me një telegram ngushëllimi i drejtohet familjes Agolli, institucioneve dhe gjithë shqiptarëve kudo që gjenden ata, për humbjen e një njeriu të madh të kulturës shqiptare.
“Para disa muajve, pata rastin të takohem me personalitetin e kulturës shqiptare, Dritëro Agollin. Meqenëse ishte i sëmurë dhe nuk pranonte vizitorë në shtëpi, kur dëgjoi se jemi nga Lugina e Preshevës, me kënaqësi na ftoi në konakun e tij. Duke biseduar rreth Luginës së Preshevës, tha se jemi lodhur, duke u ndarë në shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë dhe Luginës, t’i biem shkurt: Shqiptarët e këndej dhe matanë Drinit”, kjo është formula jonë shqiptare.
Gjatë bisedës së ngrohtë miqësore edhe pse nga jashtë bënte të ftohtë, poeti ynë i madh i letrave shqipe Dritëro Agolli, me kënaqësi e recitonte poezinë e Ndre Mjedës “Dimni”:
Po vjen dimni me kosë në dorë
Gjeth e bar i ka kositë
Qet ballkoni pjalm me borë
Plak shkreta tue mërdhitë
I thotë vedit me za pak
Struku, struku i shkreti plak…
Myftiu i Luginës, Nexhmedin ef. Saqipi e përmbyll telegramin ngushëllues me konstatimin se ikja e njerëzve të mëdhenj nga kjo botë si Dritëroi, është mungesë e pazëvendësueshme për të gjallët, të cilët do t’i kujtojnë ata përmes veprave të tyre, përgjithmonë. Zoti e bekoftë dhe e mëshiroftë!/jetapress/