Ballina Opinione SHPIFJA DHE FYERJA

SHPIFJA DHE FYERJA

SHPËRNDAJE

Portali informativ “Jetapress”, nga Bujanoci, lidhur me shpifjet e fundit, që vijnë në tregun medial shqiptar të Luginës së Preshevës dhe më gjerë në hapësirat e etnikumit shqiptar e të cilat me tendencë përziejnë punët e fesë, me të politikës dhe kombit, ka një përgjigje profesionale. Kjo dukuri e cila  parqet mjerimin e një filozofie degraduese s’ka se si të mos lidhet me fjalën e urtë popullore “Shpifja është arma e të ligut!” dhe s’ka se të mos kuptohet më mirë se sa te komenti i gazetës  “Shqiptarja.com”.

“Jetapress” për lexuesit e saj ka shkëputur disa thekse nga ky koment, i cili ia vlen të lexohet dhe të komentohet, posaçërisht disa individë të caktuar, që për interese të ngushta partiake apo financiare i fusin hundët aty ku s’duhet:

“Shqiptarja.com” botoi një koment nën titullin “Fyerja dhe shpifja, edhe ligjërisht të dënueshme”, ku bëhej fjalë për domosdoshmërinë e zhdëmtimit të dëmit moral që i vjen individit në kushtet e shoqërisë shqiptare nga veprat e fyerjes dhe shpifjes, të cilat prej dy dekadash janë bërë të modës midis nesh. Por, arsyeja përse po i kthehemi kësaj teme ka të bëjë me faktin që së fundmi në Tiranë u zhvillua një takim me diplomatë dhe ekspertë të organizmave evropianë, të cilët këshilluan (veç të tjerash) të kihet kujdes që për ndëshkimin mbi këto dy vepra, sidomos kur është fjala për gazetarët dhe mediet, të respektohen standardet evropiane. A është ky një preokupim i drejtë dhe legjitim?
Një argument që i kundërvihet në përgjithësi depenalizimit të fyerjes dhe shpifjes, por në veçanti punonjësve mediatikë, si edhe që ndihmon në analizën e shkurtër të këtij komenti, pa dyshim që janë parashikimet e akteve ndërkombëtare, specifikisht Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në nenin 10 të së cilës – “Liria e shprehjes dhe e informacionit” – lexojmë se: “Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose dhënë informacion ose ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë…”. Në këtë hapësirë të gjerë komunikimi me publikun, sigurisht që gjatë dy dekadave të fundit është bërë një dallim i madh me periudhën e regjimit monist, ku çdo organ i shtypit apo të gjitha mediet funksiononin nën censurën partiako – shtetërore.

Por, njëherazi me përvijimin e këtij dallimi, nuk mund të mohohet që shpesh herë është cenuar nderi dhe dinjiteti i individëve të ndryshëm. Dhe, për këtë praktikë nuk hesht Konventa. Përkundrazi, në paragrafin 2 të nenit 10 të saj, shprehet, se: “Ushtrimi i këtyre lirive (të shprehjes – shënimi ynë), që përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet disa formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara nga ligji dhe që, në një shoqëri demokratike, përbëjnë masa të nevojshme për sigurimin kombëtar, integritetin territorial ose sigurinë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për ruajtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paansinë e pushtetit gjyqësor”.

Megjithatë, vendi i privilegjuar që zënë mediat si protagoniste në jetën publike ka ardhur dhe vjen edhe si rrjedhojë e pikëpamjes së kësaj Gjykate autoritare për të gjitha vendet që kanë pranuar zbatimin e Konventës (pra, edhe Shqipëria), për rolin qendror të shprehjes politike në një shoqëri demokratike si në lidhje me proceset elektorale, ashtu edhe me problemet e përditshme me interes publik.

Në këtë kuptim, për sa i përket gjuhës së përdorur prej mediave, Gjykata ka toleruar si kritikat e ashpra dhe të vrazhda, ashtu edhe shprehjet e rënduara me kuptime figurative, të cilat kanë avantazhin e tërheqjes së vëmendjes për çështje në diskutim. Për ilustrim, në një çështje me emërtimin “Dalban”, Ajo është shprehur, se: “Liria gazetareske mbulon gjithashtu edhe replika të mundshme deri në një shkallë ekzagjerimi, madje edhe provokimi”.

Gjykata e Strasburgut mbështet, gjithashtu, edhe pikëpamjen, sipas së cilës, politikanët duhet të tregojnë më shumë tolerancë ndaj kritikave të mediave. Ajo e shpjegon aresyen e kësaj tolerance me faktin që liria e debatit politik qëndron në thelbin e konceptit të një shoqërie demokratike; kufijtë e kriticizmit të lejueshëm duhet të jenë më të gjerë për sa i përket një politikani, se sa për një individ privat, sepse ndryshe nga ky i fundit, i pari është në mënyrë të paevitueshme më i ekspozuar.

Meqë liria e shprehjes i referohet si dhënies së informacionit, ashtu edhe dhënies së mendimeve, rëndësi ka dallimi që bën Gjykata midis fakteve dhe gjykimeve vlerësuese. Ndërsa këto të fundit, pra opinionet (mendimet) janë pikëpamje ose vlerësime personale të një ngjarjeje ose situate dhe nuk janë të perceptueshme si prova për të qenë të vërteta apo jo, faktet mbi të cilat bazohen opinionet janë të mundshme për t’u provuar si reale apo jo.

Mbrojtja në mirëbesim duhet të pranohet sidomos për shpifjet që kryesisht bazohen në fakte. Për shembull, nëse në kohën e publikimit gazetari do të kishte arsye të mjaftueshme për të besuar që një pjesë e informacionit ishte e vërtetë, ai nuk mund të ndëshkohet. Nuk duhet të sanksionohet, sepse të vonosh botimin ose transmetimin, veçanërisht të kronikës (qoftë edhe të lajmit), mund ta “zhveshë” këtë nga vlerat, nga interesi publik.

Prandaj, një gazetari duhet t’i kërkohet të bëjë kontrollin (verifikimin) e duhur, si edhe t’i lejohet të pranojë në mirëbesim vërtetësinë e asaj ç’ka përfshin kronika, lajmi apo zhanre të tjera të gazetarisë. Argumenti për të “legjitimuar” këtë element ka të bëjë me mungesën e qëllimit të gazetarit për të shpifur ndaj të dëmtuarit të pretenduar. Pra, për sa kohë që gazetari beson se informacioni i paraqitur prej tij për publikim është real, një qëllim i tillë mungon dhe, kështu, qëndrimi i tij nuk duhet të ndëshkohet në bazë të klauzolave që ndalojnë shpifjet e qëllimshme./ Gazeta Shqiptarja.com/transmeton jetapress/