Ballina Aktuale Rrënimi i Xhamisë në Zemun – akt vandal shtetëror

Rrënimi i Xhamisë në Zemun – akt vandal shtetëror

SHPËRNDAJE

Lajmi i hidhur se në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, në Zemun afër Beogradit, forca të shumta policore dhe xhandarmëria, kanë rrënuar Xhaminë, në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit, ka shkaktuar zemërimin, jo vetëm të myslimanëve në Serbi e Luginë të Preshevës, por edhe më gjerë në rajon.

Portali i pavarur “Jetapress”, bënë të ditur se objekti i Xhamisë në Zemun, ka filluar të ndërtohet në vitin 2014, me iniciativë të Bashkësisë Islame e që autoritete komunale të këtij qyteti afër Beogradit, e kanë penguar për shkak mungesës së lejes për ndërtim.

Mediet në Serbi, kanë raportuar se një numër i madh myslimanësh, në mesin e tyre edhe shumë shqiptarë, nuk kanë lejuar të rrënohet shtëpia e Zotit, Xhamia, ku ata i kryejnë obligimet e tyre fetare. Ata, kanë vendosur, që në rrugë t’i bëjnë lutjet fetare edhe gjatë muajit të bekuar të Ramazanit.

Lidhur me këtë lajm të shumtuar ka reaguar Myftiu i Luginës së Preshevës, Nexhmedin ef. Saqipi, i cili njëherit është edhe zëvendës reis i Rijasetit të Bashkësisë Islame në Serbi, duke kërkuar që ky rast të zgjidhet në mënyrë institucionale shtetërore e fetare.

“Objektet fetare nuk guxojnë të bëhen mollë sherri në këto kriza morale, politike e fetare në Ballkan. Në Kosovë objektet fetare i ka ndërtuar politika serbe, si ajo në hapësirat e  Universitetit të Prishtinës, të cilat i mbron shteti edhe pse populli nuk i dëshiron. Kurse në Serbi ngjet e kundërta. Populli i mbron kultet fetare si trashëgimi kulturore, kurse shteti i rrënon ato, ose i lë të shkatërrohen vetvetiu, pa u përkujdesur për mbrojtjen e tyre institucionale”, thotë i mllefosur Myftiu Saqipi.

Pavarësisht, argumenteve të autoriteteve komunale të Zemunit se objekti fetar nuk ka pasur leje ndërtimi, Myftiu Saqipi thotë: “nuk është dashur të pritet tre vjet e të mos gjendet një zgjidhje legale për ndërtimin e Xhamisë, po të merret një fushatë e egër spektakulare në rrënimin e saj, në prag të Ramazanit, për të luajtur me ndjenjat fetare, në kohën kur po mundohemi të integrohemi në proceset evropiane, duke krijuar me këto veprime anticivilizuese një imazh të keq për shtetin ku jetojmë”.

Ky lajm skandaloz ka zgjuar reagimin e menjëhershëm edhe të njeriut të parë të Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, i cili lidhur me këtë rast është i prerë: “Absolutisht është i papranueshëm, denigrues e racist akti i rrënimit të Xhamisë në Zemun të Beogradit, në kohën kur, myslimanët e gjithë botës po përgatiten për fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit”. Ai, më tej vlerëson: “Një akt i tillë i ‘realizuar’ në orët e hershme të mëngjesit nën masat e tre kordonëve të policisë, vetëm sa rrit dozën e dhunës dhe pasigurisë së shtetit, ndaj një pakice të pa mbrojtur dhe njëkohësisht flet për intolerancën e rrezikshme që po ushtrohet ndaj atyre që janë pakicë.

Rrënimet e xhamive nuk janë filozofi e panjohur në mendësinë politike të Serbisë, por kur kjo bëhet nën pretekst të “respektimit të ligjit” nxitë indinjatë dhe kundërshti edhe më të mëdha”, njofton jetapress.