Ballina Opinione Edukimi medial në vendin tonë nevojë urgjente

Edukimi medial në vendin tonë nevojë urgjente

SHPËRNDAJE

Shkruan: Milazim Krasniqi

Rëndësia e edukimit medial tashmë edhe në vendin tonë është urgjente, sepse ndikimi i medieve mbi fëmijët dhe të rinjtë është shumë i madh dhe me pasoja serioze në raste kur ata nuk dinë t’i përdorin me kujdes.

Elemente të bulizmit ka gjithnjë e më shpesh, madje edhe me pasoja serioze për viktimat e tij. Edhe raste të mashtrimit të adoleshenteve me komunikim në rrjete sociale, bile me pasoja të rënda, janë regjistruar.

Madje edhe varësia nga interneti është prezente, ndonëse tek ne nuk ka hulumtime në këtë drejtim, si në vende të tjera, fjala vjen, si në Korenë e Jugut, ku rreth dy milionë të rinj janë të atakuar nga varësia e internetit dhe trajtohen si të sëmurë psikiatrikë.

Për t’i shmangur këto pasoja e për t’i evituar rreziqet edhe më të mëdha, duhet që fëmijët dhe të rinjtë të marrin një edukim medial, që u ndihmon si t’i përdorin mediet, si t’i dallojnë përmbajtjet e dëmshme, si ta evitojnë komunikimin e rrezikshëm më të tjerët, si të mos arrijnë në kufijtë e varësisë nga interneti, etj. Në shkollat tona publike kjo lëndë moti është e domosdoshme.

Ndërsa, programet ekzistuese studimeve të gazetarisë e komunikimit, ofrojnë edhe ekspertizën e edhe kuadrot për ta mbuluar me shumë sukses këtë fushë.