Ballina Aktuale KAMBERI: EDHE NË VITIN 2018 NA PRESIN PUNË DHE SFIDA TË NDRYSHME

KAMBERI: EDHE NË VITIN 2018 NA PRESIN PUNË DHE SFIDA TË NDRYSHME

SHPËRNDAJE

Është bërë zakon që në vigjilje të Vitit të Ri, institucionet komunale, shoqëria civile, sektori privat etj, të paraqiten në opinion për të arriturat dhe sukseset e vitit 2017, si dhe planet për vitin 2018.

I pari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, në prag të përfundimit të këtij viti kalendarik, u është drejtuar qytetarëve të kësaj komune, duke i falënderuar ata për bashkëqeverisjen gjatë gjithë këtij viti.

“Ka qenë një vit i suksesshëm ku për here të parë komuna e Bujanocit ka arritur të realizoj buxhetin e paraparë deri më sot deri në 102% gjë kjo që shumë rrallë ndodh jo vetëm në komunën tone por edhe në komunat tjera”, tha mes tjerash Kamberi.

Sipas Kamberit të  gjitha projektet e infrastrukturës, të cilat janë paraparë për vitin 2017 janë realizuar me sukses përveç dy projekteve të cilat janë në fazën e ankesës së shkallës dytë në komisionin e ofertuesit në Beograd dhe shtyhen të realizohen për vitin 2018.

Gjithashtu, kryetari Kamberi, falënderon bujqit dhe përfaqësuesit e biznesit të vogël, me të cilët bashkërisht kanë arritur që të realizojnë programet e subvencionimeve, të cilat sipas tij, mbeten si dy programe më të suksesshme, të cilat qeverisja lokale i ofroi qytetarëve të vet. Gjatë vitit që po e lëmë pas, tha në vazhdim Kamberi, Komuna e Bujanocit, nga Buxheti i vet, ndau 44 milion dinarë (521 subvencione) për bujqit dhe përfaqësuesit e biznesit lokal.

Njëkohësisht, kryetari Kamberi, bën me dije se mbështetja ndaj bujqëve dhe biznesit do të vazhdojë, dhe se në Buxhetin e vet për vitin 2018, Komuna e Bujanocit ka planifikuar mjete me vlerë prej afër 35 milion dinarëve.

Në vazhdim, kryetari Kamberi, falënderon të gjithë sportistët, valltarët, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të rinjtë e angazhuar në realizimin e projekteve nëpër Organizatat joqeveritare për kontributin e dhënë në promovimin e Komunës së Bujanocit nëpër garat, festivalet dhe organizimet e ndryshme gjatë realizimit të projekteve të tyre të cilat i ka mbështetur dhe përkrahur kjo qeverisje lokale.

Po ashtu kryetari Kamberi, falënderon përfaqësuesit e mediave lokale për përcjelljen e të gjitha aktiviteteve në Komunë të Bujanocit, për raportimin e drejtë dhe të sinqertë, dhe për kontributin e dhënë gjatë këtij viti me qëllim të përmirësimit dhe avancimit të zhvillimit të Bujanocit në tërësi. “Fjala e lirë e medias është themel i demokracisë, prandaj, sikur në vitin 2017, ashtu edhe në vitin që po hyjmë, do të keni përkrahjen time të pa rezervë në mbrojtjen e saj”, nënvizon kryetari Kamberi.

Në vazhdën e falënderimeve kryetari Kamberi, nuk ka harruar edhe të rinjtë, për të cilët ka një konsideratë të veçantë dhe i vlerëson si shtylla kryesore e shoqërisë sonë. Të rinjtë, pas një viti angazhim, kanë përfunduar programin e aftësimit profesional 58 të rinj nga Komuna e Bujanocit e të cilët për një vit ishin të angazhuar në institucionet e ndryshme lokale. Në këtë drejtim, ai, bënë me dije se përgatitjet për fillimin e programit të ri për aftësimin profesional të grupit të radhës të të rinjve dhe të rejave tjera, vazhdon dhe për të cilin program me Buxhetin e Komunës janë rezervuar 20 milion dinarë.

“Të nderuar qytetarë edhe në vitin 2018 na presin punë dhe sfida të shumëllojshme. Ne duhet të vazhdojmë të bashkëqeverisim me Bujanocin në mënyrë që komuna dhe paraja publike të jetë në shërbim të qytetarit. Jam i vetëdijshëm për mospërsosshmërinë tonë, por ne duhet të japim më të mirën nga vetëvetja që t’i realizojmë objektivat e përbashkëta. Shëndet dhe suksese në vitin 2018!”, thuhet në mesazhin e urimit të kryetarit të Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, njofton portali informativ Jetapress.