Ballina Kulturë Kosova në ‘Times Square’, falë Dua Lipës

Kosova në ‘Times Square’, falë Dua Lipës

SHPËRNDAJE

Në sheshin më të njohur të botës, në “Times Square” të New York-ut, të martën është përmendur Kosova. Kjo falë një reklame të madhe në një ekran që u shfaq atje me këngëtaren kosovare Dua Lipa. Kjo reklamë me fotografinë e Lipës përmend faktin se ajo është e nominuar në kategorinë për “Artisten më të Mirë të Re” dhe “Vallëzimin më të Mirë” në çmimet prestigjioze “Grammy”, shkruan sot gazeta “Zëri”. Reklama thekson faktin se Dua Lipa vjen nga Kosova dhe se karrierën e ka nisur në Britani të Madhe. “Artistja më e mirë e re 2019. Nga Kosova në Britani të Madhe, drejt nominimit për artisten më të mirë të re. Dua Lipa”, shkruhet në reklamat e sheshit më të njohur në botë. Këtë marketing duket se e ka mirëpritur edhe vetë këngëtarja Lipa. Përmes profilit zyrtar në rrjetin social “Facebook” ajo është shprehur falënderuese. “Faleminderit ‘Spotify’ për dashurinë e shfaqur në ‘Times Square’”, ka shkruar shkurt Lipa.

Krijuesja e hitit “One Kiss” në garën për çmimin “Artisti i Ri i Vitit” rivalë do t’i ketë Chloe X Halle, Luke Combs, Greta Van Fleet, H.E.R., Margot Price, Jorja Smith, si dhe këngëtaren tjetër shqiptare Bebe Rexhën.  Dua së bashku me Silk Cityn, Diplon dhe Mark Ronsonin janë nominuar në kategorinë “Kënga më e Mirë Dance”. Duke qenë së çmimet “Gramy” janë çmimet më prestigjioze që jepen në muzikë, marrja e një trofeu të tillë është plotësim ëndrre për çdo muzikant.

Prejse ka nisur karrierën e saj Dua Lipa e ka afirmuar emrin e Kosovës nëpër botë. Rikujtojmë se njëra nga ngjarjet kulturore më të mëdha vitin që lamë pas ishte festivali “Sunny Hill Festival”, i ideuar pikërisht nga këngëtarja prishtinase me famë botërore. Ky festival, që në edicionin e parë mblodhi në Kosovë disa artistë më famë botërore dhe artistë të mirënjohur shqiptarë, do të kthehet në vitin 2019 me edicionin e dytë.

Lajmin për gazetën “Zëri” e ka konfirmuar Alban Kastrati, nga agjencia “Republika”, që organizon këtë festival. Ndonëse ende nuk janë rrethuar datat në kalendar se kur do të mbahet saktë, organizatorët thonë se po punojnë intensivisht që edicioni i dytë të jetë edhe më i pasur se i pari. “Festivali ‘Sunny Hill’ definitivisht do të mbahet edhe vitin që po vjen. ‘Sunny Hill’ do të kthehet me një edicion të dytë dhe me një program shumë të pasur. Në këtë moment nuk mundem të konfirmoj datat e Festivalit ose emrat që do të marrin pjesë, sepse ne po presim përgjigje nga artistët të cilët i kemi ftuar për t’i përshtatur datat me agjendat e tyre”, bën të ditur Kastrati, i cili thekson se gjithsesi Festivali do të mbahet dikur gjatë muajve të nxehtë të verës. “Festivali do të jetë në verë dhe do të vazhdojë edhe në edicionin e dytë të grumbullojë në Prishtinë artistë shumë të famshëm botërorë, por edhe artistë lokalë. Në këtë edicion nuk do ta kemi Dua Lipën, megjithatë do të vijnë artistë me renome, të cilët do t’i japin gjallëri këtij festivali”, potencoi Kastrati. Më tutje ai tha se ata si ekip organizativ janë duke punuar që Festivali të zgjerohet dhe të pasurohet me aktivitete tjera, përveç atyre muzikore, të cilat do ta bëjnë edhe më atraktiv.

Me rreth 13.000 bileta të shitura dhe me një program shumë të pasur artistik, me aktivitetet maratonike për tri ditë me radhë (10, 11 dhe 12 gusht 2018) “Sunny Hill Festival” gjallëroi jetën kulturore të Prishtinës verën që lamë pas. Me qëllimin që qytetin e saj Prishtinën ta vendosë në hartën kulturore të botës, këngëtarja Dua Lipa solli disa nga artistët më të kërkuar të momentit, të cilët publiku kosovar s’ka pasur rast t’i shohë më herët. Falë Festivalit të Duas publiku i Kosovës pati kontaktin e parë edhe me shqiptarët e tjerë, karriera e të cilëve po lulëzon nëpër botë. Action Bronson, Stanaj e Gashi u mirëpritën nga publiku shqipfolës dhe të tre u shprehën se performancat në Kosovë janë të paharrueshme. Befasi e këtij festivali ishte edhe Martin Garrix, njëri nga DJ-të më të mirë në botë për momentin, që bëri për vete publikun e Prishtinës. Zëri