Ballina Aktuale Për 1 Maj në Medvegjë

Për 1 Maj në Medvegjë

SHPËRNDAJE

Reportazh P

Fillimi i muajit maj, për shqiptarët e Medvegjës, njërës nga komunat më të vogla të Luginës së Preshevës, paraqet festën e dyfishtë: kremtimin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve dhe manifestimin e takimeve të vendlindjes, që të dyja bashkë, tashmë janë bërë tradicionale.

Rrallë mund të gjendet, një komunë si kjo e Medvegjës, të shënoj me kaq dashuri dhe krenari këto dy festa, të cilat bien në një ditë, me një traditë 16 vjeçare, duke grumbulluar rreth vetes mijëra njerëz, gjithandej trojeve etnike shqiptare, pa përjashtuar as diasporën.

Është zgjedhur Tupalla, një nga vendet më të mrekullueshme shqiptare të Medvegjës, për organizimin dhe mbajtjen e këtyre festave, jo pse është qind për qind shqiptare, por edhe pse është vendlindja e linguistit më të njohur shqiptar akademik Idriz Ajeti, si dhe personaliteteve të tjera si ajo e heroit të popullit Zenel Hajdini, që e mban me pietet të lartë emrin e tij shkolla fillore e fshatit dhe humanisti dhe veprimtari i dalluar i çështjes kombëtare Xhim Xhema nga Amerika e Muharrem Ismaili nga Tupalla.

Por, Tupalla e këtij maji, nuk u mbush me plot njerëz, si herëve tjera, ashtu siç ishim mësuar ta shihnim, për shkak se Këshillit Organizativ të fshatit, para pak ditësh, i lindën telashe rreth shpërndarjes së ftesave për pjesëmarrësit e takimeve të vendlindjes.

Tupalla e 1 majit dhe takimeve të vendlindjes, mirëpriti pjesëmarrësit nga vise të ndryshme etnike, me ngrohtësinë  e mikpritjes vëllazërore, bujarisë dhe mirësisë shekullore e shoqëruar me përqafime e shtrëngim duarsh, fjalime inkurajuese, recitime, këngë e valle popullore, si dhe lojëra sportive.

Në  “Takimet e vendlindjes – Tupalla 2019”, përveç medvegjasëve të shpërngul nga viti 1999, në Kosovë, merrnin pjesë edhe struktura politike e institucionale shqiptare nga Bujanoci dhe Presheva, në krye me Ragmi Mustafa, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Leme Xhema, nënkryetare e Komunës së Medvegjës, Florim Sahiti, zëvendëskryetar i Kuvendit Komunal të Medvegjës, Muharrem Ismaili nga Forumi ekonomik i shqiptarëve në Serbi, drejtoresha e Shkollës Fillore “Zenel Hajdini”, Arlinda Kadriu, Lirona Zuka dhe veprimtarë të tjerë.

E veçanta e këtyre takimeve të vendlindjes në Medvegjë, është edhe organizimi i Shoqatës për Trashëgimi dhe  Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës, me seli në  Preshevë, Konferencë shkencore : “Veshja shqiptare e Medvegjës dhe viseve tjera”, e cila u mbajt, më 2 maj, në Banjë të Sijarinës, njërës nga ish komunat shqiptare të Medvegjës.

Siç mëson Portali Jetapress pjesëmarrës në këtë Konferencë ishin studiues dhe përfaqësues nga të gjitha trevat : Shqipëri, Kosovë, Serbi, Maqedoni, Mal i Zi, Itali, Lugina e Preshevës, diaspora, etj.

 “Takimet e vendlindjes – Tupalla 2019”, u përmbyllën edhe këtë vit me sukses dhe pa incidente, me shpresë se ato në vitet e ardhshme të mbahen në rrethana më të volitshme politike dhe institucionale, njoftoj Jetapress.