Ballina Aktuale Vazhdojnë vizitat amerikane në Bujanoc

Vazhdojnë vizitat amerikane në Bujanoc

SHPËRNDAJE

Komuna e Bujanocit, një nga kryeqendrat kryesore të Luginës së Preshevës, kohëve të fundit, është vënë në fokus të vizitave të diplomatëve e ambasadorëve të shteteve të huaja të akredituara në Beograd.

Kur themi se Bujanoci, është qendra më atraktive e vizitave protokolare kem parasysh se në këtë komunë e kanë selinë Trupi Koordinues e Këshilli Kombëtar Shqiptar, krahas pushtetit lokal me një ambient të volitshëm për investime ndërkombëtare.

Në mesin e shumë të vizituarve, përmenden miqtë amerikanë, të cilët përmes Ambasadës së SHBA-vë në Serbi e Këndit Amerikan në Bujanoc, janë më të pranishëm në Luginë të Preshevës, përmes projekteve me rëndësi vitale për perspektivën e këtij rajoni.

Lidhur me vizitat e  sotme amerikane në Bujanoc, Jetapress, mëson nga një postim i rrjetit social të facebookut, nga njeriu i parë i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, i cili shprehet se e ka mirëpritur në takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, E.T. Kyle Scott.

“Me Ambasadorin Scott bisedova për situatën politike në Luginë të Preshevës, problemet dhe sfidat me të cilat po ballafaqohen qytetarët e Luginës dhe hapat të cilat duhet ndjekur gjatë vazhdimit të angazhimit të përbashkët drejtë zgjidhjes së problemeve”, shkruan kryetari Kamberi.

Në takim, gjithashtu, biseduam, shton Kamberi edhe për rëndësinë e realizimit të të drejtave të garantuara në prizmin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, që pritet të vazhdojnë.

Krejt në fund, zoti Kamberi, falënderon Ambasadorin amerikan për interesimin e vazhdueshëm të SHBA-ve për rajonin e Luginës së Preshevës.

Vlen të ceket se kryetari Shaip Kamberi, kohë më parë, ishte në krye të delegacionit nga Lugina e Preshevës, për një vizitë zyrtare në Kongresin Amerikan, prej nga u nda i kënaqur me përshtypjet e mira rreth interesimit të amerikanëve për Luginën e Preshevës, drejt një perspektive për një të ardhme të mirë të banorëve të saj, njofton Jetapress.