Ballina Aktuale Bujanoc: Qeveria e Shqipërisë financon restaurimin e objektit të Këshillit Kombëtar Shqiptar

Bujanoc: Qeveria e Shqipërisë financon restaurimin e objektit të Këshillit Kombëtar Shqiptar

SHPËRNDAJE

Në një njoftim të Ministrit për Punë të Jashtme dhe Europë në Qeverinë Shqipërisë, Gent Cakaj, bëhet e ditur se Qeveria shqiptare, ka vendosur të marrë përsipër financimin e restaurimit të godinës së Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe funksionalizimin e plotë të Qendrës Kulturore Multidimensionale të këtij Këshilli në Komunën e Bujanocit.

“Funksionalizimi i plotë i Qendrës Kulturore Multidimensionale në Komunën e Bujanocit do të ketë një funksion tepër të rëndësishëm në ruajtjen, promovimin dhe zhvillimin e trashëgimisë kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe më gjerë. Kjo Qendër, po ashtu, do të ushtrojë një ndikim pozitiv edhe në vitalizimin e shoqërisë civile në ketë hapësirë me vlerë të veçantë historike”,  është shprehur Ministri Cakaj, në rrjetin e tij social të facebook-ut.

Në vazhdim Ministri Cakaj nënvizon: “Kjo masë financiare është zgjatim i përpjekjeve politike të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë për konsolidimin e marrëdhënieve politike me shqiptarët në rajon në veçanti. Mbështetja e Republikës së Shqipërisë është e domosdoshme për kultivimin dhe avancimin e identitetit kombëtar dhe kulturor të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Shumë shpejt duhet të procedohet me një marrëveshje të veçantë bashkëpunimi për mbështetje të veçantë financiare, politike, shoqërore dhe kulturore për shqiptarët e Luginës”, njofton Jetapress.