Ballina Aktuale Shpallen zgjedhjet lokale në Komunën e Medvegjës

Shpallen zgjedhjet lokale në Komunën e Medvegjës

SHPËRNDAJE

Sipas mediave lokale dhe nacionale në Serbi, bëhet e ditur se Kryetarja e  Parlamentit serb Maja Gojkoviq, ka shpallur për 8 shtator 2019, zgjedhjet lokale në Komunën e Medvegjës.
Zgjedhjet për këshilltarët komunalë në Komunën e Medvegjës, do të jenë nën autoritetin e administratës zgjedhore në bazë të dispozitave të Ligjit për Zgjedhjet Lokale.

Lajmi për shpalljen e zgjedhjeve lokale në Medvegjë, nga shqiptarët e kësaj komune multitenike, është pritur me një shqetësim, ngase në listat zgjedhore mungojnë shumë emra të zgjedhësve shqiptarë.

Lidhur me pasivizimin e vendbanimeve shqiptare, shlyerja nga regjistrat e gjendjes civile dhe presionet e vazhdueshme të Beogradit, ka nxitur reagimin e partive politike dhe shoqërisë civile, të cilat, mjerisht, po hasin në vesh të shurdhur të pushtetit qendror serb.

Sot, një delegacion nga Komuna e Bujanocit, në përbërje të Shaip Kamberit kryetar, Fatmir Hasani, deputet popullor dhe Ragmi Mustafa, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, vizituan Komunën e Medvegjës, për të biseduar lidhur me pozitën e vështirë të shqiptarëve dhe kërkesat e tyre për tejkalimin e kësaj situate.

Sa i përket shpalljes së zgjedhjeve lokale në Medvegjë, zyrtarët nga Bujanoci, kërkuan nga të “gjitha subjekteve politike shqiptare bashkërendim dhe bashkëpunim të përpilojnë një listë të përbashkët të shqiptarëve në Medvegjë e për Medvegjë”.
“Sot më shumë se kurrë ka nevojë për të mënjanuar të gjitha pengesat mes shqiptarëve të Medvegjës. Për të siguruar përfaqësim të dinjitetshëm dhe pamundësuar çfarëdo përpjekje për deligjitimuar faktorin politik shqiptar”, thanë mes tjerash, zyrtarët politikë e institucionalë të Bujanocit në Medvegjë, njofton Jetapress.