Ballina Aktuale Ftesë për mirëkuptim dhe solidarizim

Ftesë për mirëkuptim dhe solidarizim

SHPËRNDAJE

Në rrjetin social të facebook-ut, Myftiu i Luginës së Preshevës, Nexhmedin ef. Saqipi, ka bërë publike një Ftesë, për të shikuar mundësitë e rregullimit të një rreth-rrotullimi në hyrje të Tërnocit, për nevojat e qytetarëve për qarkullim të lirë dhe të papenguar.

“Ftoj përgjegjësit institucionalë dhe politikë, që vendin në mes Tërnocit dhe Bujanocit, ku lidhen tri rrugë, ta shpallin si Shesh me rreth për qarkullim të lirë”, thuhet mes tjerash në Ftesën e Myftiut Saqipi.

Gjithashtu, thotë Myftiu Saqipi, në këtë vend të rëndësishëm për qytetarët e Tërnocit dhe Bujanocit, të vendoset një Pllakë me të gjitha emrat e të mobilizuarve, ku për herë të fundit ju ka thënë fjala e ndarjes për së gjalli.

Ndoshta, thotë Myftiu Saqipi, Juve nuk ju prek ndërgjegjja për këtë kujtim që ne 84 ternocas që e mbajmë me veti, sa herë kur kalojmë atypari, ky vend na rrëmben diçka nga jeta.

“Ky le të jetë një fakt historik, që më kurrë mos të përsëritet. Ne o tërnocali më shumë nuk dëshirojmë nga Ju.  Diaspora këtë punë le ta kryej, ngase nuk është vështirë, sepse kemi kryer edhe punë më të mëdha. Ju faleminderit për mirëkuptim!”, përfundon Ftesa e Myftiut Nexhmedin ef. Saqipi, të bërë publike në rrjetin e tij social të facebook-ut.

Për të bërë sa më të kuptueshme këtë Ftesë të Myftiut Saqipi, Portali Jetapress, shkëput nga libri i tij me opinione për Luginën e Preshevës, përkatësisht për “Trishtimin e quajtur mobilizim”, i cili sjell fakte e dëshmi nga një periudhë kur pushonin partitë politike dhe pushtetet, meqë në atë kohë ushtria e kishte nën kontroll shtetin.

“ Sa ishte e tmerrshme dhe e kobshme dëbimi i tërnocasëve jashtë shtëpive të tyre në periferi të fshatit, po aq trishtuese ishte ftesa për  mobilizim të dhunshëm i 145 të rinjve, të cilët u bënë mur i gjallë për ta ndaluar eksodin masiv për Maqedoni e vendet perëndimore. “E pranova ftesën për t’i thënë Stop lumit të ikjeve, të cilat kishin boshatisur gati gjithë Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën. Pranuam të flijohemi për hir të një kauze qytetare për shpëtimin e vendit”, tha Myftiu Saqipi.

          Vlen të përmendim se udhëheqësit kryesorë  nuk janë dukur askund që t’ i prinë organizimit të popullatës. Qëndrimi i tyre ishte se ata nuk mund të vendosin për ne, sepse është përgjegjësi e madhe të vendoset për 145 të rinj, që t’ i dërgojmë  në drejtim të humbur dhe se ne secili duhet të vendosim për vetveten.

       Mendova se  patjetër duhet t’ i prijë dikush këtyre njerëzve, ndaj  këtij akti madhështor mu duk se po më takon mua, duke qenë si prijës i popullit, pasiqë kishte qenë  dëshira e Zotit që të  sprovohem, atëherë  e mora fjalën kur mbretëroi heshtja.

     Vëllezër ne me izën e Zotit do t’ i përgjigjemi të gjithë ftesës pa marrë parasysh pasojat, ne nuk guxojmë të mendojmë ndryshe, përndryshe do ta lëndojmë shpirtin dhe moralin tonë,  më tepër se kurrë na duhet forca  e shpirtit dhe mendjes, nuk kemi nevojë për  dyshime, se çka duhet bërë. Ne  do të shkojmë dhe do ta tregojmë guximin dhe trimërinë tonë dhe se kjo popullatë  e donë paqen  dhe në emër të paqes ky popull meriton të jetoj i lirë. Me fjalët e mia u krijua krejtësisht një atmosferë e re dhe njerëzit u drejtuan kah unë , ku filluan njëri-tjetrit t’i thonë se po shkojmë  për hir të fshatit dhe familjeve tona,  ja edhe hoxhën me veti e kemi. Me vendosjen tonë filloi fuqia e shpirtit të funksionojë, kur dihet se fuqia e shpirtit e tejkalon fuqinë e trupit. Atëherë  mua mu paraqit një forcë shpirtërore, meqë kisha të bëjë me trima dhe njerëz që janë gati të flijojnë gjithçka për Zot dhe për nder të familjes dhe Vatanit. I pranuam ftesët dhe vendosëm që të tubohemi ora 16:00 dhe të organizuar të shkojmë në vendin ku u dashke të paraqitemi  e ai ishte Stadiumi i BSK-së në Bujanoc.

    Duke shkuar në shtëpi për t’u përshëndetur me familjen, mu shpalos para syve Xhamia dhe e bëra në veti një lutje “O Zot, këtë Xhami të mrekullueshme, këtë Tërnoc të bukur, këtë popull të mirë si dhe këtë vend,  mos ia bën të mundur askujt ta shkatërrojë edhe t’ na zëvendësoj me dikë tjetër!”./Jetapress/