Ballina Aktuale PROFILI I GAZETARIT TË SUKSESSHËM

PROFILI I GAZETARIT TË SUKSESSHËM

SHPËRNDAJE

Nga Milazim Krasniqi

Gazetarët, që ushtrojnë gjithë atë ndikim në shoqëri, duhet të jenë profesionistë të mirë. Nëse e kanë zotëruar profesionin me të gjitha obligimet, vlerat dhe etikën, ata do ta ushtrojnë ndikimin në favor të informimit të drejtë dhe prej këndej edhe në emancipimin e shoqërisë së cilës i takojnë.

Gazetari i standardeve të larta profesionale, në kohën tonë është në të njëjtën kohë profesionist por edhe intelektual, person që është i preokupuar me prodhimin e ideve dhe të zgjidhjeve për problemet e shoqërisë së cilës i takon, por edhe të njerëzimit. Prandaj, gazetari i këtyre standardeve, duhet të jetë i mbrujtur me një sërë vlerash, në mënyrë që të përballojë peshën e rëndësisë së profesionit të vet. Këtu po identifikojmë disa nga ato vlera:

Ndershmëria

Ndershmëria në trajtimin e temave dhe në komunikimin me burimin e informimit, me synimin që të publikohet e vërteta për atë që ka ndodhur, është çelësi i një pune të suksesshme. Nëse gazetari e ka këtë virtyt moral dhe profesional, ai do ta ketë më të lehtë që të gjejë mënyrën më të përshtatshme të tematizimit dhe të shtjellimit të ngjarjeve. Nga moria e të dhënave që mbledh lidhur me një ngjarje, gazetari me ndershmëri profesionale dhe etike, do të zgjedhë ato që i duken më të besueshme, më të vërteta, më të rëndësishme për ta ndriçuar ngjarjen dhe për ta bërë më të kuptueshme temën. Pra, përzgjedhja e elementeve të një teme dhe theksimi i ndonjë aspekti të saj, varet shumë nga ndershmëria e gazetarit. Nëse gazetari ka prirje inatçore ose hakmarrëse ndaj njerëzve, tematizimin dhe trajtimin e ngjarjeve mund ta shfrytëzojë për qërimin e hesapeve. Nëse është profesionist, ai arrin ta kamuflojë atë prirje dhe më të shumtën as redaktorët nuk mund ta detektojnë qëllimin e vërtetë. Në atë rast, standardi i ulët i ndershmërisë profesionale dhe etike fillon e prodhon informim të deformuar, gjë që mund të ketë pasoja jo vetëm për personat e tematizuar, po edhe për opinionin publik, sepse ai formohet mbi premisa të gabueshme. (…)

Janë të shumta rastet e shpifjeve, të trillimeve, të akuzave të rreme, të etiketimeve që u janë bërë shumë njerëzve në këto vite. Krejt kjo e ka shkakun themelor te jondershmëria e gazetarëve që kanë firmosur ato tekste dhe te redaktorët që i kanë botuar. Në këtë mes, gazetarët që punojnë në gazeta partiake ose të afërta me partitë politike janë viktima të shpeshta të kësaj prirjeje, ku sakrifikohet ndershmëria profesionale dhe morale. Gazetat e tilla nuk e kanë në plan të parë informimin e publikut lexues, duke mbuluar ngjarjet me standarde profesionale, ku e drejta e shpjegimit u jepet së paku dy palëve, fjala vjen, qeverisë dhe opozitës, menaxherit dhe përfaqësuesit të sindikatës, punëdhënësit dhe punëmarrësit, mjekut dhe pacientit (ose familjarit të tij), etj. Mediet e tilla më shumë kanë synim përpunimin psikologjik, ose rekrutimin praktik të lexuesve në kauzën, të cilën bosët ose mentorët e padukshëm të gazetës e shohin me interes të veçantë. Por, ata janë dhe mbeten të padukshëm dhe mund ta lajnë duart për shfajësim. Ai/ ajo që nuk mund të shfajësohet është gazetari, autori, ai që nënshkruan tekstin. Emri dhe mbiemri i tij fiksohen dhe mbeten dëshmi e ndershmërisë ose e jondershmërisë. Të gjithë mund të gjejnë shfajësime ose të fshihen, përveç gazetarit, autorit, i cili mbetet i zbuluar para publikut për tërë kohën. Kjo mund të shihet edhe në shembujt nga gazetaria shqiptare. Sot pak kush di ndonjë gjë për sponsorët e gazetës “Albania”, por shumë njerëz dinë për tematikën, për tonin dhe për idetë e Faik Konicës, që janë përjetësuar në tekstet e tij. Po ashtu është edhe me tekstet e Fan Nolit, të Mihal Gramenos, të Branko Merxhanit, të Vangjel Koçës, të Petro Markos, etj. Politikanë dhe aktivistë të llojllojshëm kanë arritur të fshehin fytyrat e tyre nga pasqyra e opinionit publik, ndërsa gazetarët dhe publicistët, ata që kanë firmosur tekstet në gazeta dhe në revista, jo. Edhe po të duan, nuk munden. Kjo ka të bëjë me memorizimin e punës së gazetarit. Pra, nëse puna është bërë me pandershmëri, hilja zbulohet më vonë, gjë që është edhe më fatale për gazetarin, sepse atëherë ai as nuk mund të mbrohet, as të përmirësohet a të pendohet.

Nga ana tjetër, edhe nëse nuk ndodhin ngritje të padive gjyqësore, (në vendet në tranzicion, gjykatat nuk kanë as pavarësinë elementare, veçse janë të ndikuara nga bosët e padukshëm, shpesh herë nga po ata që ndërsejnë edhe mediat), gazetarit gjithmonë do t’i mbetet brejtja e ndërgjegjes për punën e pandershme, nëse e ka bërë me qëllim. Prandaj, më mirë është të mos ndiqet fare ajo rrugë, e cila në të gjitha variantet e çon gazetarin në konflikt me vetveten dhe në komprometim në sytë e publikut. Më së miri është që gazetari ta kryejë punën e vet me ndershmëri.

Formimi intelektual si themel i profesionalizmit

Për ta kryer punën me sukses në gazetarinë moderne, ku konkurrenca dhe rritja e standardeve profesionale janë provokim i vazhdueshëm, duhet që gazetari të jetë i aftësuar për profesionin që ka zgjedhur. Marrja e një diplome fakulteti është një gjë e domosdoshme, por diploma nuk e zgjidh problemin. Aftësimi për ta ushtruar me sukses profesionin e gazetarit, bëhet në mënyrë paralele: me nxënien e dijeve teorike dhe me praktikimin e tyre. Në rend të parë, gazetari duhet të ketë arritur një formim intelektual solid, ku përfshihet njohja solide e sociologjisë, e politologjisë, e historisë dhe e kulturës. Gazetari nuk është procesmbajtës, që të mbajë shënime vetëm se çfarë thonë të tjerët. Po ta shikojmë qoftë dhe nga ana fizike, ai është pjesëmarrës në ngjarjet për të cilat raporton. Fjala vjen, raportimi i tij nga mbledhjet e parlamentit, nga konferencat e shtypit, nga ngjarjet sportive, nga koncertet, nga aksidentet, etj., e bën atë pjesëmarrës aktiv në ngjarje, së paku dëshmitar vigjilent të saj. Ne vetëm mund të pandehim se si do të zhvilloheshin ngjarjet, po të mos ishin prezentë gazetarët. Por, minimumi është se ngjarjet do të zhvilloheshin më ndryshe, ndoshta në mënyrë shumë më vulgare e më të dhunshme. Prezenca e gazetarit në ngjarje, prandaj, edhe ende pa raportuar, ka një efekt. Nëse ai ka formimin e duhur intelektual, ai është më i ndërgjegjshëm dhe më i aftë ta vlerësojë drejt rëndësinë e ngjarjeve për të cilat raporton. Në atë rast, ai ka edhe përgjegjësinë dhe vigjilencën e njeriut dhe të qytetarit që synon të ndikojë në përmirësimin e gjendjes dhe të evitojë gjërat e dëmshme. Gazetaria e angazhuar, në këtë kontekst, nuk është aspak e ideologjizuar, por është më njerëzore. Tekstet e gazetarëve që arrijnë të afirmohen si profesionistë të standardeve të larta, intelektuale dhe qytetare, lexohen me më shumë vëmendje dhe ushtrojnë më shumë ndikim mbi publikun.

Nëse e ka arritur formimin intelektual, teknikat e shkrimit mësohen më lehtë dhe pastaj ndodh përparimi më i shpejt në profesion. Ndërsa, nëse i ka përfituar teknikat e shkrimit, pa pasur formimin adekuat intelektual, pas një entuziazmi fillestar, gazetari fillon e ballafaqohet me vështirësi serioze dhe me pamundësi që të jetë konkurrues në tregun e punës. Në skenën mediale shqiptare të Kosovës së pasluftës, ka raste të freskëta. Pas mbylljes së gazetës “Rilindja”, një numër i konsiderueshëm i gazetarëve të saj, mbetën pa punë, edhe pse në vend filluan të dilnin tetë gazeta ditore në vend të një gazete që kishte dalë deri në vitin 1999. Pra, edhe pse tregu i punës ishte shumëfishuar (edhe me ngritjen e një numri të madh të radiove e të televizioneve, tri prej të cilave me frekuenca nacionale), shumë gazetarë të Rilindjes mbetën pa punë. Por, shumica e gazetarëve të Rilindjes, që ishin dalluar për nivel intelektual, madje edhe ata që kishin arritur moshën e pensionit, gjetën punë e janë konkurrues edhe sot në mediat e reja e me standarde të reja profesionale, që u ngritën në Kosovën e pasluftës.

Gjatë punës si kryeredaktor revistash, redaktor përgjegjës gazete ditore në vitet 1987-2002, i kam njohur të dyja këto kategori dhe me dhimbje kam parë katandisjen graduale të atyre që për shkak të mungesës së formimit intelektual, nuk arrijnë të përballojnë presionin e ritmit të punës dhe të kërkesave gjithnjë në rritje të profesionit. Prandaj, formimi i duhur intelektual, paraqet themelin e profesionalizmit në gazetari.

Ky përfundim më forcohet edhe nga një përvojë vrojtuese e këtyre viteve të fundit. Duke qenë anëtar i Bordit të Drejtorëve të Radiotelevizionit Publik të Kosovës në vitet 2001-2006, kam përcjellë nga afër problemet e gazetarëve në këtë institucion. Shumica prej tyre në këto vite kanë marrë pjesë në shumë trajnime që i kanë mbajtur ekspertë kulminantë të BBC dhe mediave të tjera prestigjioze evropiane. Shumë nga këta gazetarë kanë shkuar edhe jashtë vendit në trajnime, në kurse e në seminare të ndryshme. I kanë mësuar teknikat e raportimit, madje edhe për raportime nga pikat e krizës. Por, të gjitha ato investime për ngritjen profesionale të tyre, nuk kanë rezultuar me ndonjë përmirësim të ndjeshëm të nivelit profesional të gazetarisë në RTK. Përkundrazi, në raportimin për trazirat e marsit 2004, pati mjaft dobësi në raportim, të cilat sado që ishin të paqëllimta, i shkaktuan dëm të konsiderueshëm RTK-së dhe profesionit. Ndërsa, njëri nga shkaqet themelore të atyre dobësive ka buruar nga përgatitja modeste intelektuale dhe profesionale e atyre gazetarëve në atë kohë. Nuk u kanë mjaftuar përvojat e trajnimeve e të nxënies së teknikave, për të ditur të vlerësojnë drejt kompleksitetin dhe dramaticitetin e atyre ngjarjeve që më vonë prodhuan pasoja të rënda për kredibilitetin e Kosovës dhe të shqiptarëve. Prandaj, gazetari duhet të jetë i aftë të vlerësojë se si do ta perceptojë publiku ngjarjen për të cilën raporton. A do t’i rritë raportimi i tij emocionet e publikut? A do ta turbullojë ndjeshmërinë politike, duke i dhënë kahe të dhunshme? Për ta arritur këtë, gazetari duhet të ketë njohuri për historinë e vendit të e vet, po edhe më shumë për raportet konkrete të tij me vendet e tjera në kohën kur gazetari punon. Gazetari duhet të ketë njohuri edhe për kulturën e vendit të vet, për zhvillimet politike, madje edhe për biografitë e protagonistëve kryesorë të politikës në vendin ku ai punon.

Guximi

Guximi na shkon në mendje sa herë flitet për punën e gazetarit. Në shikim të parë kjo duket disi e pakuptueshme, sepse gazetaria nuk ka të bëjë me sportet luftarake. Por, ka arsye të forta të mendohet se guximi është pjesë përbërëse e këtij profesioni. Gazetari raporton për ngjarje ku ka më shumë palë të ballafaquara, të konfrontuara. Sado objektiv që të jetë në raportimin e tij, ndonjëra palë do të mbetet e pakënaqur ose e irrituar. Pala e pakënaqur mund të bëjë reagime, mund të ngrejë padi gjyqësore, mund të telefonojë në redaksi, mund të bëjë presion me telefon mbi gazetarin, mund të adresojë kërcënime anonime. Kjo është një dukuri më e shpeshtë në vendet në tranzicion, në vendet me standarde të ulëta të shtetit ligjor dhe të demokracisë, ku grupet e interesit, e madje edhe grupet e krimit të organizuar, janë të fuqishme dhe me ndikim në institucionet e sistemit. Në aso rrethanash, gazetarit i duhet guxim i vërtetë për ta kryer me nder punën e vet, sepse gjendet nën presion e nën kërcënime serioze. Vrasja e gazetares ruse, Ana Polinskaja, e cila shkruante tekste kritike ndaj qeverisë së Putinit, është një shembull i dhimbshëm se deri ku mund të shkojë arroganca e grupeve kriminale që nuk duan të kritikohet puna e tyre. Në fund të fundit, vrasja e rreth treqind gazetarëve në vitin 2006 në vatrat e krizave nëpër botë, zbulon anën e rrezikshme të natyrës së këtij profesioni. Por, gazetarët në vatrat e krizave janë të pakët në krahasim me ata gazetarë që punojnë nëpër redaksi, në kushte komode e në gjendje paqeje, por që ballafaqohen me presione për të heshtur informata e fakte, që i zbulojnë gjatë punës së tyre raportuese e sidomos të punës hulumtuese. Prandaj, secili gazetar duhet të zgjidhë dilemën para se të futet në ujërat e këtij profesioni: a mund të përballojë me guxim presionet që mund të bëhen mbi të, duke mbrojtur etikën e profesionit. Mënyra më e mirë për ta përqafuar me guxim etikën e profesionit është nëse gazetari arrin përgatitje të plotë profesionale dhe intelektuale. Në atë rast, guximi i tij është i motivuar nga përparësia që ia siguron ajo përgatitje. Aftësia e gazetarit për të debatuar dhe për të argumentuar qëndrimin e mbajtur, shndërrohet vetvetiu në guxim dhe i dekurajon ata që ia kanë mësyrë të bëjnë presion.

Ka edhe raste kur personat ose grupet me ndikim, bëjnë presion mbi redaktorët ose botuesit e medias, për ta shmangur gazetarin nga rubrika, ku ai tematizon punët e tyre. Edhe në aso situatash, kërkohet aftësi argumentimi për të mbrojtur çështjen para redaktorëve ose botuesve, sepse as ata nuk guxojnë të shkojnë deri në fund me kërkesat e tyre, sepse ashtu do të mund ta zbulojnë veten si aleat të komplotit.

Korrektësia

Guximi i gazetarit është i pandarë nga korrektësia në raport me bashkëpunëtorët, me eprorët dhe me të gjithë njerëzit që tematizohen në raportet e tij. Gazetari duhet të respektojë individualitetin dhe pozitën e secilit person me të cilin ka të bëjë në punën e tij. Ruajta e burimeve të informimit është kushti themelor për ta kryer punën dhe kjo arrihet vetëm nëse ruhet gjithmonë korrektësia ndaj tyre. Nëse informatat e marra nga burimet e besueshme keqpërdoren njëherë, më nga ajo adresë nuk mund të merren informata. Korrektësia në sjellje e në shkrime duhet ta përshkojë tërë punën e gazetarit, edhe ndaj atyre që e dinë që nuk kanë mirëkuptim dhe nuk duan të bashkëpunojnë. Kush e di, mund të ndërrojnë mendje nën ndikimin e korrektësisë së gazetarit!

Kreativiteti

Gazetari që e ka guximin të bazuar në përgatitje të plotë, nuk pret që të komandohet gjithmonë nga redaktorët për të ndjekur ngjarjet. Ai propozon vazhdimisht tema të reja nga rubrika që mbulon. Observimi i detajeve, i ngjarjeve dhe i njerëzve, mbledhja e vazhdueshme e të dhënave, komunikimi me sa më shumë njerëz, i mundëson gazetarit që të dijë të zgjedhë mes morisë së informatave dhe në këtë pikëpamje të jetë kreativ edhe në tematizim e edhe në shkrim. Çdo tekst që shkruhet ka veçantinë dhe papërsëritshmërinë e vet. Prandaj gazetari duhet që brenda rregullave ekzistuese të provojë të gjejë zgjidhje kreative, që e bëjnë shkrimin e tij të lexueshëm e atraktiv. Respektimi i disa standardeve të shkrimit gazetaresk, sikundër janë stili i piramidës së përmbysur, kreu rezymues i lajmit/raportit, citimet e pjesëmarrësve në ngjarje, etj., nuk e pamundësojnë kreativitetin në shkrim. Standardet e tilla e bëjnë të deshifrueshëm e të pranueshëm tekstin gazetaresk, të cilin lexuesi edhe e pret si të tillë. Por, nëse ato standarde ose kritere, përdoren me mjeshtri, ato krahas informimit, i afrojnë lexuesit edhe kënaqësinë e leximit të një teksti të shkruar bukur.

Saktësia (në kohë e në premtime)

Saktësia është një tipar tjetër thelbësor në punën e gazetarit. Gazetari duhet të jetë i saktë në citimin e deklaratave, të të dhënave dhe të të gjitha informatave që përdor për të shkruar lajmin ose raportin. Për ta pasur saktësinë e duhur i duhet koncentrim në punë, që nga shkuarja me kohë në ngjarjet që mbulon. Kur gazetari arrin me vonesë në ngjarje, ai jep një dëshmi negative për veten e vet. Meqë gazetari është figurë e njohur, pjesëmarrësit në ngjarje e shohin se është vonuar. Për atë shkak, ata edhe mund të formojnë një opinion negativ ndaj tij. Mund të kenë mbresën se ai e ka injoruar ngjarjen, ndërsa ata duke qenë pjesëmarrës të asaj ngjarjeje, ndjejnë se i ka injoruar edhe ata. Prej këndej mund edhe të paramendojnë se ai gazetar do të mbulojë ngjarjen shkel e shko, gjë që i demotivon për ta blerë gazetën për të cilën ai punon, ose për ta shikuar televizionin për të cilin ai raporton. Për t’i evituar këto keqkuptime, gazetari duhet të jetë në vendin ku mbahet aktiviteti para kohës së fillimit të tij. Mirë është të bëjë përpjekje që të takojë ndokënd nga organizatorët dhe të kërkojë ndonjë informacion shtesë. Organizatorët zakonisht janë më të disponuar para fillimit të aktivitetit, prandaj edhe mund të jenë më dorëlirë në dhënien e ndonjë informacioni të rëndësishëm.

Gazetari duhet të jetë i saktë në mbajtjen e premtimeve që u jep bashkëpunëtorëve. Nëse i mban premtimet ndaj tyre, e formon dhe e thellon partneritetin dhe miqësinë, gjë që i mundëson të sigurojë burim të përhershëm informimi. Në të kundërtën, mund ta humbë besueshmërinë dhe burimin e informimit, gjë që do të ndikojë negativisht në karrierën e tij, sepse pa burim të pasur informatash, nuk mund ta kryejë me sukses punën e përditshme.

Përkushtimi ndaj profesionit

Gazetari duhet të ketë një përkushtim të madh dhe të përhershëm ndaj profesionit. Ky profesion kërkon angazhim të përhershëm, i cili është i mundshëm vetëm nëse përkushtimi është i plotë. Kureshtja është njëra nga themelet e përkushtimit.

Gazetari heton dhe shënon gjithçka që i duket se mund të hyjë në punë, që nga emrat e njerëzve, numrat e telefonave të institucioneve, emrat e rrugëve e të themeltave e deri te ngjarjet e rëndësishme historike, që kanë të bëjnë me sektorin që ai mbulon. Këto shënime duhet të shfletohen shpesh, në mënyrë që të mos harrohet ndonjë detaj ose e dhënë që mund të hyjë në punë. Duke mbledhur vazhdimisht shënime, gazetari pajiset me shumë informacione, e kjo i mundëson që të operojë më lehtë në punën e vet. Në rast se ka përkushtimin e duhur, gazetari nuk ndihet keq as kur punon me orar të tejzgjatur. Edhe në atë rast, ai e di se puna e tij është e rëndësishme dhe e vlefshme për prestigjin e tij, për redaksinë dhe për publikun. Përkushtimi ndaj profesionit e bën më të lehtë edhe përballimin e qëndrimit për një kohë më të gjatë larg familjes. Nëse detyrën e konsideron vërtet të rëndësishme, atëherë e kupton se edhe sakrifica që bën, e ka vlerën vet. Edhe shkalla e rrezikut që shpesh herë parakupton puna në këtë profesion, amortizohet më lehtë kur ekziston përkushtimi ndaj profesionit.

Mësimi i vazhdueshëm

Gazetari i përkushtuar ndaj profesionit të vet, krahas kryerjes së obligimeve, gjen kohë edhe të mësojë vazhdimisht të fshehtat e profesionit. Kjo arrihet duke mësuar edhe nga përvojat e kolegëve, me të cilët duhet të zhvillohet vazhdimisht komunikim dhe dialog. Gazetarët janë relativisht të hapur në komunikimin ndërkolegial, flasin për problemet me të cilat ballafaqohen dhe mënyrat si i zgjedhin ato. Ato përvojajanë shpesh herë me interes, sepse ka situata që përsëriten, kur është fjala për keqkuptimin e akterëve të ngjarjeve të ndryshme. Gazetari që ka mbajtur mend ngjarje të ndryshme mund të gjendet më lehtë kur gjendet edhe vetë në situata të vështira.

Pjesë e rëndësishme e të mësuarit janë edhe trajnimet, ku aplikohen metodat e reja të ushtrimit të profesionit. Kjo është e domosdoshme për gazetarët e rinj, të cilët ende janë në kërkim të stilit të vet. Gazetarët nuk duhet të përtojnë të shkojnë në trajnime, në seminare e në aktivitete që organizojnë asociacionet e gazetarëve. Në ato aktivitete, mund të prezantohen informacione e përvoja të reja të kolegëve e të specialistëve, të cilat mandej mund t’u hyjnë shumë në punë gazetarëve në punën e tyre të përditshme. Edhe leximi i revistave profesionale, në të cilat publikohen studime të reja mbi profesionin dhe problematikat e medias dhe të komunikimeve masive në përgjithësi, janë me shumë interes për gazetarët. Freskimet e tilla, e luftojnë rutinën, që është njëri nga armiqtë e gazetarisë së suksesshme.

Ndjenja e shërbimit dhe e përgjegjësisë

Çdo gazetar duhet të jetë i ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka puna e tij për informimin e publikut. Nëse informimi është me standarde profesionale të larta, publiku do të përfitojë informim më të mirë dhe do të krijojë opinion më të saktë për ngjarjet. Në këtë rast, do të kemi një shoqëri më të informuar e më stabile. Rrjedhimisht, puna e gazetarit ka efekte edhe në emancipimin politik dhe shoqëror të atij publiku. Ndjenja se është në shërbim të atdheut, krahas përgjegjësisë ndaj publikut dhe përgjegjësia para Zotit, janë komponentët që e bëjnë një gazetar të përgjegjshëm e të suksesshëm.

THEKSIME

1. Ndershmëria në trajtimin e temave dhe në komunikimin me burimin e informimit, me synimin që të publikohet e vërteta për atë që ka ndodhur, është çelësi i një pune të suksesshme. Nëse gazetari e ka këtë virtyt moral dhe profesional, ai do ta ketë më të lehtë që të gjejë mënyrën më të përshtatshme të tematizimit dhe të shtjellimit të ngjarjeve. Nga moria e të dhënave që mbledh lidhur me një ngjarje, gazetari me ndershmëri profesionale dhe etike, do të zgjedhë ato që i duken më të besueshme, më të vërteta, më të rëndësishme për ta ndriçuar ngjarjen dhe për ta bërë më të kuptueshme temën. Pra, përzgjedhja e elementeve të një teme dhe theksimi i ndonjë aspekti të saj, varet shumë nga ndershmëria e gazetarit.

2. Prezenca e gazetarit në ngjarje, prandaj, edhe ende pa raportuar, ka një efekt. Nëse ai ka formimin e duhur intelektual, ai është më i ndërgjegjshëm dhe më i aftë ta vlerësojë drejt rëndësinë e ngjarjeve për të cilat raporton. Në atë rast, ai ka edhe përgjegjësinë dhe vigjilencën e njeriut dhe të qytetarit që synon të ndikojë në përmirësimin e gjendjes dhe të evitojë gjërat e dëmshme. Gazetaria e angazhuar, në këtë kontekst, nuk është aspak e ideologjizuar, por është më njerëzore.

3. Ka arsye të forta të mendohet se guximi është pjesë përbërëse e këtij profesioni. Gazetari raporton për ngjarje ku ka shumë palë të ballafaquara e të konfrontuara. Sado objektiv që të jetë në raportimin e tij, ndonjëra palë do të mbetet e pakënaqur ose e irrituar. Pala e pakënaqur mund të bëjë reagime, mund të ngrejë padi gjyqësore, mund të telefonojë në redaksi, mund të bëjë presion me telefon mbi gazetarin, mund të adresojë kërcënime anonime.

ILUSTRIME

1. Intervista e autorit të librit dhënë gazetës “Bota Sot” në të cilën motoja, titujt dhe mestitujt janë krejtësisht në kundërshtim me përmbajtjen e intervistës.

2. Formimi intelektual: gjenerata e parë e studentëve të Degës së Gazetarisë në Universitetin Publik të Prishtinës

DETYRA

1. Gjeni në gazetat ditore shembuj të gazetarit që identifikohet për ndershmëri në raportim!

2. Gjeni në gazetat ditore shembuj të gazetarit që identifikohet për guxim

në raportim!

3. Merrni një intervistë dhe analizoni a përputhen titulli, motoja, mestitujt dhe boxet, me përmbajtjet që ka dhënë i intervistuari, apo janë ndryshe nga fjalët e të intervistuarit.