Ballina Aktuale MEDITIM PËR DITURINË, NË KOHË PANDEMIE

MEDITIM PËR DITURINË, NË KOHË PANDEMIE

SHPËRNDAJE

Nga Milazim KRASNIQI

Të gjitha përpjekjet që bëhen për të përballuar problemet dhe fatkeqësitë e shumta me të cilat ballafaqohet njerëzimi, sado që paketohen si të mirëstudiuara, prapë janë vetëm përpjekje parciale. Pra edhe përpjekjet e sotme për të përballuar goditjen e koronavirusit, janë gjithnjë e gjithkund vetëm parciale. Të tilla janë edhe përpjekjet kundër ndotjes së ambientit, përpjekjet kundër padrejtësive racore, fetare, sociale, kombëtare. Të tilla janë edhe përpjekjet e fisme për më shumë liri e barazi, pra, edeh ato janë vetëm parciale. (Edhe vetë OKB-ja është vetëm një organizatë parciale.) 

E vetmja zgjidhje që do të ofronte mundësinë që problemet të zgjidhen si tërësi, edhe në rastin e panemsië së fundit, është të kuptuarit e njerëzve se duhet të zbatojnë me përpikëri urdhërat e Zotit. Urdhërat që janë në Shpalljen Hyjnore. Në ato shpallje ka udhëzime edhe se si duhet të zhvillohet dituria, e cila në çdo rast duhet të kuptohet e të përjetohet vetëm si adhurim ndaj Zotit. Vetëm në atë rast dituria mund të shndërrohet në përpjekje universale për zgjidhjen  problemeve dhe tejkalimin e fatkeqësive me të cilat ballafaqohet njerëzimi. Si pjesë e pakos së misionit që Zoti ia ka ngarkuar njeriut si mëkëmbës i Zotit në Tokë. Atë mision Zoti nuk ia ka ngarkuar njeriut për të shpërdoruar njeriu diturinë, duke shkatërruar ambientin, duke ngrënë cofëtina, duke shtypur të dobëtit e të varfrit, duke dhunuar lirinë e njëri-tjetrit.  Prandaj, nëse dituria mbetet si instrument në garën e fuqisë dhe të padrejtësisë, sikundër është duke u zhvilluar dituria e sotme, madje edhe kjo për koronavirusin, ajo kurrë nuk do të realizojë mundësitë e veta. Do të ofrojë zgjidhje parciale, e cila do të funksionojë vetëm deri në problemin ose fatkeqësinë e radhës. Kështu është që kur njerëzit kanë braktisur urdhrat e Zotit të Botëve. Kështu do  të jetë sot e në të ardhmen, sepse ligjet e Zotit nuk ndryshojnë. 

Për aq sa do të vazhdojë injorimi dhe refuzimi i ligjeve të Zotit, për aq do të vazhdojë fatkeqësia e njerëzve. Njëra nga njoftimet e Zotit, që është në nivel të ligjit, është se të mirat njeriut i vijnë nga Zoti, ndërsa të këqijat njeriu ia shkakton vetvetes. Qysh e tek ndodhë ky vetëdëmtim dhe vetëlëndim i njeriut, kjo është të merresh me pasojat, pa e kuptuar shkakun. Fatkeqësisht pjesa më e madhe e dijes së sotme shkencore mirret vetëm me pasojat. Edhe në rastin e koronavirusit është duke ndodhë njësoj. Fjala vjen, fakti që përhapja e pandemisë ka filluar nga ngrënia e lakuriqëve të natës në Vuhan të Kinës është vetëm pasojë. Shkaku është gjetkë. Shkaku është te mosrespektimi  i urdhrit të Zotit që të hahen vetëm ushqime të pastërta. Dhe përtej kësaj, te  shkaku themelor: te mosnjohja e Zotit Një. Sforcimi i besimeve të kota në idhuj e në mite, pashmangshëm shpie drejt padrejtësisë, dhunës, arrogancës, makutërisë, fëlliqnisë dhe përfundimisht dëmtimit të vetes.

Prandaj edhe kjo fatkeqësi e fundit, tronditëse në formën dhe përmbajtjen e saj, është rast për meditim dhe reflektim të secilit njeri, duke përfshirë në rend të parë dijetarët. Secili duhet ta kuptojë edhe nga ky rast, ku një virus i padukshëm ka tronditur gjithë njerëzimin e gjithë planetin, se nuk ka shpëtim e as dituri të vërtetë, pa e kuptuar të vërtetën absolute: Nuk ka Zoti tjetër përveç Zotit. (Mund ta themi në secilën gjuhë, kuptimi është gjithmonë i njëjtë, monoteizmi i pastër.) Në këtë rast bëhet e qartë se edhe dituria buron prej Zotit. E pra, ajo dituri që ka vulë Hyjnore, nuk është klasore, nuk është parciale, nuk është vetëm shtetërore, nuk është vetëm kombëtare. Ajo është dituri universale. Dhe është shpëtimtare. Për secilën sprovë. Për secilin problem. Pra edhe për pandeminë e koronavirusit. Sigurisht edhe për lidhjen e tij me ndotjen e ambientit, që doli si “zbulimi” më i ri i OBSH-së. Një zbulim parcial dhe pothuajse naiv edhe ky. Jo vetëm në rastin e këtij “zbulimi” , po në tërësi OBSH-ja, definitivisht është vetëm një organizatë parciale,me dituri parciale dhe pa integritet moral. Rrjedhimisht, lidhur me pandeminë e koronavirusit, shkencëtarët me besim monoteist duhet urgjentisht të krijojnë një kornizë shkencore universale, me burim te Shpallja Hyjnore, në raport me dijen parciale dhe kundërthënëse, që e ka burimin te OBSH-ja dhe që po zbatohet në mënyrë fanatike e abuzive nga vartësit e saj miopë. (28 korrik 2020)