Ballina Aktuale Njih një grua që frymëzon: ARTA MAXHUNI

Njih një grua që frymëzon: ARTA MAXHUNI

SHPËRNDAJE

Arta Maxhuni ka kryer Fakultetin e Filologjisë – Degën e Gazetarisë, në Universitetin e Prishtinës. Është recensente e katër librave: “Gjunjët”, Sali Bytyçi (çmimi vjetor për letërsi, “Anton Pashku”, 2018), “Bum!”, Shend Kryeziu, “Rapsodi të një kënge të papërfunduar”, Arben S. Kadriu, “Koha bun te njerëzit”, Sali Bytyçi (është dorëzuar për botim në Ministrinë e Kulturës). Gjithashtu, Arta është autore e artikujve mbi shoqërinë në blogun “Sbunker” dhe poete që ka një verb të veçantë poetik, krijimtaria e së cilës publikohet në revista të ndryshme letrare-kulturore, në Kosovë e Shqipëri.

1.Cila është ëndrra, frika, shpresa dhe pendimi yt më i madh?

Ëndrën e madhe përditë e përkund, me shpresë që të mos mbetet vetëm një iluzion që s’i zihet besë. Frikën e madhe u bë kohë që nuk e ushqej, se nuk është lëndë e parë që do të më vinte në lëvizje të udhëtoj kah lindja, e pendimet t’i lë në drejtim të kundërt.

2.Si do të doje të të mbanin mend njerëzit?

Ëndërroj t’ia mbush zemrën dhe librin mbesës sime, e cila më thotë shkrimtare.

3. Si të përshkruajnë njerëzit që të duan? Si të përshkruajnë njerëzit që nuk të duan? 

Nuk është e hijshme t’i them. Të dyja palëve për kusur ua kthej me buzëqeshje.

4. Çfarë duhet të ketë secila grua?

Të gjitha mendimet e bukura që ju mbyten në jastëk.

5. A mendon se personaliteti i një gruaje shpërfaqet në veshjen e saj? Nëse po, si?

Asnjë grua, asnjëherë, askund, me askënd, nuk duhet t’i ul standardet e veta, duke përfshirë dhe ato të veshjes. Përmes veshjes ajo tregon sa të çmuar e ka trupin që i mban shpirtin, i cili fton në nderim.

6. Cila është fuqia më e madhe e të qenit grua?

“Rilind nga hiri.”

7. Çfarë mendon për glorifikimin e vetëmohimit të gruas? A është gruaja nga natyra flijuese e vetëmohuese, apo janë rrethant ato që ia imponojnë këtë?

Për nga natyra gruaja është flijuese, por kjo shpeshherë iu imponua. E kaluara jonë është e pasur me histori grash që sakrifikuan për familjen, mjedisin dhe shoqërinë. Me vetmohim, dashuri, përkushtim, lindën, rritën e ngritën një komb.

8. A është lindja dhe rritja e një njeriu puna më e madhe që mund të bëjë një grua? A duhet gratë të definohen me rolin e amësisë?

Mendoj që nuk ka punë më të zorshme se lindja dhe rritja e një njeriu – amësia është mirënjohje që nuk perëndon kurrë, porse, ky rol nuk i definon dhe nuk do të duhej t’i definojë gratë. Nuk dua kurrë ta mësoj numrin e atyre grave dhe vajzave që cepi i syrit nuk iu zë tej shtëpisë, kuzhinës, rritjes së fëmijëve e livadhit.

9. “Shtëpia duhet të jetë qendra, por jo kufiri i një gruaje.” Si e komenton këtë thënie?

Shtëpia është qendra e të gjithëve, kufiri i askujt.

10. Një grua nga e kaluara që të frymëzon?

Ajo me gëzimin nën buzë. Ajo që me një gjilpër mbajti shtëpinë. Ajo që deshti shkollën e mësoi me të bijën. Ajo me fytyrë si zambak i këputun që pickoi faqen çehrja me i ardhë. Ajo për të cilën s’u gjet fjalë për varg e himn. Sa e sa prej tyre do të ishin hapi që na kish thirr, nëse fjalët e përbimie nuk i kishin kthy në “qilim të shkelur”.

11. Po të ishe fjalë, cila fjalë do të ishe?

Art.

12. Po të ishe një artikull veshjesh, çfarë do të ishe?

Kapelë.

13. Nëse do të duhej të dëgjoje vetëm një këngë gjithë jetën, cilën do ta zgjidhje?

Ludovico Einaudi – “Fairytale”.

14. A mendon se shoqëria ka standarde të dyfishta për gratë dhe burrat? Si ballafaqohesh me diskriminimin gjinor?

Po dhe po. Ka standarde të dyfishta për gratë dhe burrat. Rebelohem kur vihem bri dallimit (diskriminimit) gjinor.

15. Si e mendon organizimin ideal të jetës në familje dhe shoqëri? A mendon se duhet të ekzistojnë rolet gjinore? Pse?

Familja dhe shoqëria shqiptare duhet të ndërgjegjësohet në krijimin e një mjedisi që ofron diversitet në marrëdhëniet ndërnjerëzore. Gjithsecili duhet ta ketë përkrahjen, mundësinë dhe lirinë ta formojë rolin gjinor si shembull vetjak.

16. Si ballafaqohesh me tundimet?

Tundimet ma lëkundin vetbesimin, por kurrë nuk harroj të besoj se jam e dashur, kreative, e rëndësishme. Besimi në vete është çelësi. Magji është.

17. Si ballafaqohesh me pasiguritë dhe dyshimet mbi veten?

Pasiguritë dhe dyshimet më bëjnë t’i bëj fjali dyshimore vetes, por nuk i mbajë gjatë, i rrok përdore dhe i dal jetës, vetëm kështu ikun.

18. Çfarë është miqësia për ty?

Dashamirësi e ndërsjellë, lidhje e ngushtë, e çiltër, e pastër. Kur ngushëllimin e ke larg një telefonate, kur nga të qeshurat të ftohet kafja. Lum ata që ndër biseda ju zë llafin “miqësi e vjetër”.

19. Në cilën periudhë të historisë dhe në cilin vend do të doje të jetoje?

Në periudhën e Rilindjes Evropiane, zhvillimi i së cilës nisi nga Firenca midis fundit të Mesjetës dhe fillimit të kohës moderne. Etapë që çoi në një frymë të re të konceptimit të botës, njeriut, arteve, politikës, filozofisë dhe shkencave.

20. Kush janë hero-inat/njtë e tu/a?

Heronjtë-heroinat kanë mbetë në histori, libra e filma. Bëj heroinën e vetvetes.

21. Si do ta zgjidhje problemin e urisë në botë?

Pangopësinë prej ujku të një shtrese do ta barazoja me shtresën ku mbretëron varfëria.

22. Cili trend i momentit do të mund ta sillte fundin e botës siç e njohim?

Nuk jam mendje parashikuese.

23. Si do të dukej bota nëse do ta udhëhiqje ti?

Sikur çmbështillet lëmshi.

24. A të mrekullon jeta? Ku e gjen domethënien e saj?

Jeta m’i hap rrugë një ditë të re çdoherë kur dielli më përqafon me rrezen e parë që i bie dritarës sime.

25. Si do të doje të vdisje?

Të isha unë te un’-et e mia.

26. Po të kishe super fuqi, çfarë fuqish do të doje?

Njerëzve do t’ua fshija vesin e interesit.

27. Çfarë është një gjë që ti e beson si të vërtetë, por që pak njerëz e besojnë si të tillë?

“Të gjithë njerëzit janë të lavdishëm, të gjithë njerëzit janë të zakonshëm.”

28. Si e mendon takimin tënd me Zotin?

Veç mendimeve vegimtare, si qenie njerëzore s’mund të përceptoj më shumë./supergrate.net/