Ballina Aktuale Me përvjetorët e lavdisë kombëtare

Me përvjetorët e lavdisë kombëtare

SHPËRNDAJE

Sot është një ditë pikëllime dhe krenarie për shqiptarët e Luginës së Preshevës, sepse pikërisht, më 26 janar të vitit 2000, në Dobrosin, u varrosën vëllezërit Saqipi, të vrarë nga forcat serbe, si dhe u shfaq për herë të parë publikisht Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB).

Akti i vrasjes së vëllezërve Saqipi, të cilët ishin duke bartur dru për dimër, në tokën e tyre, pa i pasur hak askujt, shkaktoi një hidhërim të paparë tek banorët e kësaj zone dhe më gjerë, si dhe shtoi më shumë frikën dhe pasigurinë se mund të përsëriteshin skenat e dikurshme, të padëshiruara për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Në ceremonialin e varrimit të vëllezërve Saqipi, merrnin pjesë përfaqësues nga skena politike shqiptare, ushtarake dhe shoqëria civile, si dhe u paraqitën disa fjalime, nga të cilat dolën mesazhe me rëndësi për banorët e zonës kufitare Kosovë-Serbi.

Në momentet, pas varrimit të vëllezërve të pafajshëm Saqipi, në mesin e atyre që mbajtën fjalim, shquhet edhe diskutimi i Myftiut të Luginës së Preshevës, Nexhmedin ef. Saqipi, i cili foli për paqe dhe tolerancë.

Myftiu Saqipi, reagoi ashpër për vrasjen e vëllezërve Saqipi, duke kërkuar zbardhjen e këtij rasti, në mënyrë që dorasit të nxirren para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar, si dhe kërkoi nga të pranishmit të jenë sa më vigjilentë dhe më të kujdesshëm, në mënyrë që mos të riktheheshin incidentet, jo të favorshme për zgjidhjen e problemeve të grumbulluara prej vitesh të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, njofton Jetapress.