Ballina Lajme Nga Rajoni Ambasadori rus në Beograd: Moska po bën gjithçka për ta penguar Kosovën

Ambasadori rus në Beograd: Moska po bën gjithçka për ta penguar Kosovën

SHPËRNDAJE

Ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandar Bocan-Harçenko, situatën në Kosovë dhe në Bosnje Hercegovinë e ka konsideruar si shumë shqetësuese.

Në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, ai ka thënë se qasja e Beogradit në dialogun me Kosovën është e drejtë dhe se arritja e një marrëveshjeje është e domosdoshme, të cilën, sipas tij, mund ta konfirmojë Këshilli i Sigurimit i OKB-së, e e cila “në rend të parë do t’i kënaqë interesat nacionale të Beogradit”, transmeton Zeri.info.

Ai thotë se mesazhet e Perëndimit ku insistohet për njohjen e pavarësisë së Kosovës nuk inkurajojnë, por thekson se ata gjithashtu po përpiqen të privojnë Republika Srpskan nga kompetencat e garantuara nga Marrëveshja e Dejtonit dhe ai thotë se Rusia, në kontaktet e saj me partnerët ndërkombëtarë, po “shtyn” një pozicion që i përshtatet Beogradit.

“Rusia nuk është pjesëmarrëse në dialog, por është anëtare e përhershme e KS të OKB-së dhe e përcjellë situatën në Kosovë e Metohi me këmbime të përhershme dhe shumë të mira të informatave dhe mendimeve me Beogradin, siç ka qenë rasti edhe në bisedën telefonike mes presidentit rus dhe atij serb, Vladimir Putin dhe Aleksandar Vuçiq, para disa ditësh”, thotë Bocan-Harçenko.

Ai shton se Rusia, si anëtare e përhershme e KS të OKB-së dhe anëtare e organizatave tjera ndërkombëtare, angazhohet për të penguar anëtarësimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare dhe për njohje tjera të pavarësisë.

Ambasadori rus në Beograd tha se rasti më i freskët i angazhimit rus në këtë çështje është edhe biseda mes shefit të diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, me përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell në Moskë para disa ditësh, ku thotë të jetë paraqitur, mes tjerash, edhe qëndrimi rus për Ballkanin Perëndimor.

“Ministri Lavrov ka folur për pamundësinë e presioneve dhe shkeljeve të sovranitetit në Ballkanin Perëndimor, duke pasur parasysh, përveç KeM, edhe çështjen e BeH-së dhe aktivitetet e tepruara të Përfaqësuesit të Lartë. Këtë e shohim si përzierje në punët e brendshme të BeH-së, e cila është shtet i pavarur e jo protektorat”, deklaroi ai.

Ai mendon se ka shumë çështje të hapura në rajon dhe se problemet nuk janë të reja, por që ka “gjithnjë e më shumë presion dhe deklarata të papranueshme që vijnë nga Prishtina, BeH, por edhe nga Perëndimi”, ndërsa situatën politike në Kosovë, diplomati rus e sheh si “të paqëndrueshme” duke qenë se e vështirë të parashikohet se kur do të vazhdojë dialogu me Serbinë, nën kujdesin e Bashkimit Evropian, dhe cilat do të jenë rezultatet e tij.

“Në KeM ka zgjedhje, në këtë moment dialogu nuk është i mundur dhe ky është edhe qëndrimi i Miroslav Lajçakut dhe i BE-së. Nuk dihet se kur do të vazhdojë dialogu, dhe është e vështirë të thuhet se cilat do të jenë rezultatet. Situata në Kosovë nuk është përmirësuar për banorët serbë, nuk ka ndjenjë sigurie, ndërsa ka tensione të shumta nga ana e elitës politike kosovaro-shqiptare”, u shpreh Bocan-Harçenko, transmeton Zeri.info.

Ai shton se “mesazhet shqetësuese nga Prishtina, por edhe nga disa vende perëndimore, që zgjidhja e nyjës së Kosovës gjoja është e mundur vetëm me njohjen e të ashtuquajturës pavarësi të Kosovës” janë “shqetësuese se çështjet e tjera mbeten “dytësore” dhe se thuhet se do të zgjidhen pas njohjes”.

Sipas tij, zgjidhja afatgjate dhe e drejtë e “çështjes së Kosovës” mund të arrihet vetëm në kuadër të së drejtës ndërkombëtare, rrjedhimit rezolutës 1244 të KS të OKB-së. /Zëri