Ballina Lajme Presidenti Biden telefonon mbretin Salman ndërsa SHBA-të po rishikojnë marrëdhëniet me sauditët

Presidenti Biden telefonon mbretin Salman ndërsa SHBA-të po rishikojnë marrëdhëniet me sauditët

SHPËRNDAJE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, telefonoi mbretin Salman të Arabisë Saudite, ndërsa administrata e tij pritet të publikojë një version të deklasifikuar të mandatuar nga kongresi të një raporti të zbulimit, që pritet të vërë në pah se i biri i mbretit, princi i Kurorës, Mohammed bin Salman, ka miratuar vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, në vitin 2018.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, gjatë bisedës telefonike, presidenti Biden dhe mbreti Salman “diskutuan mbi sigurinë rajonale, duke përfshirë përpjekjet e ripërtërira diplomatike të drejtuara nga Kombet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës në Jemen dhe angazhimin amerikan për të ndihmuar Arabinë Saudite që të mbrojë territorin e saj, teksa përballet me sulme nga grupe të lidhura me Iranin”.

Njoftimi i Shtëpisë së Bardhë mbi telefonatën, vuri në dukje lirimin e fundit të disa aktivistëve amerikanë sauditë dhe veprimtares saudite për të drejtat e grave, Loujain al-Hathloul nga paraburgimi dhe pohoi rëndësinë që Shtetet e Bashkuara u kushtojnë të drejtave universale të njeriut dhe sundimit të ligjit.

Njoftimi nuk përmendi raportin mbi vrasjen e Jamal Khashoggit, i planifikuar për t’u publikuar pas telefonatës.

Shtëpia e Bardhë nuk dha një shpjegim se pse njoftimi nuk përmendi Khashoggin, i cili ishte një banor i ligjshëm i Shteteve të Bashkuara dhe me fëmijë me shtetësi amerikane.

Jamal Khashoggi, kolumnist në Washington Post, u josh në konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor 2018 dhe u vra nga një ekip operativësh të lidhur me princin e kurorës. Ata më pas e copëtuan trupin e tij. Eshtrat e tij nuk u gjetën kurrë.

Riadi përfundimisht pranoi se gazetari Khashoggi u vra gabimisht në një operacion që shkoi keq, por mohoi çdo përfshirje të princit të kurorës

Roli i princit të kurorës, i njohur nga nistoret e tij MBS, në vrasjen e Jamal Khashoggit, është subjekt i raporteve të medias që nga fundi i vitit 2018.

Administrata e ish presidentit Donald Trump hodhi poshtë kërkesat e ligjvënësve për të publikuar një version të deklasifikuar të raportit, pasi që Shtëpia e Bardhë i dha përparësi shitjes së armëve në mbretëri dhe aleancës me Riadin, mes tensioneve në rritje të Shteteve të Bashkuara me rivalin e saj rajonal, Iranin.

Rivlerësimi i marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite, dhe synimi për të vënë theksin tek të drejtat e njeriut, është një zotim fushate i presidentit Biden.

Që nga marrja e detyrës, ai i ka dhënë fund shitjes së armëve që Riadi mund të përdorë në Jemen dhe emëroi diplomatin veteran Timothy Lenderking si të dërguarin e posaçëm për të udhëhequr përpjekjet e diplomacisë amerikane “për t’i dhënë fund luftës në Jemen, një luftë e cila ka krijuar katastrofë humanitare”.

“Presidenti Biden dëshiron të jetë i qartë se rruga e vjetër nuk është rrugë e re,” tha Gerald Feierstein, nënkryetar i Institutit për Lindjen e Mesme.