Ballina Aktuale Borrell: BE-ja s’ka kapacitet ta ndalë konfliktin Izrael – Palestinë, vetëm SHBA-ja...

Borrell: BE-ja s’ka kapacitet ta ndalë konfliktin Izrael – Palestinë, vetëm SHBA-ja mund ta bëjë këtë

SHPËRNDAJE

Bashkimi Evropian nuk ka kapacitet për të zgjidhur situatën aktuale të tensionuar në Lindjen e Mesme. Këtë konflikt mes Izraelit dhe Palestinës mund ta zgjidhë vetëm SHBA-ja, “nëse dëshiron”.

Kështu është shprehur përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, gjatë ditës së djeshme, raporton EFE-ja (Agjencia Spanjolle Ndërkombëtare e Lajmeve).

“Bëjmë thirrje për përfundim të tensionit, konfliktit dhe vdekjeve të civilëve, por i vetmi vend që aktualisht e ka kapacitetin t’i bëjë presion Izraelit është SHBA-ja. Evropa nuk e ka këtë kapacitet tash e një kohë të gjatë”, tha Borrelli në një forum të organizuar nga instituti “Royal Elcano”, transmeton Zeri.info.

Borrelli tha se sa më shumë ditë që kalojnë, zgjidhja e këtij konflikti është më e vështirë “nëse një zgjidhje e tillë ekziston”.

Sipas zyrtarit të BE-së, “bota ka shikuar anash për shumë vite dhe ka dashur të harrojë konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës, por problemi është ende aty dhe ajo që po ndodh tani është manifestim i dëshpërimit të popullit palestinez, i cili nuk sheh zgjidhje me shanse për sukses nga situata në të cilën gjendet”.

Borrelli ka bërë thirrje që të mos përçmohet kontributi financiar i Brukselit dhe mbështetja humanitare, pa të cilën “situata do të ishte shumë më keq”, por pranoi se ai është i vetëdijshëm se kjo “nuk e zgjidh problemin”.

Në konfliktin mes dy vendeve, që ka nisur të hënën e kaluar, që është situata më e rëndë në vitet e fundit, sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, jetën e kanë humbur 119 palestinezë, duke përfshirë 31 fëmijë dhe 19 gra, nga bombardimet izraelite, dhe mbi 800 persona janë plagosur.

Në Izrael, ndërkaq, jetën e kanë humbur deri më tani 8 persona, sipas mediave ndërkombëtare. /Zëri/