Ballina Aktuale Arabia Saudite ua ndalon xhamive zërin e lartë gjatë lutjeve

Arabia Saudite ua ndalon xhamive zërin e lartë gjatë lutjeve

SHPËRNDAJE

Ministria e Çështjeve Islamike në Arabinë Saudite ka lëshuar një urdhër që ua kufizon xhamive përdorimin e altoparlantëve të jashtëm gjatë thirrjeve për lutje.

Ministri saudit, Sheikh Dr Abullatif bin Abdulaziz Al Sheikh, lëshoi qarkoren të dielën, duke u thënë xhamive që të sigurohen se volumi “nuk e tejkalon një të tretën e volumit maksimal të altoparlantëve”, raporton “Thenationalnews”.

Ministria ka qenë e shqetësuar me përdorimin e altoparlantëve të jashtëm gjatë lutjeve, gjë e cila mund të afektojë personat e cenueshëm, të moshuarit dhe fëmijët që jetojnë në afërsi të tyre [xhamive], transmeton Zeri.info.

Po ashtu problem ka paraqitur edhe ndërhyrja e altoparlantëve me lutjet në xhamitë e afërta.

“Në Islam na duhet të sigurohemi se jemi burim i paqes dhe i rehatisë për të gjithë”, ka thënë Redhami, amerikane me banim ne Jeddah, për “The National”.

“Edhe zëri është pjesë e saj. Nëse lutjet, që shkojnë nga 10 deri në 15 minuta, lëshohen me zë të lartë nëpër altoparlantë, mund të shkaktojë parehati për ata që jetojnë në afërsi të xhamive, e këtu përfshihen edhe myslimanët edhe jomyslimanët”.

Qarkorja tha se vendimi është i bazuar në ligjin islamik dhe në thënien e Profetit Mohammed se edhe në kohën sa besimtarët janë duke u lutur, ata nuk duhet të lëndojnë ose të shkaktojnë ndonjë parehati ndaj të tjerëve përmes recitimeve me zë të lartë gjatë lutjes.

Aty theksohet se zëri i imamit duhet të dëgjohet nga të gjithë personat brenda xhamisë gjatë faljes dhe se i njëjti nuk ka nevojë të dëgjohet në shtëpitë përreth ose jashtë xhamisë.

“Gjithmonë jam hamendur se përse altoparlantët lëshojnë zë aq të lartë. Nuk është garë mes imamëve të xhamive të ndryshme”, ka thënë Haya Idreesi, banore e Jeddahit.

“Ka raste kur lutja është me aq zë të lartë, saqë mund t’i dëgjoj dy xhami në të njëjtën kohë, prandaj nuk është vetëm zëri i lartë, por edhe zëri i dyfishtë ai që mund të shmanget shumë lehtë. E mirëpres këtë vendim. Është vërtet shumë i mirëseardhur dhe paraqet mësimet dhe vlerat e vërteta të Islamit”.

Arabia Saudite ka më shumë se 98.800 xhami, duke përfshirë edhe xhamitë më të rëndësishme të Islamit, si Xhamia e Madhe në Mekë dhe Xhamia e Profetit në Medinë. /Zëri/