Ballina Aktuale Nga këndi politik i Adil Behramajt

Nga këndi politik i Adil Behramajt

SHPËRNDAJE

Lëmosha

Shteti nuk mbahet duke ua falur gjobat qytetarëve. Por, sipas tyre, mbahet duke ua paguar rrymën serbëve të veriut në mbi 20 milionë euro. Plot dy vjet qytetarët u lanë në mëshirë të fatit dhe humbën vendet e punës. Atyre iu cenuan edhe të drejtat elementare dhe deri para një viti u gjobitën pa kurrfarë baze ligjore.

Shteti, sipas kësaj Qeverie, mbahet duke grumbulluar nga dënimet e qytetarëve në pandemi më shumë se duke shpërndarë te bizneset me pakon e rimëkëmbjes. Shteti, sipas kësaj Qeverie, mbahet duke i dënuar qytetarët dhe mbështetur oligarkët!

Liberalizimi

BE-së iu deshën tetë javë për ta uruar zgjedhjen e Presidentes së Kosovës. Paramendoni sa i duhen për ta marrë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës?

Skandali

Zëvendësja e Kurtit, siç parapëlqen ta quaj ai, Donika Gërvalla-Schwarz, njëherësh kryediplomate e Kosovës, është fytyra e pa skuqur e kësaj qeverie, brenda dhe jashtë. Ajo ta shembë çdo pritje. Edhe kur pret që një ditë nuk do të prodhojë skandal, ajo edhe këtë pritje ta rrënon. Gjuha e kësaj qeverie është identike me gjuhën e Prokurorisë së Speciales në Hagë.

“Gjykata Speciale e UÇK-së si proces i shërimit të shoqërisë”, është titulli i intervistës së saj në gazetën zvicerane NZZ, që është ndër gazetat më me ndikim në Evropë. Por, çdo ditë e më shumë po bindemi, që vetë kryediplomatja Schwarz ka më së shumti nevojë për shërim. Ajo dhe shumica e anëtarëve të kësaj qeverie, bashkë me homologët e tyre nga Serbia, kanë nevojë për shërim me terapi grupore nga urrejtja patologjike kundër UÇK-së!

Opozita

Opozitën e quajti të paaftë në Kuvendin e Kosovës. Por, BE-së po i thotë që pa opozitën nuk mund ta kalojë asnjë marrëveshje me Serbinë. Sa ishte vetë në opozitë, i quante edhe tradhtarë kur ata dialogonin me Serbinë. Çka po i duhen tash tradhtarët dhe të paaftit në ekipin e tij të dialogut?

I vetëdijshëm që nuk e ka autoritetin e duhur dhe as respektin e tyre, Kurti po mundohet që përmes presionit të Palmerit dhe Lajçakut ta përfshijë detyrimisht edhe opozitën në dialog!/ Përcjell Portali Informativ Jetapress/