Ballina Aktuale Trashëgimia e Angela Merkelit në Ballkan

Trashëgimia e Angela Merkelit në Ballkan

SHPËRNDAJE

Më 5 korrik kancelarja gjermane do të bisedojë për herë të fundit me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, një nga nismat më të rëndësishme të saj të politikës së jashtme.

“Pajtohuni!”, kjo ishte fjala e fundit e kancelares gjermane, Agela Merkel, në konferencën e shtypit të Samitit në Sofje, në nëntor 2020.

Me këtë ajo iu drejtua dy organizatorëve të samitit të gjashtë të Procesit të Berlinit, kryeministrave të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, Bojko Borisov dhe Zoran Zaev. Megjithë atmosferën miqësore në samit, ata nuk kishin arritur të gjenin një zgjidhje për mosmarrëveshjen mbi interpretimin e historisë. Bllokada e Bullgarisë ndaj fillimit të negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE është ende në fuqi.

Mbështetje për rrugën e BE-së

Edhe në gushtin e vitit 2014, kur kancelarja gjermane ftoi për herë të parë në Berlin udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Maqedonia e Veriut (emërtimi i sotëm), Mali i Zi dhe Serbi) kishte shumë bllokada dhe rezerva ndaj zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria sapo kishte marrë statusin e kandidatit, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi e kishin ndërkohë, Kosova dhe Bosnje-Hercegovina po bisedonin për përmbylljen e Marrëveshjes së Asociim Stabilizimit, e cila do të nënshkruhej një vit më pas. Këto vende duheshin mbajtur në rrugën evropiane, megjithë rezistencën e vendeve anëtare. Kështu lindi Procesi i Berlinit.

Pak përparime drejt BE-së

Që nga takimi i parë vijuan çdo vit takime në të njëjtin format: gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Komisioni i BE-së dhe përfaqësues të disa vendeve anëtare, që ndiheshin të lidhura me temën në një farë mënyre, qoftë për shkak të afërsisë së tyre gjeografike (Kroacia, Bullgaria), qoftë për shkak të profilit të tyre në politikën e jashtme të BE-së (Gjermania, Franca, Austria, Britania e Madhe (në atë kohë akoma në BE) Italia ose më vonë edhe Polonia). As në këtë vit të shtatë të Procesit të Berlinit, zgjerimi nuk ka bërë shumë përparime: Kështu që Procesit të Berlinit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të riprodhojë vetveten.

Formati, në të cilin do të vijojë trashëgimia e kancelares pas largimit të saj nga detyra në vjeshtën e këtij viti, do të njoftohet përfundimisht pas takimit të kancelares Merkel me homologët e saj, por mesazhi që do të dalë nga ky takim është i qartë: „Ai do të ritheksojë perspektivën e Ballkanit Perëndimor në BE dhe do të konfirmojë vijimësinë e Procesit të Berlinit”, tha për DW, Katja Leikert, nënkryetare e grupit parlamentar CDU / CSU, në Bundestagun Gjerman dhe përgjegjëse për politikat e BE-së.

Ofensiva diplomatike

Samiti i së hënës është pika kulmore e një serie takimesh parapërgatitore. “Në qershor u zhvilluan konferenca të ministrave të jashtëm, të shëndetësisë, të brendshëm dhe të ekonomisë. Pjesë e procesit është edhe një forum i shoqërisë civile dhe i rinisë”, thotë Susanne Schütz, e ngarkuara e qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor në një bisedë me DW.

Në këto konferenca është folur për bashkëpunimin në luftimin e pandemisë, luftimin e terrorizmit dhe krimit të organizuar si dhe për digjitalizimin dhe agjendën e gjelbër. Të hënën (28.06), kancelarja Angela Merkel pati biseda me udhëheqës të Shqipërisë, Serbisë, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut.