Ballina Aktuale Qeveria e Malit të Zi do të riformohet

Qeveria e Malit të Zi do të riformohet

SHPËRNDAJE

Qeveria e Malit të Zi do të riformohet. Vendimin e mori kryeministri Zdravko Krivokapiç, i cili pranoi kërkesën e dy partnerëve kryesorë të koalicionit, partisë pro-serbe Frontit Demokratik dhe Malit të Zi Demokratit.

Sipas kërkesës së tyre, qeveria e re do të ketë 18 ministri nga 12 që kishte prej formimit të saj në dhjetor të vitit të kaluar. Megjithatë, lëvizja URA e zv/Kryeministrit Dritan Abazoviç i ka kundërshtuar ndryshimet.

Me shtimin e posteve ministrore, partnerët pro-serbë në koalicion kërkojnë të kenë një rol më imponues, teksa Abazoviç e sheh këtë si një përpjekje të tyre për të devijuar nga linja pro-perëndimore, një ndër shtyllat themelore të koalicionit qeverisës.

Edhe ambasada amerikane në Podgoricë paralajmëroi për pasoja të rënda, nëse qeveria malazeze devijon nga rrugëtimi euroatlantik. Por kryeministri Krivokapiç thotë se të gjithë ministrat e rinj do t’i emërojë ai pas konsultimeve me partitë e koalicionit.

Tensionet mes partnerëve të qeverisë dolën në pah që pas shkarkimit në qershor të ish-ministrit pro-serb të drejtësisë Vladimir Leposaviç, pasi mohoi gjenocidin në Serbrenicë.