Ballina Aktuale Pushtetarët atë që e premtojnë nuk e realizojnë

Pushtetarët atë që e premtojnë nuk e realizojnë

SHPËRNDAJE

Shoqëria Civile, në krye me koordinatorin e saj Nexhmedin Saqipin, lidhur me deklaratat e disa zyrtarëve të Kosovës, se dëmet që u shkaktohen shqiptarëve të Luginës me rastin e reciprocitetit të targave me Serbisë, do të kompensohen, i konsideron të ngutshme dhe joserioze.
Në reagimin e Shoqërisë Civile bëhet e ditur se nuk kompensohen dëmet e qytetarëve shqiptarë gjatë lëvizjes në kufirin Dheu i Bardhë me donacione që u ofrohen pushteteve lokale, ngase ato nuk dihet ku përfundojnë.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës me Kosovën kanë lidhje historike, vëllazërore, familjare e miqësore, po çka i lidh kosovarët me Serbinë, që kalojnë verë e dimër, qoftë kur shkojnë në perëndim, qoftë për të rregulluar dokumentacionet letërnjoftimet dhe pasaportat me firmë të Serbisë ?!
Këtë nuk e bëjnë vetëm qytetarët e thjeshtë, por edhe disa zyrtarë që vijnë në Beograd për të nënshkruar projekte kapitale për infrastrukturë dhe harrojnë se në shtetin ku vijnë kanë marrëveshje të padefinuara e të parealizuara, nga të cilat po pësojnë qytetarët e brezit kufitar Kosovë-Serbi.
Politika aktuale e Beogradit dhe Prishtinës, krijojnë probleme artificiale, për nevojat e konsumit të brendshëm, për një marketing zgjedhor në fund të këtij viti dhe në fillim të vitit të ardhshëm. Nga një politikë e tillë e ngurtë, pa vizion dhe koncept qytetarë, po pësojnë njerëzit e kufirit në veri të Kosovës dhe në jug të Serbisë, të cilët, mjerisht, po shfrytëzohen si monedhë për kusuritje. Vetëm ata e ditë se çfarë po përjetojnë gjatë këtij reciprociteti, me gjithë frikën se mund të përsëriten konfliktet e dikurshme, të cilat askush nuk i dëshiron, thuhet në reagimin e Koordinatorit Saqipi.

Paralajmërimi i ardhjes së kryeministrit Edi Rama, të hënën në Kosovë, është një fije shprese e zgjidhjes së kësaj nyje të ngërçit politik, për t’i hapur rrugën qarkullimit të njerëzve në të dy anët e kufirit, një nga vlerat më të larta njerëzore, duke tejkaluar formulat e reciprociteteve, me të cilat nuk zgjidhen problemet, vetëm se ngatërrohen dhe komplikohen deri në ekstremitet. Akoma nuk kanë vdekur mjetet politike për zgjidhjen e problemeve me rrugë paqësore, një nga mënyrat më elegante të tejkalimit të situatës së përkeqësuar, në mungesë të një kulture demokratike dhe civilizuese, shprehet Koordinatori i Shoqërisë Civile Nexhmedin Saqipi, njofton Jetapress.