Ballina Aktuale Lotët e gëzimit – shpresa e njerëzve në nevojë

Lotët e gëzimit – shpresa e njerëzve në nevojë

SHPËRNDAJE

Solidariteti në praktikë

Në Luginën e Preshevës, veprojnë disa shoqata, që kanë karakter humanitar, të cilat në programet e tyre e kanë përkushtimin për t’u dalë në ndihmë familjeve në nevojë, të pastrehëve, të sëmurëve, jetimëve etj. Shumica prej këtyre shoqatave udhëhiqen nga njerëz, që nuk e kanë kryekëput këtë mision, por merren edhe me veprimtari të tjera parësore.

Në mesin e këtyre organizatave joqeveritare e cila gjendet në rrugë të mbarë të ushtrimit të misionit të saj bamirës dhe fisnik është Shoqata Humanitare “Lotët e Gëzimit”, e cila për dallim nga të tjerat drejtohet nga një femër me mbulesë Luljeta Hajdari, e njohur për angazhimin e saj të devotshëm, praktik dhe parimor.

Për Portalin Jetapress, znj. Luljeta u shpreh me kënaqësi se Shoqata, të cilës ajo i prinë, është themeluar në janar të vitit 2020. Në vazhdim ajo theksoi se kjo shoqatë humanitare është formuar vetëm për Luginë të Preshevës e që përfshihen: Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, pikësynimi i së cilës është të ndihmohen të gjithë ata që janë adresuar tek ne.

Më tej, vazhdon Luljeta, përmes kësaj shoqate ndihmohen edhe ata, të cilët ende janë të mbështetur dhe lidhur për Litarin e Allahut dhe s’kanë asnjë shpresë pos Mëshiruesit. Gjithashtu, ndihmohen të gjithë ata të cilët përballen me probleme jetësore e njëra nder to është edhe varfëria.

Sipas programit të shoqatës do të ndihmohen të gjithë ata që nuk duan t’u preket krenaria nëpërmjet kamerave, të ndihmohen të gjithë ata të cilët paragjykohen e gjykohen nga njerëzit në lloj- lloj mënyra. Po ashtu, të ndihmohen të gjithë ata të cilët kanë nevojë, duke mos e përzier politikën në çështjen e bamirësisë dhe së fundi të ndihmohen të gjithë ata të cilët vërtet kanë nevojë, duke mos shikuar çështjen e njohtësisë sepse bamirësia për Allahun është gjithëpërfshirëse dhe nuk bën dallime.

Lidhur për aktivitetet e deritashme të shoqatës znj.Luljeta, shprehet se ato janë: një banesë në qytetin e Kumanovës e cila është renovuar dhe mobiluar komplet, ku janë sistemuar tre jetima me nënën e tyre, pastaj një shtëpi për 7 anëtarë të cilët më parë kanë jetuar në depo të drunjve me kushte shumë të renda ekonomike e cila është nisur një katshe dhe ka përfunduar tri katshe fal donatorëve dhe njerëzve vullnetmirë. Po ashtu edhe blerja e një banese me shumë prej 25000 eurove për një jetim me nënën e saj, më pas edhe ndërtimi i një shtëpinë në Rahovicë, pastaj ndërtimi i një shtëpie në Norçë, ndërtimi i shtëpisë në Tërrnoc dhe kemi arritur të sigurojmë gjitha mjetet për shtimin e dy dhomave të një shtëpie në Raincë, tri shtëpi janë në ndërtim e sipër, dy janë gati në përfundim, shtëpia në Tërrnoc është hedhur pllaka e dytë dhe tani presim ta vazhdojmë me ndihmën e vëllezërve tanë të cilët kanë shprehur me ndihmuar në këtë rast.

Unë si kryetare e kësaj Shoqate, i falënderoj të gjithë ata njerëz, të cilët po japin kontributin e tyre për Allah, gjithashtu falënderoj edhe depot e ndërtimtarisë dhe desha me cek se çdo shtëpi që e kemi nisur e kemi nisur me 0 buxhet, pra shtëpitë janë nisur prej zeros. Në fund lusim Allahun e madhëruar të na e bëj më të lehtë këtë rrugëtim, këtë sakrificë në rrugë të Allahut dhe neve gjithçka e bëjmë vetëm për hir të Allahut, tha me bindje të thellë për Jetapress, znj. Luljeta Hajdari.

Redaksia e Portalit Jetapress, i dëshiron znj. Luljeta Hajdari dhe Shoqatës Humanitare “Lotët e Gëzimit”, suksese dhe mbarësi në misionin e tyre humanitar, posaçërisht në këto periudha të vështira ekonomike dhe sidomos në këtë periudhë pandemike në të cilën ndodhemi, të ndihmohen njerëzit në nevojë, e sidomos në sezonin e dimrit, i cili po na vjen, që të kenë një kulm mbi kokë dhe një mirëqenie sociale. /Nga Rejhane Rexhepi/Jetapress/