Ballina Lajme Edhe pse në rënie, numri i duhanpirësve në botë është 1.3 miliard

Edhe pse në rënie, numri i duhanpirësve në botë është 1.3 miliard

SHPËRNDAJE

Numri i duhanpirësve ka qenë në rënie të vazhdueshme vitet e fundit, por përpjekjet për të kontrolluar përdorimin e duhanit duhet të vazhdojnë për shkak të aktivizmit të industrisë së duhanit, paralajmëroi të martën Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Në vitin 2020, 1.3 miliard njerëz në mbarë botën janë duhanpirës. Kjo është 20 milionë më pak se dy vjet më parë, sipas një raporti të ri global nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

OBSH pret që rënia të vazhdojë deri në vitin 2025, kur 1.27 miliard njerëz, rreth 20 për qind e popullsisë së botës 15 vjeç e lart, do të pinë duhan. Në vitin 2000, kjo përqindje ishte ende pothuajse një e treta e popullsisë,

Duke përshëndetur rënien, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus paralajmëroi se “ende kemi një rrugë të gjatë për të bërë dhe se industria e duhanit do të bëjë gjithçka në fuqinë e saj për të mbrojtur fitimet e mëdha që bën duke shitur produktin e saj vdekjeprurës”.

Duhani vret më shumë se tetë milionë përdorues çdo vit dhe 1.2 milionë njerëz të tjerë vdesin shkaku i konsumimit të tymit (edhe pse nuk pinë duhan), sipas statistikave të OBSH-së. Numri i të vdekurve do të vazhdojë të rritet pavarësisht konsumit në rënie “sepse duhani vret ngadalë”, paralajmëron raporti.

Megjithëse numri i vdekjeve është rritur, OBSH ka mirëpritur faktin që 60 vende janë në rrugën e duhur për të arritur objektivin e një reduktimi vullnetar prej 30 për qind të konsumit midis 2010 dhe 2025, pothuajse dy herë më shumë se dy vjet më parë.