Ballina Aktuale Borelli për referendumin e Serbisë në Kosovë: Njerëzit duhet të ushtrojnë të...

Borelli për referendumin e Serbisë në Kosovë: Njerëzit duhet të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë

SHPËRNDAJE

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Josep Borell, ka shkruar në Twitter në lidhje me bisedën e djeshme me kryeministrin Albin Kurti rreth referendumit që po planifikon Republika e Serbisë ta mbajë edhe në Kosovë.

Borelli ka thënë se serbët duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë, raporton “Zëri”.

“Njerëzit duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar”, është shprehur ai, duke kujtuar se më parë ka qenë OSBE-ja që ka mbledhur votat e serbëve në Kosovë.

Në anën tjetër, për këtë bisedë Kurti mbrëmë ka treguar qëndrimin e tij.

“Serbët në Kosovë, të cilët kanë shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë nëpërmjet postës ose në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë. Një referendum në territorin sovran të një shteti tjetër nuk është praktikë e pranuar në asnjë vend demokratik”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Referendumi, të cilin Serbia do ta mbajë, ka të bëjë me disa ndryshime kushtetuese, mirëpo nuk përfshihet heqja e Kosovës nga preambula e kësaj kushtetute. /Zëri