Ballina Aktuale Politizimi i tepërt dëmton procesin zgjedhor në Tërnoc

Politizimi i tepërt dëmton procesin zgjedhor në Tërnoc

SHPËRNDAJE

Koment

Nga Nexhmedin Saqipi

Të enjten e 28 prillit, do të përsëriten zgjedhjet parlamentare në vendvotimin nr. 6, në Tërnoc. Ky rivotim erdhi si rezultat i ankesës së Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, në Gjykatën Administrative të Nishit, e cila ka rrëzuar vendimin e Komisionit Komunal Zgjedhor në Bujanoc, si dhe atë të Komisionit Republikan  Zgjedhor (KRZ) në Beograd.

Nga kjo del se Lista e Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, pavarësisht akuzave të saja se gjykatat janë të kapura nga shteti, po del se ato nganjëherë vendosin edhe në favor të tyre.

Pavarësisht zhurmës mediale dhe propagandistike në Luginë dhe rrethinë se duhet shqiptarët ta kenë një deputet në Parlamentin e Serbisë dhe ai duhet të jetë Shaip Kamberi, më meritori nga dy listat garuese shqiptare në Bujanoc e Preshevë, si duket i ka kaluar kufijtë e fushatës elektorale.

Me sa na kujtohet deri sot, askush nuk ka dal publikisht të thotë: “Mos dilni të votoni!, “Nuk na duhen shqiptarët në Parlamentin Republikan të Serbisë!” e slogane të tjera si ato: “Dilni të votoni!”, “Votimi është historik!”, “Votimi është Referendum”, “Tërnoci mundet”, “Fati i deputetit Kamberi në duart e Tërnocit”, “Fati i deputetit Kamberi në duart e Vuçiqit”  e kështu me radhë.

Të gjitha këto slogane për të pasur patjetër, të paktën, një deputet në Parlamentin e Serbisë më shumë i kanë degraduar se sa i kanë motivuar votuesit për të dalë si thonë ata “masovisht” në zgjedhje. Ndonëse kjo zhurmë mediale që ka ardhur nga vija partiake e Listës kryesuese të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, pavetëdijshëm  në vend që ta puth më shumë e ka kafshuar bartësin e listës.

Tani kur rivotimi i zgjedhjeve është në prag, elektorati i këtij vendvotimi në Tërnoc, nuk ka qenë kurrë më i përçarë, më i hutuar dhe më i dezinformuar. Në këtë drejtim mungojnë këshillat praktike, karshi atyre emocionale dhe nostalgjike. Pse t’i bëhen votuesve kaq presione, të votojnë apo të mos votojnë, kur ata e dinë obligimin e tyre qytetar. Në vendvotim garojnë dy lista, le të përcaktohen ata vetë se kë duhet votuar.

Por edhe sikur të mos shkoj deputet bartësi i Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, nuk do të ndodh Apokalipsa, Lagjja e Strugarve, ashtu si lagjet e tjera në Tërnoc dhe rrethinë, nuk do të humbin e as të fitojnë, më shumë e as më pak, se sa që i kishin edhe tre deputetë.

Humbjet dhe fitoret nuk i përcakton as një fshat qoftë ai si Tërnoci e as një rajon si Lugina e Preshevës, deri sa nuk ndërron qasja e Beogradit, për të avancuar pozitën politike të shqiptarëve sipas standardeve evropiane. Prandaj, qytetarët e Lagjes së Strugarve, mos ta marrin shumë me stres se a to të hyjnë në histori me votën e tyre, por të dalin e të votojnë të lirë, pa imponime, sipas vullnetit politik. Kaq!/Jetapress