Ballina Aktuale Delegacioni nga Kosova vizitoi Koalicionin e ashtuquajtur të Shqiptarëve të Luginës së...

Delegacioni nga Kosova vizitoi Koalicionin e ashtuquajtur të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës

SHPËRNDAJE

Të hënën e 5 shtatorit në Luginë të Preshevës, qëndroi për një vizitë zyrtare zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci, të cilët i pritën vetëm përfaqësuesit e Koalicionit të ashtuquajtur të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, por jo edhe drejtuesit e pushtetit lokal në Preshevë dhe disa parti të tjera politike e shoqata jashtëpartiake.

Vizita e zyrtarëve të Qeverisë Kurti, u zhvillua ashtu siç ishte e paraparë me agjendën e rregulluar nga Këshilli Kombëtar Shqiptar, i cili si mbështetës kryesor i Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, një sajesë e mbetur nga zgjedhjet parlamentare në Serbi të 3 prillit, anashkaloi udhëheqjen preshevare, Komunën e Medvegjës, disa parti politike, shoqata, biznese dhe media të tjera.

Nga këto injorime bizare edhe jehona e kësaj vizite nuk kaloi në frymën e mirëpritjes, tolerancës e bashkëpunimit vëllazëror, duke lënë prapa hijen e keqe të një organizimi të njëanshëm, joprofesional dhe jo etik, që bie në kundërshtim me traditën bujare të mikpritjes shqiptare.

Kjo fotografi e keqe e kësaj vizite, i qoftë me nder atyre që bënë agjendën e këtij takimi, i cili më shumë se optimizëm, krijoi një urrejtje të paparë, më të keqe se ajo e diktaturave më të egra komuniste.

Kreatorët dhe mentorët e këtij skandali, tashmë dihen dhe kanë një adresë të caktuar Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës dhe Këshilli Kombëtar Shqiptar, të cilët të joshur nga donacionet e Kosovës dhe Serbisë, bëjnë ndasi mes spektrit politik, organizatave joqeveritare, afarizmit dhe medieve, duke favorizuar vetëm ato që janë në një vijë me ta.

Këto përçarje nga më të ulëtat e historisë së këtij rajoni, nuk do të kalojnë kështu, nëse nuk përmirësohen, as në vizitat e ardhshme e as në zgjedhjet e 13 nëntorit për Këshill Kombëtar Shqiptar, pa harruar edhe regjistrimin e popullsisë një nga proceset më të rëndësishme të shoqërisë shqiptare në Luginë të Preshevës.

Kjo përçarje që vije pas kësaj vizite, e që thirret në emër të Kosovës, do të mbahet gjatë në mend, duke e përkujtuar për të keq mënyrën e dobët, të ulët, cinike dhe provokative të nikoqirëve të saj, të cilët për interesa partiake e grupore shkelën traditën tonë të mikpritjes preshevare. (Koment i Jetapresit, i cili lejohet të shpërndahet edhe në mediat tjera)