Ballina Aktuale Nga Lugina e Preshevës, nuk po ikin vetëm të rinjtë!

Nga Lugina e Preshevës, nuk po ikin vetëm të rinjtë!

SHPËRNDAJE

Lajmi për ikjen nga Lugina, të profesorit dhe gazetarit me përvojë, maestros Baki Rexhepi, për në Vjenë të Austrisë, kinse për një jetë më të mirë, sikur ka ngjallur një ndjenjë më shumë se sa shqetësimi dhe dëshpërimi.

Nëse largohen intelektualët nga Lugina e Preshevës  “për një jetë më të mirë”, kur janë të punësuar, në krahasim me disa të rinj, që nuk kanë lekë për ekzisto, atëherë nuk është në rregull me shoqërinë tonë, nuk është diçka në terezi më krahinën tonë, e cila po zbrazet në heshtje.

Njoftimi në profilin e facebook-ut të gazetarit Baki Rexhepi “Lamtumirë RTK, faleminderit të gjithëve që bashkëpunuat për gjatë 22 vjetëve sa isha pjesë e Radio Televizionit të Kosovës! Mirë u takofshim me projekte të reja…”, disa media në Luginë të Preshevës e vlerësojnë si diçka, që do t’i mungojë jetës publike dhe arsimit shqip në Luginë.

Normal se do t’i mungojë kësaj Lugine martire, mungesa e gazetarit dhe profesor Bakiut dhe shumë të tjerëve, që në njëfarë mënyre u larguan nga vendi i tyre i lindjes, nga varret e të parëve, nga pjesa e dhembjes kombëtare, për të mos u kthyer kurrë as për së gjalli, as për së vdekuri.

Ikja në heshtje e pishtarit të informimit shqip në këto hapësira të etnikumit shqiptar, të profesor Bakiut, është më shumë se një “Lamtumirë!”, është një mister që po na bren nga brenda si një kancer, i cili po e pakëson gjakun në damarët e bërthamës kombëtare, aty ku e lamë djersën, mundin e sakrificat shekullore.

Po ashtu, nuk mjaftojnë për të gëlltitur trishtimin e ikjes së gazetarit dhe profesorit të nderuar Baki Rexhepi, as epitetet se, ai, na paska qenë ‘ndër veprimtarët e parë të çështjes kombëtare në Luginë të Preshevës, gazetar i shumë mediave kombëtare e ndërkombëtare në rajon”, por askush nuk e tha një fjalë, pse ky bagazh kaq i madh i veprimtarisë jetësore të një intelektuali shumëdimensional, të mbyllet vetëm me një “Lamtumirë!” Derisa po e mbyllim këtë shkrim, po na sillen ndër mend shumë personalitete të jetës sonë politike, kulturore e arsimore, që u larguan nga Lugina e Preshevës, disa as pa lamtumirë, thjesht, nuk kanë ikur “për një jetë të mirë”, por për një hall e brengë, që po na shqetëson për ditë, apo jo?!/Jetapress/