Ballina Teknologji Çfarë është mbyllja termike e procesorëve dhe si ndikon tek performanca?

Çfarë është mbyllja termike e procesorëve dhe si ndikon tek performanca?

SHPËRNDAJE

Kurdoherë që kompjuteri po kryen detyra intensive si një lojë apo program i rëndë, procesori përdor më shumë energji për të përballur nivelin e performancës që kërkohet nga këto aplikacione.

Komponentët e fuqishëm të kompjuterëve si procesorët dhe kartat grafike kërkojnë sasi të mëdha e energjie për të shfrytëzuar gjithë potencialin e tyre.

Por efekti anësor i konsumit të qindra vat energji është sasia e madhe e nxehtësisë që çlirohet. Edhe pse zakonisht nuk përbën problem, nxehtësia e lartë mund të çojë në problem të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikojnë tek performanca.

Këtu fillon ajo që quhet mbyllja termike (thermal throttling) për të mbrojtur procesorin nga djegia dhe këtë e bën duke reduktuar performancën e sistemit.

Çfarë është mbyllja termike e procesorëve?

Kurdoherë që kompjuteri po kryen detyra intensive si një lojë apo program i rëndë, procesori përdor më shumë energji për të përballur nivelin e performancës që kërkohet nga këto aplikacione.

Sa më shumë energji të konsumojë procesori, aq më shumë nxehtësi çliron. Kur nxehtësia bëhet e tepërt për tu përballuar nga sistemi i ftohjes së kompjuterit apo laptopit tuaj, atëherë procesori fillon të reduktojë performancën.

Mbyllja termike e procesorit ndodh kur ky i fundit arrin temperaturën kritike që zakonisht është rreth 95-100 gradë celsius e disa procesorë e kanë 90 gradë celsius bazuar në specifikimin e rekomanduar nga prodhuesi i tyre.

Temperaturat përtej këtyre niveleve mund të dëmtojnë procesorin e në disa raste kompjuteri fiket vetvetiu për të mbrojtur komponentët e brendshëm.

Mbyllja termike në vetvete nuk është diçka e keqe. Sistemi funksionon sikur të ishte një valvul e cila aktivizohet në rast se rrezikohet dëmtimi i procesorit. Tek laptopët, nxehtësia është aq e lartë saqë penetron edhe tek tastiera duke bërë të pamundur përdorimin normal të tyre. Është mbyllja termike ajo që mban çdo gjë operacionale brenda limiteve të përdorimit normal të pajisjeve.

Procesorët desktop janë të kufizuar nga temperatura TjMax ose njohur si Temperatura Maksimale e Kryqëzimit Termik ku mekanizmat e brendshëm të procesorit aktivizohen për të parandaluar dëmtimin e komponentëve. Tek laptopët, vlera TjMax e procesorëve ndryshon nga modeli dhe prodhuesi.

Si ndikon mbyllja termike tek performanca?

Qëllimi kryesor i këtij mekanizmi është mbrojtja e procesorit që të mos kalojë një kufi temperature e konsideruar e rrezikshme. Kjo bëhet përmes uljes së frekuencës së procesorit që përkthehet në më pak konsum energjie dhe si rezultat çlirohet më pak nxehtësi.

Siç mund të kuptoni, kur mbyllja termike aktivizohet, procesori nuk mund të arrijë më frekuencat e tij maksimale duke ndikuar tek performanca e sistemit.

Efekti është më i dukshëm tek pajisjet e vogla të cilat kanë sistemi ftohjeje të kufizuara për shkak të madhësisë. Sesi do të ndikohet performanca nga mbyllja termike varet nga faktorë të ndryshëm si ngarkesa e procesori, sistemi i ftohjes, frekuencat bazë dhe maksimale të tij dhe energjia që konsumon.

Për shembull një laptop MSI me procesor Core i5-9300H aktivizon mbylljen termike duke luajtur Call of Duty Warzone 2.0 me lojën që sillet rreth 30-35 fps.

Humbja e performancës vjen për shkak të reduktimit të frekuencës së procesorit në 2.9Ghz krahasuar me atë maksimale që shkon deri në 4.0Ghz. konsumi i energjisë reduktohet në 23-30W kur procesori mund të konsumojë deri në 50W në performancë maksimale.

E gjitha kjo ndodh ndërsa temperatura e tij shkon në 96-97 gradë celsius, ose 3 gradë më pak se TjMax. Idealisht procesori duhet ketë një temperaturë mes 50-60 gradë celsius pa ngarkesë.

Si të parandalohet mbyllja termike?

Ekzistojnë disa mënyra dhe duke qenë se arsyeja e parë pse një procesor arrin vlerat maksimale të operimit është sistemi i ftohjes aty duhet të nisë edhe kërkimit juaj.

Pluhuri është armiku kryesor i kompjuterit tuaj. Pavarësisht nëse keni desktop apo laptop, sistemi i ftohjes nuk mund të tërheqë mjaftueshëm ajër për të mbajtur procesorin në temperatura normale.

Duhet kontrolluar nëse ventilatorët kanë akses në qarkullim ajri dhe ftohësit të mos kenë pluhur mes tyre. Riaplikimi i pastës termike është një opsion që duhet përdorur duke qenë se ajo ka për tendencë të përthahet me kalimin e kohës duke humbur efektin e saj.

Opsioni i fundit është ndërhyrja juaj në BIOS duke ulur voltazhin ose siç njihet ndryshme “undervolt” dhe që në mënyrë të drejtpërdrejtë ul konsumin e energjisë. Ky proces duhet ndjekur me kujdes sepse redukton stabilitetin e sistemit.