Ballina Aktuale Lajçak: Po bëhen përgatitje intensive që të kemi rezultate pozitive nga takimi...

Lajçak: Po bëhen përgatitje intensive që të kemi rezultate pozitive nga takimi Kurti-Vuçiq

SHPËRNDAJE

Pavarësisht se në Kosovë ka pak shpresa që takimi i ardhshëm mes Kurtit e Vuçiqit të sjellë rezultate, ndryshe mendon Miroslav Lajçak. Ai thotë se po punohet shumë  që takimi i 14 shtatorit të sjellë rezultate pozitive.

Në përmbledhjen e tij javore të takimeve, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se BE-ja është duke u përgatitur për takimin e 14 shtatorit në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Për këtë takim, ai ka thënë se po punojnë që i njëjti të sjellë rezultate pozitive.

Javën që lamë pas, Lajçak e konsideron të mbushur me punë përgatitore për takimin Kurti-Vuçiq.

“Fillova në Bruksel, ku u takova me bashkë-lehtësuesit e Parlamentit Evropian të Procesit të Dialogut Parlamentar me Asamblenë Kombëtare të Serbisë, deputetin e Parlamentit Evropian Matjaz Nemec dhe ish-deputetin e Parlamentit Evropian Knut Fleckenstein. Më vonë të martën, u takova me komandantin e KFOR-it të NATO-s, gjeneralmajor Ristuccia. Ishte mirë të shkëmbejmë shënime mbi zhvillimet në terren dhe të ndajmë vlerësimet tona për burimet e mundshme të tensioneve në të ardhmen. Jam mirënjohës për punën jetike të KFOR-it në ndërtimin e një mjedisi të sigurt në Kosovë”, shkroi ai.

Lajçak pati disa fjalë edhe për takimin me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

“Diskutuam se si të avancojmë normalizimin e marrëdhënieve”, tha ai.

Poashtu, ai u takua edhe me Artur Lorkoëski, Drejtor i Komunitetit të Energjisë, për të eksploruar fushat e mundshme të bashkëpunimit dhe për të folur për energjinë si pjesë e Dialogut.

“Me ekspertizën e tij unike, Komuniteti i Energjisë kontribuoi në Udhërrëfyesin e Energjisë, të cilin e miratuam në qershor të vitit të kaluar”.

Gjatë javës, Lajçak udhëtoi drejt Berlinit ku pati diskutime të rëndësishme në Kancelarinë dhe Ministrinë e Jashtme Federale Gjermane.

“U takova me drejtorin politik në Ministrinë e Jashtme Tjorven Bellmann dhe me Kryekëshilltarin e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë të Kancelarit Gjerman Jens Plötner. Ne u fokusuam në gjendjen e lojës dhe irrituesit e mundshëm në Dialog, ndamë pritshmëritë tona për Takimin e Nivelit të Lartë dhe hartuam një strategji për rrugën përpara. Përkushtimi dhe mbështetja e fuqishme nga Gjermania vazhdojnë të jenë të paçmueshme”.

Pas kthimit në Bruksel të enjten mbrëma, u takua edhe me të dërguarin e Ballkanit Perëndimor Lord Peach.

“Shkëmbyem mendime rreth zhvillimeve të fundit në rajon. Vlerësimi i Lord Peach për situatën e sigurisë si një ekspert me përvojë në atë fushë vlerësohet gjithmonë”, ka deklaruar mes tjerash Lajçak./Telegrafi/