Ballina Aktuale PASIVIZIMI I ADRESAVE NJË PROBLEM QË SHQETËSON DHE IRITON

PASIVIZIMI I ADRESAVE NJË PROBLEM QË SHQETËSON DHE IRITON

SHPËRNDAJE

Vazhdimi i anketës me qytetarë

PASIVIZIMI I ADRESAVE NJË PROBLEM QË SHQETËSON DHE IRITON

Për shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës, përkatësisht në komunat: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, por edhe në ato qendra tjera banimi nëpër Serbi, problemi i masivizimit të adresave, është bërë një fenomen për analizë.

Në raportimet e institucioneve lokale e qendrore, Këshilli për të Drejtat e Njeriut dhe mediat e ndryshme, mungon një analizë më përmbajtësore, për të paraqitur në detaje dhe në mënyrë profesionale, shkaqet e masivizimit të adresave të shqiptarëve në Serbë.

Në këto raportime deri diku sipërfaqësore, mungon një sensibilizim më i organizuar jo vetëm i fushatës, për t’i paraqitur në esencë, se ku qëndrojnë problemet e masivizimit, pse ato tani kanë marrë më shumë jehonë se në periudhat e mëhershme? A duhet më shumë t’u japim ngjyrë politike këtyre dukurive, apo të marrim për bazë edhe varfërinë e cila është armiku i të gjitha bashkësive etnike, që jetojnë prej shekujsh në këto hapësira shumetnike?

Gjatë vizitës së Ekipit të Shoqatës së Gazetarëve “Etika”, realizuese të Anketës me qytetarë: “Sa respektohen të drejtat e shqiptarëve në Serbi?”, në zonat urbane dhe rurale të rajonit të Luginës së Preshevës, janë grumbulluar fakte dhe dëshmi, të cilat shkojnë më larg se sa të dhënat se pasivizimi i adresave bëhen për shkaqe politike, por edhe për disa arsye të tjera, të cilat, mjerisht, po na ndjekin hap pas hapi, duke u nisur nga prapambeturia ekonomike, migrimet, integrimet, shkollimet, punësimet, përçarjet, madje edhe neglizhenca e një përkujdesjeje për rregullimin e dokumenteve të identitetit dhe vendbanimeve.

Për të bërë një Anketë me qytetarë sa më të kapshme dhe më të realizueshme nga Ekipi i Shoqatës së Gazetarëve “Etika”, për të paraqitur diskriminimin në fushën e masivizimit të adresave te shqiptarët, janë kombinuar përvoja e mjeshtërisë gazetareske dhe eksperienca në sferën e të të drejtave të njeriut, për të filluar në një model ndryshe të një ankete, që është e njohur me elementet e anonimitetit me qytetarë.

Nga kjo formë e anketës e kemi parë se qytetarët janë më të lirë gjatë paraqitjes së problemeve, me të cilat ata ballafaqohen për ditë, e në këtë drejtim edhe ajo e masivizimit të adresave, që për ta është sa shqetësuese edhe irituese.

Këtë shqetësim me njëfarë frike, më së shumti e shprehin banorët e zonave kufitare midis Kosovës dhe Serbisë, sidomos në Malësinë e Bujanocit, Karadakun e Preshevës dhe fshatrat e Komunës së Medvegjës. Një arsye më shumë e këtyre shqetësime, të cilat ato më lehtë i shprehin në formë anonimiteti, janë se jetojnë në një varfëri ekstreme, pa ndonjë përkujdesje më të dinjitetshme nga pushtetet lokale dhe qendrore, si dhe nga lumi i migrimeve në zonat urbane dhe jashtë shtetit ku jetojnë.

Për t’i arsyetuar dhe hallet dhe brengat e tyre, më së miri flet gjendja e tyre shpirtërore dhe materiale, në ato zona ku rrallë shkel këmba e pushtetarëve lokalë e mos të flasim, të atyre nga pushteti qendror.

Raportimet e institucioneve e organizatave

Ketë fakt nuk e mohojnë as raportimet e institucioneve e organizatave, që merren me të drejtat dhe liritë e njeriut, por edhe nga veprimtarë të tjerë, të cilët veprojnë në perëndim.

Rreth diskriminimit në fushën e masivizimit të adresave nuk ka munguar as zëri i avokatëve, të cilët janë më të thirrur ligjërisht në këtë drejtim, si ai i Naser Arifit nga Presheva: “Qeveria e Serbisë po vazhdon t`i shkelë të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës, duke nisur me pasivizimin e adresave. Madje edhe kur bëhet fjalë për drejtësi, shqiptarëve atje nuk u respektohet e drejta. Gjykata në Preshevë është mbyllur nën arsyetimin për numër të vogël të banorëve”

Këtë e tregon edhe studimi i shkencëtares Flora Ferati – Sachsenmaier për Institutin “Max Planck”, i cili do të publikohet pas pak ditësh dhe është i disponueshëm ekskluzivisht për “Tagesspiegel”.

Ndërkohë, ligji po përdoret për të “arritur homogjenitetin etnik në Serbi”, shpjegon Ferati-Sachsenmaier. Duke pasivizuar adresën, të prekurit do të bëhen “pa shtetësi”, pasi të gjitha dokumentet si kartat e identitetit apo pasaportat do të humbnin vlefshmërinë e tyre. Për rrjedhojë, nuk është më e mundur, p.sh., të votosh në zgjedhje, të fitosh prona, të përdorësh shërbime spitalore ose të gjesh një punë.

Situata është veçanërisht dramatike në Medvegjë, ku gjithsej 4.214 persona janë pasivizuar ndërmjet viteve 2011 dhe 2020 – nga një popullsi prej 7.438 banorësh.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Luginën e Preshevës, Belgzim Kamberi, përshëndeti fjalimin e presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj në OKB, për ngritjen e çështjes së pasivizimit të banesave dhe mos-respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë nga pala serbe. Ai, gjithashtu, theksoi se Bashkimi Evropian duhet të nisë një hetim në lidhje me pasivizimin e vendbanimeve të shqiptarëve që banojnë në këto zona.

Një hap më larg në këtë drejtim ka shkuar deputeti popullor në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili ka dorëzuar një propozim ligji të ri në procedurë parlamentare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave.

Propozimi i Ligjit përmban dispozitat fundamentale për avancimin e të drejtave dhe lirive individuale e kolektive në përputhje me standardet më të larta.

Ndalesa e diskriminimit, avancimi i të drejtave individuale e kolektive, krijimi dhe pozita e avancuar e Këshillave nacionale, janë disa nga risitë që parasheh ky propozim në raport me Ligjin aktual të aprovuar më 2002.

Risi e veçantë e këtij propozimi ligjor janë dispozitat ndëshkuese ndaj atyre që nuk respektojnë normat e tij, në krahasim me Ligjin aktual i cili fare nuk përmban dispozita ndëshkuese, që praktikisht respektimin e të drejtave të pakicave e ka lënë në mëshirën dhe disponimin politik të qeverisë qendrore.

Pikat kryesore që përmban ky propozim i dërguar sot në parlament janë:

• Ruajtja e identitetit, traditës dhe veçantive;

• Të drejtat në arsim – me të drejtën e krijimit të institucioneve të arsimit të lartë dhe domosdoshmërinë që në tekstet shkollore të historisë, artit e kulturës së paku 50% e lëndës të jetë nga histroia e kultura kombëtare e pakicave;

• Të drejtën e patjetërsueshme të përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit;

• Të drejtën e pakufizuar të përdorimit të simboleve kombëtare;

• Të drejtën për përfaqësim proporcional dhe adekuat në gjyqësor;

• Të drejtën për përfaqësim adekuat e proporcional në organet shtetërore;

• Të drejtën e pakontestueshme për bashkëpunim me shtetin amë;

• Krijimin e Fondit të veçantë për zhvillimin e komunave të pazhvilluara;

Edhe kësaj radhe propozimi im ka hasur në përkrahjen e dy deputeteve të SDA së Sanxhakut dhe një deputeti të pakicës ukrainase.

Dispositat ndëshkuese, dënimet me burg dhe të holla ndaj atyre që nuk respektojnë këtë Ligj në rast të aprovimit, duhet të jenë garanca e realizimit të tij.

Ky është propozimi im i tretë për ndryshime ligjore në 5 muajt e fundit.

Propozim ndryshimi i Ligjit për përdorimin e flamurit dhe riorganizimi i territoreve të gjykatave dhe prokurorive janë propozimet që kanë hy në procedurë parlamentare.

Në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York të enjten është kërkuar të ndërpritet pasivizimi i adresave të shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës. E pjesëtarë politikë dhe akterë të shoqërisë civile këtë e shohin si problem politik. 

Spastrim etnik administrativ

Mbi gjashtë mijë shqiptarë në tri komunat jugore të Serbisë me popullsi shqiptare, Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, janë hequr në mënyrë të paligjshme dhe sistematike nga regjistri civil gjatë viteve të fundit. Komiteti i Helsinkit këtë veprim e ka quajtur “spastrim etnik administrativ”.

Teuta Fazliu, banore e Bujanocit, por që jeton me vite në Prishtinë, tregon për Radio Kosovën se si gjatë pandemisë derisa ishte duke qëndruar te familja e saj, e mori vesh se nuk ishte më banore e Bujanocit.

“Në maj të 2020, më vjen një vendim nga Policia lokale që adresa ime është shuar. Menjëherë kam bërë ankesë në MPB-të Serbisë, ku pa u bërë një muaj më kanë kthyer përgjigje, ku kanë shkruar në vendim se adresa ime është pasivizuar pasi që Teuta Fazliu, nuk jeton në Bujanoc, por jeton në Prishtinë, punon në Qeverinë e Kosovës dhe është e martuar me kosovar. Pas këtij vendimi, kam ngritur një padi në Gjykatën Administrative dhe nga ajo kohë nuk kam marrë asnjë përgjigje”, deklaroi ajo.

Çështja e pasivizimit të adresat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, u ngrit të enjten nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. 

“Të drejtat e serbëve në Kosovë pasqyrojnë normat dhe vlerat evropiane, të njëjtat duhet të zbatohen edhe për minoritetin shqiptar në Luginën e Preshevës, në jug të Serbisë. Për fat të keq, mbetemi ende të shqetësuar për pasivizimin e adresave të tyre rezidenciale dhe mungesën e investimeve të rëndësishme dhe stimulimeve ekonomikë në atë rajon”, tha Begaj.

Shaip Kamberi, përfaqësues politik i shqiptarëve të Luginës se Preshevës, thotë për RTK-në se kjo është çështje politike.

“Në vazhdimësi qeveritë që nga viti 2012 po tentojnë të ndryshojnë strukturën etnike të popullsisë në Luginë të Preshevës, e që në mënyrën më drastike kjo është bërë në Medvegjë. Një spastrim etnik me masa administrative të cilin po e bënë Qeveria e Serbisë, para syve në BE-së”, deklaroi ai.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, thotë për Radio Kosovën se rastet e shuarjes së adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, janë mohim i të gjitha të drejtave të njeriut.

“Me vite të tëra serbët dhe shqiptarët kanë shkuar në diasporë për të punuar dhe ndërkohë Serbia ka miratuar një ligj që shfuqizon individët që nuk janë të regjistruar në adresat e paraqitura. Por kjo, aplikohet vetëm për shqiptarët. Deri tani nuk kemi pasur asnjë rast të paraqitur për ndonjë serb”, deklaroi Biserko.

Ditë më parë sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, i është dërguar një letër nga dy senatorë amerikanë lidhur me situatën për shqiptarët etnikë në Luginën e Preshevës, ku studiuesit dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë dhënë alarmin për “spastrimin etnik administrativ” të tyre nga regjistri civil.

Më herët edhe Parlamenti Evropian kishte miratuar rezoluta për çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Serbi, një hulumtim është kryer nga akademikja Flora Ferati Sachesenmaier.

Raporti përfundimtar i punës së saj, i publikuar kohët e fundit, zbuloi se mbi 6,000 shqiptarëve u janë pasivizuar adresat e tyre nga rajonet jugore serbe, duke i bërë ata pa shtetësi dhe të paaftë për të blerë ose shitur prona, për të pasur qasje në arsim ose kujdes shëndetësor, për të votuar ose për të ushtruar të drejta të tjera themelore.

Hulumtimi i Feratit zbuloi se popullsia e shqiptarëve etnikë në disa rajone është ulur me mbi 70 për qind, në disa zona, edhe pse ata ende jetojnë fizikisht atje.

Qytetarët e Luginës së Preshevës, nga tash e tutje do të kenë platformën digjitale mbi çështjet e pasivizimit të vendbanimit dhe vendqëndrimit në Serbi, raportojnë mediet. Në këtë platformë online, ata mund të informohen, të raportojnë, të ankohen dhe të sigurojnë ndihmë juridike falas, mbi çështjet e pasivizimit.

Këshilli për të Drejtat e Njeriut me mbështetjen e Këshillit Kombëtar Shqiptar për qytetarët ka ofruar  platformën digjitale mbi çështjet e pasivizimit të  vendbanimit dhe vendqëndrimit në Serbi: https://pasivizimi.com.

Në këtë platformë online, ata/o mund të informohen, të raportojnë, të ankohen dhe të sigurojnë ndihmë juridike falas, mbi çështjet e pasivizimit. Me këtë rast, sipas KDNJ, inkurajojnë qytetarët që sa më shumë të shkëmbejnë platformën, sidomos në shërbim të raportimit të rasteve të pasivizimit.

Raportimi i pasivizimit është shumë i rëndësishëm jo vetëm si shënim evidence për numrin e qytetarëve të pasivizuar, por sidomos për ta qartësuar procedurën që është ndjekur nga organet përgjegjëse ligjzbatuese.

Anketa me qytetarë vazhdon…