Ballina Aktuale Simbolet kombëtare, dygjuhësia dhe mbishkrimet, burim i diskriminimit sistematik shtetëror

Simbolet kombëtare, dygjuhësia dhe mbishkrimet, burim i diskriminimit sistematik shtetëror

SHPËRNDAJE

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, janë të vetmit nga të gjitha hapësirat e etnikumit shqiptar, që nuk e kanë të rregulluar me ligj përdorimin e simboleve kombëtare. Ata për shkak përdorimit të Flamurit Kombëtar Shqiptar, dënohen dhe gjobiten nga Beogradi zyrtar, me pretekstin se shqiponja është simbol shtetëror i Shqipërisë dhe se i njëjti nuk lejohet me ligj, që të përdoret në festat nacionale, shtetërore e gazmende familjare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Serbia ka lejuar me ligj të përdoren simbolet kombëtare të pakicave të tjera joserbe në Serbi, me një ndryshim të vogël në fushën e flamujve, duke i zvogëluar ato, port ë njëjtën shqiptarët nuk e kanë lejuar, prandaj ata prej rënies së Komunizmit në ish Jugosllave, dënohen me ligj për shkak përdorimit të simboleve kombëtare.

Shumë qytetarë shqiptarë janë dënuar e burgosur për shkak përdorimit të simboleve kombëtare nëpër festat kombëtare dhe gazmendeve të tyre familjare. Një numër i madh i të rinjve janë larguar nga vendlindja për t’i ikur gjobitjeve dhe arrestimeve eventuale.

Kjo dukuri tashmë nuk praktikohet në shtetet e tjera të ish Jugosllavisë, si në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi, ata këtyre viteve të fundit e kanë lejuar me Kushtetutë, përdorimin e simboleve kombëtare pa i ndryshuar ata në pamje dhe formë.

Të kota kanë qenë përpjekjet e strukturave udhëheqëse të pushteteve lokale në Luginë të Preshevës, Këshilli Kombëtar Shqiptar, subjektet politike, shoqëria civile dhe faktorët ndërkombëtar, që të bëjnë trysni te Beogradi, për ndikuar në rregullimin me ligj të simboleve kombëtare shqiptare në Serbi. Madje, disa nga drejtuesit e pushtetit lokal në këto komuna të banuara me shumicë shqiptare, janë gjobitur me të holla për shkak përdorimit të simboleve kombëtare në institucionet publike me rastin e festive nacionale.

Reagimi i qytetarëve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Preshevë, krahas strukturave politike dhe institucionale, duke llogaritur edhe ato nga këndi i shoqërisë civile edhe sot është aktiv. Ata në formën e anonimitetit u kanë dhënë informata Ekipit të Shoqatës së Gazetarëve “Etika” nga Lugina e Preshevës, se moslejimi i përdorimit të Flamurit Kombëtar Shqiptar dhe simboleve të tjera për ta paraqet një diskriminim të hapur dhe sistematik nga Qeveria e Beogradit.

Qytetarët shqiptarë, gjithashtu, kanë vërejtje edhe te udhëheqësit e tyre politikë dhe institucionalë, për mungesë të një angazhimi më të efektshëm dhe rezistent, në lidhje me trysninë e tyre, në përmbushjen e kërkesave legjitime të shqiptarëve për përdorimin e simboleve kombëtare lirshëm dhe pa ndalesa administrative.

Zëri i qytetarëve shqiptarë, më i zëshëm vjen nga Komuna e Medvegjës, të cilët janë më të paktë në numër se ata nga Presheva dhe Bujanoci, si dhe nuk janë të përfaqësuar denjësisht në strukturat e pushtetit lokal dhe rajonal. Medvegja mbeti pa shqiptarë edhe për shkak pasivizimit të adresave, mospunësimit e forma të tjera të diskriminimit klasik.

Raportet e Këshillit për të Drejtat e Njeriut, në Luginë të Preshevës, flasin për një numër të madh të qytetarëve shqiptarë, të cilët janë dënuar nga gjykatat komunale për shkak përdorimit të simboleve kombëtare dhe ky diskriminim do të vazhdoj edhe në të ardhmen deri sa përfundimisht të zgjidhet statusi i tyre politik në shtetin ku jetojnë.

Serbia vazhdon traditën e ngritjes së padive ndaj shqiptarëve për valëvitjen e flamurit kombëtar nëpër institucione. Rasti i fundit është ngritja e padisë së pestë ndaj ish-kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mutafi, i cili e kishte valëvitur flamurin në objektin e KKSh-së për 28 nëntor. Ky i fundit e ka quajtur “padi për përndjekje politike”, dhe ka thënë se do ta bënte një mijë herë të njëjtin veprim po të ishte në pozitën e njëjtë.

Kështu mendojnë dhe veprojnë edhe qytetarët shqiptarë nga Lugina e Preshevës, ngase Flamurin Kombëtar e konsiderojnë simbolin kryesor në mbrojtjen e identitetit kombëtar, ata edhe pse e dinë se mund të gjobiten për një veprim të tillë, nuk heqin dorë gjatë përdorimit të simbolit historik në festat nacionale dhe gazmendet familjare.

Ekipi i Shoqatës së Gazetarëve “Etika”, gjatë zhvillimit të anketës me qytetarë, ka ardhur në përfundim, se përdorimi i simboleve kombëtare më së shumti përdoret me rastin e festave nacionale dhe dasmave, të cilat organizohen më të madhërishme gjatë verës, kur vijnë bashkatdhetarët në vendlindje.

Dygjuhësia, mbishkrimet dhe probleme të tjera administrative

Një problem të ndjeshëm për qytetarët shqiptarë në Serbi, e sidomos në Luginë të Preshevës, paraqet edhe moszbatimi i dygjuhësisë në praktikë dhe i mbishkrimeve të rrugëve dhe institucioneve.

Ndonëse, gjuha shqipe në krahasim me gjuhët e tjera në Preshevë e Bujanoc, përdoret nga numri më i madh i qytetarëve, ajo, mjerisht, nuk është e barabartë me gjuhën serbe, por përkundrazi ajo injorohet dhe përbuzet si në institucionet zyrtare.

Kjo dukuri hetohet edhe në pushtet lokale ku shqiptarët i qeverisin, duke e mos zbatuar dygjuhësinë, e dëmtojnë shumë gjuhën shqipe. Moszbatimi i dygjuhësisë në formën e saj më ekstreme paraqitet në dokumentet zyrtare shtetërore.

Shtrirjen e diskriminimit ndaj qytetarëve shqiptarë Serbia e bën duke ua pamundësuar që t’i gëzojnë të drejtat edhe në përdorimin e gjuhës. Vendimet u shkruhen në gjuhën serbe, madje në alfabetin cirilik. Kështu kanë thënë disa qytetarë në Luginë të Preshevës.

Avokati Naser Arfi thotë se ballafaqohen me vështirësi për realizimin e seancave, teksa thotë se pasojat janë të mëdha, humbje e kontestit e në veprat penale dhe caktimi i paraburgimit nëse qytetarët nuk mund t’i përgjigjen thirrjes në kohë.

“Vështirësitë janë të shumta, përfshirë ato të udhëtimit, të caktimit të orarit të seancave gjyqësore … duhet të gjejnë të hollat që të shkojnë dhe t’i përgjigjen gjykatës në këtë rast në Bujanoc, në vend se të mbahet këtu në Preshevë ku është ndërtesa e përshtatshme për Gjykatë Themelore ku është ndërtesa m e re se në Bujanoc”, tha Arifi, për mediat lokale.

Në Kushtetutën e Serbisë thuhet se çdo njësi administrative e cila ka më shumë se 15% të bashkësisë etnike, gjuha zyrtare duhet të jetë gjuha e asaj pakice. Në Luginën e Preshevës, vendimet gjyqësore i dorëzohen shqiptarëve vetëm në gjuhën serbe, në alfabetin cirilik.

Kompanitë nga Beogradi kanë filluar ditën e sotme rregullimin infrastrukturor të fshatrave: Lukarcë dhe Jabllanicë të Komunës së Bujanocit, nën direktivat e Qeverisë së Serbisë. Në fshatrat në fjalë sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2022, jetojnë vetëm 86 banorë serbë. Qeveria e Serbisë po anashkalon investimet në fshatrat e Malësisë së Bujanocit, gjegjësisht në Zarbicë, Novosellë, Priboc, Suharrën, Ramabuqë e Qarr, teksa në këto fshatra jetojnë mbi 2 mijë banorë shqiptarë.

Fshati Samolicë në Komunën e Bujanocit ka diku rreth 1900 banorë, të gjithë shqiptarë.

Në shkollën e këtij fshati janë sigurisht të gjithë nxënësit shqiptarë. Rruga përreth shkollës lidhë Bujanocin me Preshevën, magjistrale kjo që lidhë edhe disa fshatra me shqiptarë.

Pavarësisht kësaj, në pjesën e rrugës ku njoftohet se është “Zona e shkollës” mbishkrimi është bërë vetëm në gjuhën serbe në shkrimin çirilik, çka është e pa logjikshme dhe e pa pranueshme.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiu përmes një komunikate në rrjete sociale ka treguar se ka dërguar një shkresë për drejtoratin e Çerdhes “Gëzimi ynë” në Bujanoc, me kërkesën për respektimin e dygjuhësisë. “Gjatë vitit shkollor 2022/23, ditarët në çerdhen “Gëzimi ynë” ishin vetëm në gjuhën serbe”, ka thënë Lutfiu, për mediat lokale.

Lutfiu, mes tjerash, foli edhe për respektimin e dygjuhësisë, që, sikundër tha ai, ndonëse është e rregulluar edhe me ligj, nuk ka vullnet të zbatohet ky ligj.

“Ne kemi filluar të bëjmë identifikimin në të gjitha vendet, lokacionet, hapësirat ku nuk është duke u respektuar dygjuhësia, jemi duke i bërë shkresë të gjitha institucioneve, të cilat nuk janë duke respektuar ligjin ne fjalë, dhe, në rast se këta institucione nuk reflektojnë, ne do të procedojmë edhe në gjykatë”, deklaroi Lutfiu, në “Info Plus”, në RTK.

Gjatë zhvillimit të anketës me qytetarët, rreth diskriminimit në zbatimin e dygjuhësisë, është vërejtur një disponim i tyre rreth aksioneve simbolike të aktivistëve politikë dhe institucionalë në vendosjen e panove me porosinë, që të zbatohet dygjuhësia edhe në institucionet shtetërore, siç janë gjykatat komunale dhe stacionet e policisë.

Anketa në vazhdim trajton problemet rreth diskriminimit në arsim, kulturë, integrim, punësim etj…..