Ballina Aktuale MINISTRI BERISHA NË VIZITË KËSHILLAVE KOMBËTARË TË PAKICAVE KOMBËTARE HEBRAIKE, ROME DHE...

MINISTRI BERISHA NË VIZITË KËSHILLAVE KOMBËTARË TË PAKICAVE KOMBËTARE HEBRAIKE, ROME DHE SLLOVENE

SHPËRNDAJE

Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe për Dialogun Shoqëror, Dëmo Berisha, më 13 qershor, vizitoi Bashkësinë e Bashkuar të Komunave Hebraike të Serbisë, Këshillin Kombëtar të pakicës kombëtare rome dhe Këshillin Kombëtar të pakicës kombëtare sllovene, si vazhdimësi e praktikës së vizitave në këshillat kombëtarë të pakicave në Republikën e Serbisë.

Gjatë vizitës, ministri Berisha bisedoi për aktivitetet e Bashkësisë së Komunave Hebraike në kontekstin e përmirësimit të funksionimit dhe pozitës së pakicës kombëtare hebraike.

Në takimin me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të pakicës kombëtare rome, u diskutuan çështjet që kanë të bëjnë me përfshirjen e romëve në sistemin arsimor dhe atë shëndetësor, si dhe çështje të punësimit.

Gjatë bisedimeve u konkludua se duhet të vazhdohet puna në përmirësimin e arsimit përmes zgjerimit të rrjetit të asistentëve pedagogjikë dhe mësuesve të gjuhës rome. U vërejt nevoja për bashkëpunim më të mirë me vetëqeverisjet lokale, me qëllim të krijimit të një trupi koordinues për ndjekjen e zbatimit të Strategjisë për përfshirjen sociale të romëve dhe romkave.

Me përfaqësuesit e pakicës kombëtare sllovene u diskutua për mënyrat se si të kontribuohet në rritjen e dukshmërisë së komuniteteve pakicë, përfshirë atë sllovene, me të cilën Serbia ka marrëdhënie të mira me shtetin amë. Në këtë kuadër u prezantuan projektet e deritanishme dhe ato të planifikuara që do të kontribuonin për këtë qëllim.

Ministri Berisha i kushtoi vëmendje të veçantë çështjes së realizimit të të drejtave dhe lirive të komuniteteve pakicë në Serbi. Ai theksoi se përmirësimi i pozitës së pakicave kombëtare në mënyrë që të afrohen sa më shumë me popullin shumicë është prioritet i punës së tij dhe theksoi se pakicat kombëtare janë pasuri e Serbisë që duhet ruajtur dhe kultivuar me kujdes, njofton Jetapress.